Turistët e kroçerës “Thomson Majesty”, vizita në Durrës, Tiranë, Krujë e Berat
Në portin e Durrësit mbërriti sot rreth orës 7.15 kroçera “Thomson Majesty”, me 1568 turistë nga 14 vende të botës në bord. Ajo lundroi nga Dubrovniku (Kroaci) drejt Durrësit, ndërsa në mbrëmje do të vazhdojë drejt Korfuzit (Greqi).
Menjëherë pas zbritjes në portin më të madh të vendit rreth 400 turistë të huaj u nisën me autobuzë drejt qyteteve të Tiranës, Krujës dhe Beratit, në ture të shkurtëra historike, arkeologjike dhe kulturore, ndërsa pjesa më e madhe kanë preferuar të vizitojnë Durrësin dhe rrethinat e tij.
Nga burimet e Autoritetit Portual Durres mësohet kroçera ka sjellë 1568 turistë nga 14 vende të ndryshme të botës. Pjesa më e madhe e tyre, 1488 vetë, janë anglezë, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga Irlanda (48), Spanja , Qipro, Kina, Italia, Kroacia, Greqia, Portugalia, Malajzia, Finlanda, Brazili, Zelanda e Re dhe Franca.
Kroçera është pjesë e një turi 2-javor, që ka ndaluar në disa porte të Adriatikut dhe Jonit. Ajo ka nisur lundrimin më 12 korrik nga Mykonos (Greqi), për të vijuar në Kusada (Turqi), Pire, Chania, Kalamata, Korfuz, (Greqi), Ravena, Venecia(Itali), Rijeka, Dubrovnik (Kroaci), e në fund Durrës (Shqipëri) dhe Korfuz (Greqi). 8 javë më parë ajo mbërriti për herë të parë në Durrës dhe solli 1518 turistë të huaj. Deri në fund të këtij sezoni turistik në Durrës priten 11 anije turistike me afro 10 mijë turistë gjithsej.