Tre të vdekur e 3 të plagosur në dy aksidente rrugore
Tre persona humbën jetën mëngjesin e sotëm në Milot dhe në Korçë në dy aksidente të ndryshme.
Aksidenti i parë ndodhi në Korçe kur një këmbësor është goditur nga një mjet dhe ka humbur jetën menjëherë. Policia arrestoi drejtuesin e mjetit dhe ai është Fatos Kapushi, 40 vjeç banues fshatin Podgorie, Korçë, ndërsa viktima një 74-vjeçar nga Pogradeci.
Një aksident tjetër edhe më i rëndë, me dy viktima, ndodhi rreth orës 05:10 në rrugën nacionale Lezhë-Tiranë, në Fushë Milot.
Dy automjete tip “Benz”, një me targa TR 0143 M dhe një LA 9785 A janë përplasur ndërmjet tyre.
Policia bën të ditur se mjeti me targa LA 9785 A drejtohej nga shtetasi B.M. rreth 35 vjeç, i cili udhëtonte me nënën e tij T.M. rreth 65-vjece dhe bashkëshorten B.M. rreth 32-vjeçe, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. Ndërsa në mjetin me targa TR0143 M ishin drejtuesi i cili ka gjetur vdekjen në vend si dhe një pasagjer, i cili gjithashtu ka ndërruar jetë në spital. Të dy shtetasit janë akoma të pa identifikuar.
Policia ndodhet në vendngjarje, ndërsa shkaqet e aksidentit janë ende të paqarta.