Turqi, kapet grupi prej 11 ushtarësh që do të “rrëmbenin” Erdoganin
Një grup ushtarësh, të cilët dyshohen se do të përpiqeshin të arrestonin presidentin gjatë tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi, gjatë dy javëve më parë, janë kapur pranë Marmarasë. Recep Tayyip Erdogan ishte me pushime në resortin jugperëndimor të vendit gjatë asaj nate, por mundi të largohej vetëm pak përpara se hoteli ku qëndronte ai të mësyhej nga ata pak ushtarë.
Sipas raportimeve të fundit nga Turqia, forcat speciale të vendit arritën t’i gjurmonin ata dhe t’i arrestonin në një zonë të pyllëzuar. Që prej asaj përpjekjeje të dështuar për grusht shteti, Erdogani ka nisur një fushatë spastrimi të atyre që dyshohen të jenë të lidhur me atë natë paniku e terrori në Turqi.
Me dhjetëra mijëra njerëz janë arrestuar, shkarkuar apo pezulluar nga pozicionet e tyre në ushtri, drejtësi, shërbimet civile apo arsim. Autoritetet turke akuzojnë klerikun mysliman që jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, ai trurin organizator të përpjekjes për grusht shteti, diçka që në fakt vet predikuesi e ka mohuar kategorikisht.
Ushtarët rebelë ishin pikasur nga fshatarë të zonës që kishin dalë për gjueti derrash në zonën e pyllëzuar të Marmarasë. Të shtëna me armë zjarri janë raportuar gjatë operacionit të ndalimit të tyre, por asnjë viktimë nuk raportohet të jetë shënuar. Mes 11 ushtarëve të arrestuar përgjatë natës mes të dielës dhe të hënës ishte edhe majori Sukru Seymen, komandanti i dyshuar i grupit sipas agjencisë së lajmeve “Anadolu”.
Më shumë se 20 anëtarë të tjerë të kësaj skuadre ushtarake të dyshuar për përfshirje janë tashmë në paraburgim, në pritje të seancave gjyqësore ndaj tyre, sipas raportimeve mediatike.
Përgjatë asaj tentative për grusht shteti më 15 korrik, Erdogan foli drejtpërdrejt me një televizion privat përmes telefonit të tij. Ai tha se i kishte shpëtuar për mrekulli një përpjekjeje për arrestimin e tij, apo pengmarrje që mund të përfundonte edhe me rrezikim të jetës së tij.
Të dielën, të paktën 35 mijë njerëz u mblodhën në një miting në Gjermani, në mbështetje të presidentit turk, sipas asaj që bëjnë të ditur mediat gjermane. Vendimi i Berlinit zyrtar për të mos lejuar Recep Tayyip Erdoganin t’i adresohej turmës së mbledhur në Këln përmes një videokonference është kritikuar edhe nga vet Ankaraja zyrtare.
Por, autoritetet gjermane thanë se mesazhe të tilla mund të shtojnë edhe më tej tensionet politike mes afro 3 milionë turqve etnikë që jetojnë në Gjermani. Ndërkohë, të premten e javës që lamë pas, ministri turk i Brendshëm tha se mbi 18 mijë njerëz janë burgosur për grushtin e dështuar të shtetit, prej të cilëve 9.000 janë arrestuar formalisht, ndërsa rreth 50 mijë shtetasve turq iu janë bërë të pavlefshme pasaportat e tyre, siç tha Efkan ala për televizionin shtetëror turk.