Rajoni

Turqishtja bëhet gjuhë zyrtare në Komunën e Kërçovës

Në komunën e qytetit perëndimor të Maqedonisë, Kërçovës, turqishtja shpallet gjuha e tretë zyrtare. Kryetari i Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, për gazetarin e AA-së dha deklarata në lidhje me nismën e shpalljes së turqishtes gjuhë zyrtare, procesin e shpalljes dhe reagimet rezultuese nga kjo nismë. Duke theksuar se Kërçova është qytet multietnik në të cilin jetojnë shqiptarë, maqedonas, turq, romë dhe kombësi të tjera, Dehari tha se “Që nga dita kur u zgjodha kryetar i komunës, njëri nga parimet për të cilin jam treguar më i kujdesshëm ka qenë të kem trajtim të njëjtë për tërë banorët e Kërçovës”.

Dehari theksoi se drejtësia, që është një nga parimet më të rëndësishme dhe më të vlefshme brenda shoqërisë, është e mundur vetëm atëherë kur të gjitha kombësitë do të mund të jetojnë në harmoni brenda shoqërisë.

Ai gjithashtu vuri në pah se detyrë prioritare e tij është që të sigurojë që çdo qytetar të ndihet i barabartë, duke shtuar se “Shërbimet që i ofron komuna si institucion duhet të bëhen në mënyrë të njëjtë, me parimin e barazisë. Duke qenë kështu, unë e kam përkushtuar veten për kryerjen e detyrës time në këtë mënyrë”.

Sipas tij, në botë janë zhvilluar luftëra në mënyrë që të fitohen të drejtat themelore të njeriut siç janë liria e shprehjes dhe mundësia për të folur në gjuhën amtare, mungesën e të cilave Dehari e cilësoi si “të papranueshme në asnjë mënyrë”.

“Në këtë drejtim, unë dhe këshilli komunal kemi zhvilluar bisedime të shumta me qytetarët dhe në fund e kemi marrë këtë vendim”, u shpreh ai.

Dehari më tej potencoi se në një takim të realizuar në Komunën Bajrampasha të Stambollit ka shpjeguar se ai jep përpjekje për të drejtat njerëzore dhe që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, institucioneve dhe shtetit.

“Duke u nisur me këtë parim, duke u thirrur në ligjet për pushtetin lokal i cili jep një të drejtë të tillë dhe duke marrë mbështetje nga këshilltarët e administratës së komunës, në institucionin të cilin e udhëheqi, pra Komunën e Kërçovës, turqishten e shpallëm gjuhë zyrtare”, deklaroi Dehari, duke bërë të ditur se komuniteti turk në Kërçovë ka paraqitur një dëshirë dhe kërkesë të tillë.

Duke njoftuar se përpiqet t’i përgjigjet çdo kërkese individuale dhe kolektive në mënyrën më pozitive dhe më të mirë, Dehari tërhoqi vëmendjen se nuk ka nevojë të instrumentalizohen partitë politike për kërkesat e tyre. Për më tepër, Dehari bëri të ditur se ky vendim është pritur pozitivisht nga komuna dhe se kërçovarët kanë shfaqur kënaqësi të madhe dhe tha se “Shpresojmë që ky hap të cilin e kemi hedhur nga Kërçova të reflektohet te masat më të gjera”.

Sipas Deharit, liria e të folurit në gjuhën amtare është e drejtë themelore njerëzore, ndërsa qytetarët nuk duhet privuar nga kjo e drejtë. “Kur bëj vetëllogaritje, mendoj gjendjen se si do të ishte sikur mua personalisht të më merrej kjo e drejtë dhe rrjedhimisht veproj në bazë të kësaj”, shtoi Dehari. Në fund të fjalës së tij, kryetari i Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari e falënderoi qeverinë turke për mbështetjen e dhënë dhe uroi që investimet dhe këto mbështetje të rriten edhe më shumë. Më 27 qershor të këtij viti, pas gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase, Komuna e Kërçovës gjuhën turke e shpalli gjuhë të tretë zyrtare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button