Turizmi shqiptar prezantohet në Panairin e Vjenës “Ferien Messe 2016”
Shqipëria mori pjesë për të dytin vit rradhazi në Panarin Ndërkombëtar të Turizmit në Vjenë “Ferien Messe 2016”.
Gjatë 4 ditëve Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe subjekte private ndër më të mëdhatë të vendit paraqiten vlerat turistike, që Shqipëria ofron për vizitorët e huaj.
Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, i cili zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të ndryshëm të kompanive dhe tur opertoreve austriak duke i shprehur mundësitë e panumërta që Shqipëria rezervon në aspektin turistik.
Që në ditën e parë u organizuan një seri aktivitetesh promovuese, ku spikatën prezantimi i Shqipërisë përballë një audience të gjerë nën drejtimin e gazetarit të famshëm austriak Peter Agathakis, si një destiancion që duhet vizituar.
Gjithashtu u bë promovimi i dokumentarit mbi Shqipërinë i realizuar nga televizioni publik austriak ORF në muajin shtator të vitit të kaluar dhe hedhja e disa shorteve ku për pjesëmarresit u dhuruan suvenire dhe vera shqiptare.
Prezantimi i sivjetshëm ishte kombinuar me konkurse të improvizuar mbi njohuritë për vendin tonë, si dhe mundësinë për të shikuar bukuritë e Shqipërisë në teknollogjinë 3D. Numrit të lartë të vizitorëve në stendën tonë, ju shtua edhe prezenca e medias austriake e cila tregoi interes të veçantë për t`u njohur me Shqipërinë.
Një axhendë të ngjeshur pati gjithashtu edhe Drejtori i Përgjithshëm i AKT-së, Ardit Çollaku, ku u takua me homologë të vendeve të ndryshme, tur opertorë të interesuar të përfshijnë Shqipërinë në paketat e tyre turistike si dhe me kompaninë ajrore Austrian Airlines.
Me këtë të fundit u ra dakort që Shqipëria turistike të marrë më tepër vëmendje dhe të promovohet intensivisht në hapësirën e marketingut që gjigandi austriak i fluturimeve disponon. Panairi qëndroi i hapur nga data 14-17 Janar.
Gjithashtu edhe Ambasada e Shqipërisë në Vjenë mori pjesë në promovimin e Shqipërisë. Vizitorët e shumtë dhe pjesmarrësit në konkurse i përshëndeti edhe Ambasadori Roland Bimo.