Bota

Triumfi i Putinit apo fitorja e Perëndimit? Tre skenarë

timthumbOpinion – Armëpushimi mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve prorusë, po has në vështirësi, ndërsa në Ballkan po rritet frika për një ndikim rus. Një vështrim mbi tre skenarë hipotetikë mbi krizën ukrainase

Nga Richard Herzinger

Skenari 1: Putini triumfon

Nën presionin e BE-së e në radhë të parë të Gjermanisë, Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, do t’i thoshte “po” një plani paqeje, që parashikon një “federalizim” të Ukrainës. Jugu dhe Lindja e vendit, do të qëndronin brenda shtetit të Ukrainës formalisht, por faktikisht, do të ishin nën kontrollin e Moskës. Qendrat e saj industriale kësisoj do të grabiteshin, duke e lënë Perëndimin e Ukrainës të rrëshqiste gjithnjë e më shumë në krizë. Shërbimi i fshehtë rus, FSB, do të kujdesej që atje të shpërthenin gjithashtu trazira të ngjashme me luftën civile, derisa Kremlini të deklaronte më pas se aktivitetet e “forcave fashiste”, do të kërkonin ndërhyrje ushtarake në Kiev.

Kjo mund të përfundonte me vendosjen e një regjimi prorus, që mund ta mbante sigurisht, lidhjen e Ukrainës me Perëndimin, por që do ta bënte atë të anëtarësohej edhe në “Unionin Euroaziatik” të Presidentit Putin. Para së gjithash, me këmbënguljen e presidentes së re të Unionit të Djathtë Popullor Francez, Marine Le Pen, BE-ja do t’ia hiqte sanksionet Rusisë në vitin 2017 dhe do të lidhte një Marrëveshje të Bashkëpunimit Strategjik me Kremlinin. Ndërkohë, nacionalistët e armatosur rusë në Baltik, do t’i shpallnin zonat me popullsi shumicë ruse, si “rajone autonome”. Pasi NATO-ja nuk do të ishte në gjendje të dëshmonte dot përfshirjen direkte të trupave ruse.

Skenari 2: Një konflikt afatgjatë

Bisedime paqeje mbi statusin e rajonit separatist prorus të Donbasit, nuk do të zhvilloheshin. Luftëtarët që do të ndihmoheshin edhe më tej me armatime e njësi speciale ruse, do t’i ruanin pozicionet e tyre. Ata, megjithatë, nuk mund t’u bënin dot ballë njësive ushtarake ukrainase, të trajnuara e mbështetura me armatime të NATO-s. Kohët e armëpushimit në rajonet jugore e ato lindore të Ukrainës, do të ndryshonin me faza – një herë në Mariupol e një herë në Dnjeprpetrovsk.

Në Kiev tani fjalën do ta merrnin nacionalistët e pakompromis, që do të çonin në koalicione qeveritare jo të qëndrueshme. Reformat ekonomike e ato politike do të bllokoheshin, oligarkët do të rrisnin ndikimin. Kësisoj edhe BE-ja do t’i shtynte bisedimet për anëtarësim me Ukrainën gjithnjë e më larg. Ndërkohë, Putini shfrytëzon rastin, domethënë konfliktin që shihet vetëm në sipërfaqe, për ta mbajtur në ankth Perëndimin, për t’u marrë pastaj i qetë me menaxhimin e gjendjes së brendshme në Rusi. Sipas nevojës, ai mund të gjuante lart, nëse do të donte të shmangte vëmendjen nga problemet apo t’i bënte presion Perëndimit, ose do ta shtensiononte marrëdhënien me të, nëse ai do të kishte objektiv joshjen e Perëndimit, për të zbutur apo hequr sanksionet, siç mund të besonte ai në këtë rast.

Skenari 3: Moska ndryshon strategji

Nën peshën e sanksioneve, ekonomia ruse do të niste të vuante probleme aq të mëdha, saqë disa qarqe ekonomike do të dilnin kundër Putinit. Së pari, ata do të reagonin ndaj kursit të rrahjes së shpatullave ndaj Kinës, që në atë fazë do të dëshmohej si një kurth në këtë rast. Rusia do të binte nën varësinë e gjigantit ekonomik dhe do të kërcënonte të kthehej në një satelit të Pekinit. Në radhët e popullsisë, përveç kësaj, do të rriteshin trazirat e shqetësimet rreth rritjes së numrit të ushtarëve të rënë në konfliktin me Ukrainën. Propaganda e Putinit do të shpjegohej vetëm me faktin se i ka dhënë Perëndimit një leksion të mirë e të qartë, dhe se tashmë nuk mund ta shohë atë në një lartësi syri.

Putini do të çarmatoste separatistët dhe do të binte dakord për një reformë kushtetuese, sipas së cilës, Ukraina do të decentralizohej dhe rusishtja do të ishte gjuhë e dytë zyrtare në disa rajone. Kremlini do të pranonte anëtarësimin në NATO e BE të Ukrainës me kufizimin se atje nuk do të lejohej stacionimi i trupave apo sistemeve raketore të huaja. Një pakt miqësie ruso-ukrainas, do të rregullonte marrëdhëniet ekonomike dhe do të institucionalizonte konsultimet politike mes Kievit e Moskës.

Marrë nga “Die Welt”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button