Rajoni

Tre ditët më kritike për Greqinë, sot mblidhen ministrat e Financave të Eurozonës

Sytë e të gjithë grekëve janë sot nga samiti i ministrave të Financave të Eurozonës në Bruksel, prej të cilit qeveria greke pret një deklaratë pozitive sa i përket ecurisë së negociatave me kreditorët e saj.

Nga ky pozicionim i partnerëve të Greqisë do të varet edhe vendimi i bordit drejtues të BQE-së ditën e mërkurë, që do të miratojë ose jo rritjen e financimit të sistemit kreditues grek.

Pika më kritike konsiderohet 12 maji, kur Athina duhet të paguajë një detyrim ndaj FMN-së prej 750 miliardë eurosh. Burime qeveritare deklarojnë se edhe mund të anulojnë pagesën, në rast se përsëri ministrat e Financave të Eurozonës shprehin pakënaqësi ndaj reformave që ata presin nga qeveria greke.

Ndërsa, deri në fund të muajit, Athina, që vuan nga mungesa e likuiditetit, duhet të paguajë 2 miliardë euro paga dhe pensione.

Në një mbledhje maratonë të kabinetit prej më shumë se 8 orësh, ditën e diel, kryeministri Tsipras ka deklaruar se Greqia kërkon nga samiti i Eurogrupit një konfirmim të progresit të rëndësishëm të bërë nga pala greke, që vendi të shpëtojë nga mbytja financiare.

Por, ai ka theksuar se arritja e çfarëdo marrëveshjejeje me kreditorët nuk do të bjerë ndesh me mandatin popullor që kanë marrë radikalët e majtë në zgjedhjet e janarit të kaluar, ndaj ka lënë të hapur mundësinë e një referendumi, në rast se negociatat dështojnë.

Analistët vendas dhe të huaj nuk japin shumë shpresa për një marrëveshje të afërt, duke iu referuar klimës negative që mbizotëron. Sipas ministrit gjerman të Financave, Berlini do të bëjë gjithçka që të mbajë Athinën në Eurozonë, por nuk është çudi, ka thënë ai, që Greqia të falimentojë papritur. Ndërsa kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, është shprehur se nuk shikon ndonjjë marrëveshje nga ky samit, duke shtuar se BE-ja ka një plan për çdo skenar të mundshëm.

E përditshmja gjermane ‘Handelsblatt’ publikon një prej skenarëve me planin B, atë të qarkullimit të një monedhe paralele në Greqi, e ashtuquajtura “Geuro”, në rast se nuk do të arrihet marrëveshje midis Greqisë dhe kreditorëve.

Megjithëse sondazhi i fundit u jep radikalëve të majtë një avantazh prej më shumë se 18 pikësh ndaj konservatorëve, sipas britanikes ‘The Guardian’, asnjë udhëheqës në botë nuk do të donte të ndodhej në vendin e kryeministrit Tsipras, i cili ose do të tradhtojë ideologjinë e tij, thekson gazeta, ose do të hyjë në një zonë të panjohur e të rrezikshme pas daljes nga Eurozona.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button