Trump nominon Kristi Mekormik për ambasadore të re të SHBA-së në Maqedoninë e Veriut
Juristja dhe ekspertja e legjislacionit zgjedhor, ish-anëtare e Komisionit amerikan për Ndihmë në Zgjedhje, pret tani konfirmimin e Senatit amerikan.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e nominoi Kristi Mekormik për ambasadore të re të Shteteve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, siç njofton Fokus, duke iu referuar njoftimit të Shtëpisë së Bardhë.
Nominimi u publikua më 9 nëntor 2026 dhe për emërimin e saj duhet të vendosë Senati amerikan.
Mekormik është juriste dhe eksperte e legjislacionit zgjedhor. Në karrierën e saj ka punuar edhe në ambasadën amerikane në Irak.
Ajo ka qenë anëtare e Komisionit amerikan për Ndihmë në Zgjedhje (Election Assistance Commission – EAC) nga dhjetori 2014 deri në korrik 2026. EAC është institucion i pavarur federal që mbështet administratat zgjedhore dhe punon për standardet e sistemeve të votimit dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Gjatë mandatit ajo e ka kryesuar Komisionin disa herë dhe ka marrë pjesë në aktivitete për sigurinë zgjedhore, aksesin në votim dhe përmirësimin e administratës zgjedhore.
Më herët ka punuar në Departamentin amerikan të Drejtësisë, në Departamentin për të Drejtat Civile, me zbatimin e ligjeve federale zgjedhore dhe raste të diskriminimit në votim. Ndërmjet viteve 2009 dhe 2010 ka qenë e angazhuar në ambasadën amerikane në Bagdad, si këshilltare e lartë juridike dhe ushtruese e detyrës së zëvendëskoordinatores për sundimin e ligjit, ku ka punuar edhe për proceset zgjedhore në Irak.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.