Bota

Trump mohon të ketë thënë se nuk dëshiron emigrantë nga ‘vende të pista’

Vazhdojnë reagimet lidhur me gjuhën e përdorur nga Presidenti Donald Trump dje gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë për imigracionin, ku, sipas njoftimeve ai iu referua Haitit dhe vendeve afrikane me një fjalë të papërshtatshme.

Trump i habiti ligjvënësit të enjten gjatë takimit me ligjvënësit për imigracionin, kur iu referua Haitit dhe vendeve afrikane me një fjalë të papërshtatshme.

“Pse i pranojmë gjithë këta njerëz nga vende (…) të vijnë këtu”, pyeti presidenti, sipas një njoftimi që u raportua për herë të parë nga gazeta Washington Post dhe u konfirmua nga televizioni CNN. Fjala e përdorur prej tij mund të përkthehet afërsisht si “të pista dhe të varfra”.

Trump tha se Shtetet e Bashkuara duhet të lejojnë më shumë njerëz nga vende të tilla si Norvegjia, kryeministrja e së cilës u takua me të në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën.

Por sot, në një koment në Twitter, Presidenti mohoi të kishte përdorur fjalët të cilave po i refererohen mediat:

“Gjuha e përdorur prej meje në takimin për DACA’n ishte e ashpër, por jo ajo që thuhet. Në fakt, i ashpër ishte propozimi i çuditshëm i bërë në mbledhje, që ishte një hap i madh prapa për DACA’n”, shkruante Trump.

Presidenti iu referua programit, që mbron nga deportimi rreth 800 mijë emigrantë të rinj, të sjellë në SHBA ilegalisht nga prindërit e tyre kur ishin fëmijë.

Sipas njoftimeve, Presidenti Trump i bëri komentet kur senatori Dick Durbin, demokrat nga shteti Ilinoi, po shpjegonte kuadrin e një marrëveshjeje të arritur nga gjashtë senatorë të të dyja partive, e cila që synon mbrojtjen nga deportimi të këtyre emigrantëve të rinj, si dhe forcimin e sigurisë së kufirit.

Presidenti reagoi sot në Twitter duke thënë se ai iu referua vendeve me rezultate të këqija dhe se ai kërkon një sistem imigracioni të bazuar mbi meritën, për të sjellë njerëz që e çojnë përpara Amerikën.

“Dua siguri për njerëzit tanë, dua të ndalet vërshimi masiv i drogave, dua financimin e ushtrisë, jo si demokratët që kërkojnë t’ia heqin fondet”, shkruante Presidenti Trump.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button