Tropojani rrëfen planin e vrasjes së Kusarit
I penduari 24 vjeç pohon: U porosita 300 mijë euro për të eliminuar kryekomunaren e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila. Plani, hoteli dhe biznesmeni i hidrokarbureve
Nga Mariglen Mullai
Një javë pasi kryekomunarja e Gjakovës lëshoi alarmin se vrasës nga Shqipëria ishin paguar për ta eliminuar fizikisht, Policia Shqiptare ka në dorë të penduarin 24-vjeçar nga Tropoja, i cili kishte marrë porosi nga një kosovar për ekzekutimin e Mimoza Kusarit (Lilës). Porosia kishte ardhur prej një biznesmeni nga Kosova, ndërsa gjithçka duket se ka lidhje me hidrokarburet. Përveç të arrestuarit nga Shqipëria, është shpallur në kërkim ndërmjetësi për atentatin. Burime nga Policia e Shtetit konfirmuan për gazetën “Shqip”, se dëshmia e 24-vjeçarit nga Tropoja me inicialet G.N. u është përcjellë autoriteteve kosovare, pasi janë ato që nisën hetimet dhe kanë kompetencë për mbledhjen e fakteve, provave dhe dëshmive rreth kësaj ngjarjeje. Prokuroria për Krime të Rënda në Tiranë ka nisur gjithashtu hetimet për vrasësin shqiptar, të paguar për ekzekutimin e kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, dhe sekretarin e institucionit të saj. Tashmë veprimet pasuese janë marrë përsipër dhe po drejtohen nga pala kosovare, e cila do të veprojë më tej me arrestimet apo hetimet rreth kësaj çështjeje.
Porosia për hidrokarbure
Njëri nga dy autorët e paguar për të bërë vrasjet, është penduar dhe ka rrëfyer të gjithë skenarin para Policisë së Shtetit dhe tashmë po ruhet nga agjentët e policisë. Sipas dosjes hetimore, vrasësi i penduar kishte marrë përsipër ekzekutimin e Kusarit dhe sekretarit të komunës. Ndërkaq, mësohet se 24-vjeçari me inicialet G.N., nga Tropoja, është kontaktuar nga A. Shiqerukaj, 44 vjeç, i shpallur në kërkim. Ky i fundit mendohet të jetë ndërmjetësi mes një biznesmeni nga Gjakova dhe vrasësit 24-vjeçar nga Tropoja. I riu ka treguar se biznesmeni i njohur në Gjakovë në fushën e hidrokarbureve, ka porositur vrasjen e kryetares së bashkisë, Mimoza Kusari–Lila, dhe sekretarin e saj, që dyshohet se ishte personi i besuar i kryetares. Më tej, mësohet gjithashtu se biznesmeni kishte humbur tenderin e komunës dhe kishte premtuar se për ekzekutimin e sekretarit, njëherazi të besuarit të kryetares së komunës, do të paguante 60 mijë euro. Por kulmi do të arrinte me vrasjen e shefes së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusarit, për të cilën do të paguheshin plot 300 mijë euro. Në rrëfimin e 24-vjeçarit, thuhet se ai, bashkë me A. Shiqerukajn, kanë qëndruar dy javë në hotel “Jakova”, me të gjitha shpenzimet e paguara, kohë kjo për të vëzhguar dhe ndjekur dy objektivët. Sipas dëshmisë, i riu u ka thënë hetuesve se dy pistoletat, një kallashnikov, një snajper dhe makinën me të cilën lëviznin për të ndjekur objektivët, ia kishte siguruar biznesmeni gjakovar. Ndërkaq, katër ditë para se 24-vjeçari të vetëdorëzohej në Policinë e Tropojës, ka tentuar të vrasë sekretarin e komunës. Ngjarja do të ndodhte në një parking publik, por për shkak se ishte i shoqëruar me fëmijët, dy vrasësit nuk e kishin kryer atë. Pas dorëzimit të 24-vjeçarit në Policinë e Tropojës, ai është sjellë në Tiranë, ku është marrë dëshmia e tij. Më tej, është dërguar edhe në Kosovë, konkretisht në qytetin e Gjakovës, ku ka treguar për hetuesit vendet e qëndrimit, takimet, bizneset e porositësit dhe pseudonimin e tij, pasi nuk ia kishte treguar emrin.
Denoncimi i Kusarit
Në fillim të tetorit të këtij viti, Mimoza Kusari-Lila, ka shokuar në emisionin e RTK-së, në Kosovë, teksa ka shpjeguar disa prej informacioneve që përmban dosja e një atentati të mundshëm kundër saj. Në studio, gruaja e parë e Gjakovës ka thënë se hetuesit e çështjes kanë fiksuar faktin se personat që kishin vendosur të paguanin për vrasjen e saj janë shtetas të Kosovës, ndërsa informacionin për ekzekutimin e paguar e kanë marrë nga Policia e Shtetit Shqiptar. Në emision, Kusari tha: “Ishte ditë e diel, ditë e bukur dhe me plot diell. Kisha planifikuar ditën time me takime dhe marshime ndërsa pasdite kishim vendosur të kryenin një marshim në Mitrovicë në nder të specialit të vrarë mes dy kufijve, kur në telefon më thërret Shpend Maxhuni, drejtori i Policisë së Kosovës. Më thotë se nuk duhet të shqetësohesha, por ishin disa informata se unë mund të isha objekt i mundshëm i një sulmi. Më tha të mos shqetësohesha se për gjithçka do të merreshin masat. Ishte 26 korrik. U shqetësova dhe sigurisht edhe pata frikë, por për fat, familjen e kisha në shtëpi. Pastaj ka ardhur dikush i hetuesisë a ndoshta një i dërguar i policisë dhe më ka informuar për disa të dhëna që më kanë tronditur. Më thanë se personin që ishte paguar për të vrarë e njihte Policia e Shqipërisë, pasi ai ishte dorëzuar aty”.