Trashëgimia në venitje e piktorit Van Gog
Pikturat e artistit të madh janë disa nga më të vlefshmet në botë, megjithatë shumë prej tyre po veniten ngadalë. Tani shkencëtarët kanë zbuluar se kryeveprat e Vinsent Van Gog (origj.: Vincent Van Gogh) po bien viktimë e përzgjedhjes së pigmenteve që autori përdori për të pikturuar.
Ata kanë zbuluar se një mineral i rrallë në një pikturë të ngjyrosur më së shumti me të kuqe, përdorur prej impresionistit holandez, po venitet teksa po kthehet në kristale të bardha.
Te mostrat e pikturave të Van Gogut është zbuluar të kenë si bazë kryesore mineralin gjashtëkëndor të përbërë nga plumbi, karboni, hidrogjeni dhe oksigjeni. Ky mineral vepron me dyoksidin e karbonit në ajër.
Ata thonë se ky mineral është lidhja që mungon, e cila mund të shpjegojë përse piktura e bërë me të kuqe, po kthehet në të bardhë.
Kërkuesit nga Universiteti i Antverpit në Belgjikë, studiuan mostra mikroskopike të pikturës të marra nga piktura Grumbulli i grurit nën një qiell me re, të cilën ai e pikturoi më 1889-n.
Dr. Koen Janssens, një kimist nga i njëjti universitet, tha se zbulimet e tyre mund të shpjegonin përse pikturat e Van Gogut, si të paçmuarat Luledielli dhe Dhoma, po zhduken me kalimin e kohës.
Ai tha: “Normalisht, ideja është se këto piktura janë aty për njëqind ose pesëqind vjet dhe se janë statike, pra asgjë nuk i ndryshon. Por e kundërta është e vërtetë kur sheh detajet”.
Kërkuesit ekzaminuan një fragment të bojës së pikturës së vajit nga Grumbulli i grurit nën një qiell me re. Boja në origjinë përmbante ngjyrë të kuqe të theksuar që kishte si synim të jepte përshtypjen e gjetheve të vjeshtës në pellg.
Megjithatë, me kalimin e kohës, gjethet e kuqe janë kthyer në gri dhe më pas të bardha, duke marrë ngjyrën e reve në qiellin e pikturës. Hulumtuesit, puna e të cilëve u publikua në një revistë kimie, përdorën një teknikë të njohur me pudër dhe rreze X për të studiuar ngjyrosjen.
Ata zbuluan se në qendër të bojës, piktura ishte ende e kuqe e gjallëruar, ku pigmenti i kuq real, ishte mbrojtur më mirë nga ajri, ndërsa ngjyra ndryshonte më afër sipërfaqes.
Ngjyra e kuqe është menduar nga shumë persona në botën e artit si një pigment relativisht i qëndrueshëm, ndaj ideja se po shpërbëhet ka befasuar shumë njerëz.
Kërkuesit besojnë se drita e diellit ka bërë që pigmenti origjinal i kuq të konvertohet në mineralin e përbërë prej plumbit, karbonit, hidrogjenit dhe oksigjenit, i cili reagon me dyoksidin e karbonit në ajër dhe formon kristale të bardha.
Profesor Janssens dhe kolegët e tij arritën në përfundimin se papastërtitë në pigmentin e kuq të plumbit, mund të ishin ato që kanë shkaktuar së pari degradimin. Ata thonë se një përbërës i një minerali oksidi të plumbit, shpesh është një mbetje nga procesi i prodhimit të pigmentit të kuq të plumbit.
Ky mineral është më reagues sesa mineralët e tjerë në plumbin e kuq dhe kështu mund të ketë shkaktuar prodhimin e mineralit gjashtëkëndor që po venit ngjyrën nga reagimi me ajrin.
Për t’i bërë gjërat edhe më keq, megjithatë, gjatë përpjekjeve për të restauruar pikturën, ekspertët kanë shtuar pigmente të bardha zinku te piktura e Grumbullit të grurit nën një qiell me re, për të gjallëruar atë që besonin se ishin pigmente të bardha në pellg.
Zbulimet mund të ndihmojnë në përpjekjet e së ardhmes për të restauruar pikturat e Van Gogut me ngjyrat e tyre origjinale, duke u lejuar shkencëtarëve të kuptojnë se çfarë pigmentesh janë përdorur.
Muzetë mund të ndihmojnë gjithashtu në ngadalësimin e venitjes, duke ndryshuar mjedisin në të cilin ruhen pikturat. Megjithatë, zbulimet sugjerojnë se shumë nga pikturat më të vlefshme të Van Gogut, mund të jenë nën kërcënim.
Njëra e njohur si Shpatoret, është listuar mes pikturave më të shtrenjta të shitura ndonjëherë dhe mendohet se tani ka një vlerë prej më shumë se 70.6 milionë paundësh britanikë.
Philippe Walter, drejtor i Laboratorit të Arkeologjisë Molekulare dhe Strukturore në Francë, u shpreh: “Për ruajtjen e veprave të artit, është e rëndësishme të shihet ky fenomen për t’u siguruar se po tregohet kujdes me sasinë e dritës në muze”.
Van Gogu luftoi të shiste pikturat e tij gjatë kohës që ishte gjallë dhe u përball me sëmundjen mendore që e bëri atë të priste veshin e tij dhe më vonë të qëllonte veten në moshën 37-vjeçare.
Vetëm pas vdekjes së tij, rëndësia e veprave të piktorit filloi të dalë në pah dhe të njihet gjerësisht. Tashmë, pikturat e tij janë mes atyre që shiten më shtrenjtë. Në vitin 1993, një nga pikturat e Van Gogut u shit për 36 milionë paund.
- D.
*Burimi: Daily Mail