Rajoni

Tre skenarët e BE-së, në rast dështimi të bisedimeve me Greqinë

Në negociatat mes Greqisë dhe Eurogrupit deri më tani ka pasur gjithmonë një fjalë tabu. Quhet “Plani B”. Për të mos i bërë bisedimet edhe më të vështira sesa ato janë në të vërtetë, nuk duhet folur për mundësinë e dështimit të negociatave dhe daljes së Greqisë nga Eurozona – të një “Grexit”-i pra. Gjithnjë e më shumë po flitet se nuk ka një “Plan B”.

Kështu tha ministri francez i Financave, Michel Sapin, në takimin e Eurogrupit në Riga, më 24 prill: “Dje ne folëm për një plan A, domethënë për planin B. Pasi nuk ka një plan B, C, D apo E. Ka vetëm një plan: Greqia në euro, Greqia në Europë dhe në Eurogrup”.

A po planifikohet diçka e fshehtë pas kulisave të “Grexit”-it?

Dhe ministri austriak i Financave, Hans Jörg Schelling, tha në Riga në lidhje me thashethemet për një Plan B: “Nuk ka asgjë në këtë debat. Plani B nuk është diskutuar”.

Mirëpo, pak ditë më vonë, shefi i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, shkaktoi sërish pasiguri, ndërsa theksoi se: Sipas të dhënave të tij, europartnerët e Athinës po merren shumë me Grexit-in: “A mos Eurozona është përgatitur pra në një apo në një mënyrë tjetër? Përgjigjja për këtë është: Po”.

A po përgatitet pra ndërkaq prapa skene një skenar për një “Grexit”?

Të paktën, Eurogrupi duket se është përgatitur për gjithçka. Gazeta gjermane “Die Welt” flet po ashtu për një plan C, D dhe E. Gazeta në fjalë jepte dhe detaje të planifikuara për të.

Sot (dje) u mbajt një takim i rëndësishëm i Eurogrupit me negociatorët grekë. Mirëpo asnjë ekspert nuk e vlerëson pozitiv ecurinë e negociatave me Greqinë – dhe për këtë përfliten shumë skenarë nëpër sirtarë.

Vetëm një nga katër skenarët flet për sukses

Njëri ndër negociatorët i tha “Die Welt” para takimit se: “Grekët vetëm tashmë kanë shpërndarë një ligj me emrin ‘Demokratizimi i shërbimit publik’, që ka vendosur rivendosjen e 13 000 nëpunësve në administratë”. Kjo sigurisht se shkon qartazi në kundërshtim me marrëveshjet e reformave me Trojkën, FMN-në, BQE-në dhe Komisionin Europian.

Përballë gjendjes së vështirë, FMN-ja, BQE-ja dhe Eurokomisioni po planifikojnë tre skenarë negativë dhe një pozitiv, siç arriti të merrte vesh gazeta në fjalë në rrethet e negociatorëve.

Dhe ai pozitivi parashikon që Greqia të përmbushë detyrimet e veta, në mënyrë që Athina të marrë paratë deri në përfundimin e afateve të paketës së dytë të ndihmave.

“Thuajse të gjithë në Greqi do të ishin më të varfër, se ç’janë sot”

Tre skenarët e tjerë që po diskutohen aktualisht, nga këndvështrimi i të gjithë partnerëve në negociata, janë relativisht negativë.

Skenari 1 bën fjalë për një qeveri që ka dëshirë për reforma që prezanton propozime substanciale, sidoqoftë grekët i kanë mbivlerësuar rezervat e tyre financiare. Parakusht i rëndësishëm për një ndihmë të mundshme nga BQE-ja është që: “Grekët të tregojnë vërtet një dëshirë të mirë në tavolinën e negociatave”, thuhet në Bruksel.

Skenari 2 parasheh që propozimet e bëra me gjysmë zemre të grekëve, të mos pranohen. Dikur, nga mesi i javës tjetër, Greqia nuk do të mund t’i paguante dot më borxhet ndaj FMN-së apo BQE-së.

Në rast se qeveria greke, në vijim të krizës do të tregojë vullnet të mirë, nëse ajo do të nënshkruajë me europianët shpejt marrëveshje reformash dhe do të ecë në drejtim të shlyerjes së borxheve, e gjitha kjo do të mund të merrej në dorë, sipas skenarit të ekspertëve të Trojkës.

Në skenarin e tretë, Trojka flet apo trajton rastin kur qeveria greke do të shfaqej tërësisht jobashkëpunuese. Ai fillon të paguajë nëpunësit dhe pensionistët me letra shtetërore me vlerë, të ashtuquajturat IOU, çka është fillimi i futjes në përdorim të një monedhe paralele kombëtare.

“Ne luajmë me alternativa të ndryshme”

Tre-katër vite shumë të ashpra mund të vinin si pasojë për Greqinë, thuhet në qarqet e ekspertëve në Bruksel. Dhe thuajse të gjithë në Greqi, pas kësaj, do të ishin më të varfër se ç’janë sot.

Edhe në qarqet e CDU-së gjermane flitet ndërkaq hapur për një Plan B: për gazetën “Bild”, kreu i kristiandemokratëve gjermanë në Komisionin e Ekonomisë në Bundestagun Gjerman, Norbert Brackmann, shprehet se: “Natyrisht se ne po trajtojmë alternativa të ndryshme për Greqinë. Këtu bën pjesë edhe një ‘Grexit’ po aq sa dhe një plan i tretë paketash ndihme’. Por ‘Plani B’ po merr gjithnjë e më shumë formë”.

Marrë nga “Huffington Post”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button