Turqia në terr, pa energji 30 nga 81 provinca. Dyshohet për sulm kibernetik
Një ndërprerje masive e energjisë elektrike ka prekur qytetet kryesore të Turqisë, përfshirë Stambollin, duke cënuar përpos familjeve e bizneseve, edhe centralet elektrike dhe transportin publik.
Një problem i lidhjeve me Europën, mund të jetë sipas zyrtarëve shkaku i situatës paralizuese, por qeveria nuk përjashton asnjë mundësi, duke mos lënë jashtë vëmendjes edhe pistën e terrorizmit.
“Po hetohen të gjitha mundësitë. Ishte gabim operativ, gabim njerëzor apo sulm kibernetik, nuk e dimë, këtë do ta shohim”, tha Ahmet Davutoglu, kryeministër i Turqisë.
Sipas faqes së internetit “Flightradar24”, gjurmues i fluturimeve në kohë reale, pasojat e ndërprerjes së energjisë elektrike po i vuajnë 11 nga 16 kullat e trafikut ajror të Stambollit dhe disa avionëve u është kërkuar të devijojnë kursin.
Sipas CNN-it turk, “black out”-i ka prekur 30 provinca, nga 81 provinca që ka gjithsej Turqia. Një qendër emergjencash për situatat e krizës është ngritur në Ministrinë vendase të Energjisë.
“Detyra jonë kryesore tani, është të rikthejmë rrjetin në gjendjen e mëparshme”, deklaroi kreu i kësaj ministrie, Taner Yildiz. “Ky nuk është një incident, që e shohim përditë”, shtoi ai.
Ndërprerjet sporadike të energjisë nuk janë diçka e pazakontë për Turqinë, por shumë nga vendasit nuk mbajnë mend të ketë ndodhur herë tjetër një “black out” i tillë mbarëkombëtar. Njëri prej qyteteve, që nuk janë prekur nga ky ngërç është ai i Vanit, në lindje të Turqisë, i cili furnizohet me energji elektrike nga Irani.