Turizmi me çmime të lira, ekspertët: Rrezikon të ulë të ardhurat e bizneseve në Durrës
Durrësi vijon të promovohet si një destinacion turistik me çmime të përballueshme. Por përtej numrit të vizitorëve, debati lidhet me atë se sa të ardhura gjenerohen për bizneset lokale dhe sa hapësirë krijohet për përmirësimin e shërbimeve.
Ekspertët e shohin me rezerva strategjinë e promovimit të Durrësit kryesisht si një destinacion të lirë. Sipas ekonomistes Edlira Jakova, çmimet e ulëta ndikojnë në të gjithë zinxhirin ekonomik të turizmit, duke kufizuar të ardhurat e bizneseve dhe mundësinë për të investuar në cilësinë e shërbimit.
“Durrësi po reklamohet si një vend i bukur, por nuk duhet të krenohemi që Durrësi është një qytet i lirë, sepse çmimet e lira janë të lidhura zinxhir me të gjitha gjërat e tjera. Strukturat akomoduese nuk kanë mundësi të kenë të ardhura më të larta dhe të rekrutojnë punonjës më profesionistë. Preken të gjitha subjektet, si restorantet, supermarketet”, është shprehur ekonomistja.
Një tjetër problem, sipas saj, është modeli “all inclusive”, ku pjesa më e madhe e shpenzimeve të turistit kryhet brenda strukturës akomoduese. Kjo, sipas ekspertes, mund të kufizojë konsumin në bizneset e tjera të qytetit.
“Turisti i lirë fokusohet në paketën all inclusive që e paguan te hoteli dhe kur del në qytet ka një konsum minimal. Automatikisht duhet të ketë një bashkëpunim mes strukturave akomoduese”, ka thënë më tej ajo.
Nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, rënia e konsumit nuk konsiderohet e ndjeshme. Kryetari Nerital Golja thotë se faktorë të tjerë mund të kenë ndikuar në ecurinë e këtij sezoni, ndërsa bizneset duhet të fokusohen te menaxhimi dhe cilësia e shërbimit.
“Nuk mendoj që ka qenë një rënie e konsumit e konsiderueshme, ka një rënie minimale, por dëgjoj që një nga arsyet kryesore që ka pasur rënie këtë sezon ka qenë protesta. Por nuk përjashtojmë faktin se në vendet europiane ka protesta kudo. Unë do t’i referoja bizneset që të referohen te mënyra e menaxhimit, te cilësia. Kjo mbetet për një analizë në sezonin e dimrit dhe në kohën që afron sezoni, të jemi të përgatitur”, është shprehur ai.
Në këtë panoramë, debati për turizmin në Durrës nuk lidhet vetëm me numrin e turistëve, por edhe me konsumin që ata kryejnë jashtë strukturave ku akomodohen dhe përfitimet që marrin bizneset lokale.
Sfida për qytetin mbetet gjetja e një balance mes çmimeve konkurruese dhe cilësisë së shërbimit, në mënyrë që turizmi të gjenerojë më shumë të ardhura për të gjithë zinxhirin e ekonomisë lokale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.