Bota

Trump dhe Putin u takuan dy herë në Hamburg; takimi i dytë nuk u njoftua nga Shtëpia e Bardhë

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë konfirmuan të martën mbrëma se në samitin e G20-s këtë muaj në Gjermani, Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin patën një takim të dytë, që nuk u bë publik për mediat.

Të dy presidentët u takuan ballë për ballë për herë të parë në Hamburg më 7 korrik, për më shumë se dy orë bisedime që u mbuluan gjerësisht nga mediat.

Por tani del se zoti Trump dhe zoti Putin kanë patur një bisedë të dytë gjatë një darke po atë mbrëmje, të shtruar për krerët e shteteve nga Grupi i 20-s.

Presidenti Trump komentoi pa vonesë në Twitter për të hedhur poshtë njoftimet e medias: “Lajmi i rremë për darkën sekrete me Putinin është ‘i neveritshëm”.

Ende nuk është njoftuar se përse u diskutua në këtë bisedë, e cila zgjati afërsisht një orë, sipas Ian Bremmer, president për konsulencën e rrezikut politik pranë “Eurasia Group”.

‘Thjesht një bisedë e shkurtër’

Shtëpia e Bardhë ofroi një variant mjaft të ndryshëm. Zyrtarë që nuk pranuan të identifikohen, thanë: “Nuk pati takim të dytë midis Presidentit Trump dhe Presidentit Putin; ishte thjesht një bisedë e shkurtër në fund të një darke”.

Zoti Bremmer e njoftoi për herë të parë takimin Trump-Putin të martën në një buletin lajmesh dërguar klientëve të tij. Ai u tha rrjeteve televizive amerikane se kishte mësuar për bisedën Trump-Putin nga ata që kishin marrë pjesë në darkën zyrtare, ku media nuk ishte lejuar.

Me dy presidentët ishte vetëm përkthyesi i zotit Putin. Të ftuarit e tjerë ishin ulur në afërsi të tyre, por tryezat e mëdha dhe mënyra se si ishin ulur të pranishmit bënë të mundur që biseda të mos dëgjohej nga askush.

U.S. President Donald Trump visits with Argentina's president's wife Juliana Awada, from left, at the G20 summit dinner after a concert in Hamburg, Germany, July 7, 2017.

U.S. President Donald Trump visits with Argentina’s president’s wife Juliana Awada, from left, at the G20 summit dinner after a concert in Hamburg, Germany, July 7, 2017.

Asnjë përkthyes amerikan i pranishëm

Fakti që përkthyesi i zotit Trump nuk ishte i pranishëm në bisedë shkaktoi habi mes udhëheqësve të tjerë në darkë, sipas zotit Bremmer, i cili e quan këtë një “shkelje të protokollit të sigurisë kombëtare.” Shtëpia e Bardhë tha megjithatë se në darkë u lejua vetëm nga një përkthyes për delegacion dhe se zoti Trump kishte me vete një përkthyes që fliste japonisht, por jo rusisht.

Zoti Bremmer tha për gazetën Washington Post se krerët e tjerë që u bënë dëshmitarë të takimit mbetën të habitur, sepse biseda u zhvillua në sy të të gjithëve, por në një distancë nga e cila askush nuk mund të dëgjonte se për çfarë po flitej.

“Thuajse të gjithë pjesmarrësisht në darkë menduan se kjo ishte diçka shumë e çuditshme”, tha zoti Bremmer për gazetën New York Times. “... Ja ku është presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili në mënyrë të qartë dëshiron të tregojë se ka një marrëdhënie më të mirë personale me Presidentin Putin sesa me ndonjërin prej nesh, ose thjesht ai nuk do t’ia dijë. Kjo i habiti dhe hutoi të gjithë.”

Russia's President Vladimir Putin talks to Melania Trump during the official dinner at the Elbphilharmonie Concert Hall during the G20 summit in Hamburg, Germany, July 7, 2017.

Russia’s President Vladimir Putin talks to Melania Trump during the official dinner at the Elbphilharmonie Concert Hall during the G20 summit in Hamburg, Germany, July 7, 2017.

Asnjë dokumentim zyrtar i bisedës

Lidhur me bisedën e dytë Trump-Putin, mediat vunë në dukje se qeveria amerikane nuk mbajti asnjë dokumentacion zyrtar të takimit Trump-Putin, pasi asnjë zyrtar tjetër amerikan nuk e shoqëroi zotin Trump për bisedën, sado e shkurtër apo e gjatë ishte ajo.

Rrjetet amerikane të lajmeve e mbuluan takimin Trump-Putin si lajm urgjent, duke bërë që komentatorët të vinin në dukje se momenti në të cilin u bë e ditur biseda nuk ishte aspak i favorshëm për administratën.

Javën e kaluar, gjithçka u dominuan nga mbulimi prej medias i një takimi në qershor 2016 midis djalit të madh të presidentit, Donald Trump Jr, dhe një numri rusësh duke përfshirë një avokate të lidhur me Kremlinin; një ish-agjent sovjetik; një përkthyes i hetuar më parë për pastrim parash si dhe një përkthyes i dytë rus.

Trump Jr u përpoq ta minimizonte takimin në Nju Jork si një bisedë rutinë, të shkurtër dhe pa rëndësi, por më vonë, kur nga media u mësuan hollësi të tjera dhe prania e njerëzve që merrnin pjesë, ai u detyrua ta ndryshonte versionin e tij disa herë.

Shtëpia e Bardhë përgjigjet ngadalë

Presidenti ka vazhduar të mohojë ndonjë bashkëpunim me Rusinë dhe këmbëngul se SHBA do të përfitonin nëse ai do të arrinte të ndërtonte një miqësi personale me udhëheqësin rus.

Të martën mbrëma zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë reaguan me vonesë në përgjigje të pyetjeve të mediave për takimin e dytë Trump-Putin në Hamburg.

Zyrtarët thanë më vonë se çdo nocion se administrata po përpiqej ta fshihte takimin e dytë ishte “i rremë, keqdashës dhe absurd”.

Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën mbrëma se Presidenti Trump ka vendosur të emërojë ish guvernatorin e shtetit Utah dhe ambasadorin e SHBA në Kinë Jon Huntsman si ambasador të ardhshëm të SHBA në Moskë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button