Bota

Tërmete të forta në bregdetin perëndimor të Japonisë

Japonia uli nivelin e paralajmërimit, të lëshuar pas një numri tërmetesh të mëdha që përfshinë pjesën perëndimore të vendit të hënën, por u kërkoi banorëve që jetojnë pranë brigjeve, që të mos kthehen në shtëpitë e tyre ndërsa valë të mëdha vazhdojnë të përplasen në brigjet perëndimore të vendit.

Tërmetet, më i rëndi më magnitudë 7.6, shkaktuan zjarre dhe shembje ndërtesash në brigjet perëndimore të ishullit kryesor të Japonisë, Honshu. Ende nuk ka njoftime për njerëz të vdekur apo të plagosur nga pasojat e tërmeteve.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë njoftoi se mbi dhjetë tërmete goditën në zonat detare afër bregdetit të Ishikavas dhe qyteteve të tjera përreth, pak pas orë 16, sipas orës lokale në Japoni.

Të paktën 16 shtëpi u dëmtuan nga tërmetet dhe një numër banorësh u bllokuan nën rrënojat e tyre, tha zëdhënësi e qeverisë Yoshimasa Hayashi. Një zjarr shpërtheu në qytetin Wajima dhe mbi 30 mijë banorë mbetën pa energji elektrike, tha ai.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë fillimisht lëshoi një paralajmërim të shkallës më të lartë për cunami në zonën e Ishikavës, por më vonë e uli shkallën e paralajmërimit për zonën në fjalë dhe rajone të tjera bregdetare në pjesën perëndimore të Japonisë.

Zëdhënësi i qeverisë Yoshimasa Hayashi, tha se ishte thelbësore që banorët në zonat bregdetare të largoheshin nga cunami që po afrohej.

“Çdo minutë ka rëndësi. Ju lutemi evakuohuni menjëherë në një zonë të sigurt”, tha ai.

Të paktën gjashtë shtëpi u dëmtuan nga tërmetet dhe brenda tyre kanë mbetur njerëz të bllokuar. Një zjarr shpërtheu në qytetin Wajima të prefekturës Ishikawa dhe më shumë se 30 mijë familje mbetën pa energji elektrike, tha zëdhënësi Hayashi.

Ai tha se nuk janë konfirmuar raporte për të vdekur apo të plagosur, duke theksuar se situata është ende e paqartë. Ushtria japoneze po merr pjesë në përpjekjet e shpëtimit, tha ai.

Pamjet e transmetuara nga media japoneze shfaqën njerëz që vraponin nëpër rrugë dhe tymin që dilte nga zjarri në një lagje banimi. Fotot treguan një turmë njerëzish, duke përfshirë një grua me një foshnjë në shpinë, duke qëndruar pranë çarjeve të mëdha në trotuar.

Trenat e shpejtë në zonë u ndaluan. Pjesë të autostradës u mbyllën dhe tubat e ujit shpërthyen, sipas televizionit NHK. Disa shërbime të telefonisë celulare në rajon ishin jashtë funksionit.

Agjencia Meteorologjike tha në një konferencë shtypi se më shumë tërmete të mëdha mund të godasin zonën gjatë javës së ardhshme, veçanërisht në dy ose tre ditët në vijim.

Paralajmërime për cunami janë lëshuar gjithashtu për disa pjesë të Koresë së Veriut dhe Rusisë. Zyrtarët rusë lëshuan një alarm për cunami në ishullin Sakhalin, duke paralajmëruar se zonat në gjithë bregun perëndimor të ishullit mund të preken nga dallgët.

Në Korenë e Jugut, agjencia meteorologjike u bëri thirrje banorëve në disa qytete bregdetare lindore të vëzhgojnë ndryshimet e mundshme në nivelet e detit. Valët e cunamit që godasin më vonë mund të jenë më të mëdha se ato fillestare.

Qeveria japoneze ka ngritur një qendër të posaçme të emergjencës për të mbledhur informacion mbi tërmetet dhe cunamin dhe për t’i informuar shpejt banorët për të garantuar sigurinë, u tha gazetarëve kryeministri Fumio Kishida, i cili përsëriti paralajmërimin për evakuim të menjëhershëm nga zonat e prekura.

Japonia është një vend që përballet shpesh me tërmete. Në mars të vitit 2011, një tërmet i fuqishëm dhe cunami shkaktuan dëme të rënda në një central bërthamor. Zëdhënësi i qeverisë Hayashi u tha gazetarëve se centralet bërthamore në zonën e prekur nga tërmetet e sotme nuk njoftuan për dëme në objektet e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button