Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Ohër
Perspektiva evropiane, reformat dhe bashkëpunimi rajonal janë në fokus të Samitit të Liderëve të Procesit Brdo-Brijuni që zhvillohet sot në Ohër, i organizuar nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, me bashkëorganizatorë presidenten sllovene Natasa Pirc Musar dhe presidentin kroat Zoran Milanoviç.
Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, zbatimi i reformave të nevojshme dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal e i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë janë në fokus të Samitit të Liderëve të Procesit Brdo-Brijuni, që zhvillohet sot në Ohër, siç njofton Alsat.
Samiti është organizuar nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa bashkëorganizatorë janë presidentja sllovene Natasa Pirc Musar dhe presidenti kroat Zoran Milanoviç. Në të marrin pjesë edhe presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës, Bajram Begaj dhe Justina Shiroka-Pula, presidenti në detyrë i Serbisë Aleksandar Çupiç, presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviç, si dhe kryetarja dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Željka Cvijanoviç, Denis Beqiroviç dhe Darijana Filipoviç.
Përveç integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal, udhëheqësit do të diskutojnë edhe sfidat aktuale evropiane dhe rajonale, lidhshmërinë, çështjet mjedisore dhe krijimin e mundësive më të mira të punësimit për të rinjtë. Takimi është planifikuar të fillojë në orën 11:00, ndërsa konferenca e përbashkët për shtyp e Siljanovska-Davkovës, Pirc Musar dhe Milanoviçit është planifikuar për në orën 14:30.
Procesi Brdo-Brijuni është një iniciativë rajonale e themeluar në vitin 2013, me qëllim nxitjen e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe kontributin në stabilitetin e rajonit. Samiti i fundit u mbajt tetorin e vitit të kaluar në Shqipëri; samiti i këtij viti fillimisht ishte planifikuar për në maj në Brijuni, por u anulua nga presidenti Milanoviç për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Zagrebit.
Siç njofton Alsat, tubimi në Ohër po mbahet nën masa të përforcuara sigurie dhe një regjim të veçantë trafiku në të gjithë qytetin dhe rrethinat e tij, me vëmendje të veçantë për bulevardin “Turistik”, pjesën e autostradës Ohër-Kërçovë, zonën qendrore të Strugës dhe rrugën rajonale Strugë-Dibër, ku nuk lejohet ndalimi dhe parkimi i automjeteve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.