Trumpi do të flasë fillimisht me kancelaren Merkel se sa me zotin Junker?
Politika në Berlin nuk e ka të qartë se në cilin drejtim do të shkojë administrata amerikane nën drejtimin e Trumpit. Por nuk do të jetë si tani.
Komisioni parlamentar i Mbrojtjes do fillimisht të analizojë gjendjen. Edhe komisionet e tjera do të bëjnë të njëjtën gjë. Por një pasojë është e qartë që tani: pas fitores së Trumpit populizimi në Evropë do të shtohet dhe forcohet.
Mesazh i qartë nga kancelarja
Kancelarja doli para kamerave me një deklaratë ku e uroi Trumpin për fitoren dhe i zgjati verbalisht dorën për bashkëpunim. Por ajo formuloi njëkohësisht edhe kushtet e bahkëpunimit që sipas kancelares lidhen me themelet e demokracisë: liria, respektimi i të drejtave të njeriut pavarësisht nga feja, ngjyra, qëndrimi politik apo preferencat seksuale.
Parlamentarët nuk e dinë nëse Merkeli do të bëhet edhe një herë kancelare dhe që në një rast të tillë do t’i duhet të komunikojë me Trumpin. Shumë mendojnë se meqë Merkeli është një figurë e rëndësishme ndërkombëtare dhe gëzon si e vetme nga BE-ja respektin e Putinit, Trumpi do të flasë fillimisht me kancelaren Merkel se sa me zotin Junker.
Edhe koordinatori i qeverisë gjermane për marrëdhëniet transatlantike Jürgen Hard mendon se Trumpi e meriton t’i shtrihet dora, sepse në radhë e republikanëve ka shumë me të cilët Gjermania bashkëpunon mirë, si zëdhënësi i republikanëve Paul Ryan, që si thotë vetë “është njohës dhe mik i Gjermanisë”.
Shqetësim për politikën e jashtme
“Çfarë do të ndodhë nëse Trumpi i bën deklaratat e deritanishme pjesë të politikës së tij të jashtme” pyet i shqetësuar eksperti i SPD-së për politikën e jashtme Nils Annen? Kurse politikani i të Gjelbërve Jürgen Trittin tha se marrëdhëniet transatlantike gjenden para një faze të vështirë paqartësie.”
Kurse Hans-Peter Uhl nga partia CSU tha se pas zgjedhjes ai nuk e di se duhet të sillet bota ndaj kësaj forme të re të nacionalizimit. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se shpreson se nuk do të ketë ndryshime rrënjësore në politikën ndërkombëtare.