Udhëtim në Shqipërinë misterioze
Shqipëria, në qendër të filmave dokumentarë, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhjetëra kineastë francezë, austriakë, italianë apo serbë sjellin imazhe të vendit në një kohë të trazuar…Studiuesi Abaz Hoxha i ka hulumtuar këto kronika
Regjisorë apo gazetarë francezë, gjermanë, italianë, apo serbë kanë përdorur territoret shqiptare për të ndërtuar filma dokumentarë mbi Luftën e Dytë Botërore. Studiuesi i kinemasë Abaz Hoxha ka hulumtuar prej vitesh gjithçka të shkruar mbi kinematografinë shqiptare në kohë, për të bërë një analizë se ku ndodhen gjurmët që ndërtojnë një imazh tjetër të vendit para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhjetëra dokumentarë që ruhen në arkivat e huaja tregojnë dhe ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri. Sipas Hoxhës, mbërritjes së Princ Vidit në Durrës dhe kurorëzimit të tij si princ i Shqipërisë shoqëria kinematografike austriake “Sascha Filmfabrik” i kushtoi filmin e titulluar “Mbërritja e udhëheqësit të Shqipërisë në Durrës”. Filmi paraqet ardhjen e Vidit me një anije luftarake dhe ceremoninë e pritjes së tij nga ana e autoriteteve të vendit me në krye Esat Pashë Toptanin, në verandën e një vapori civil. E njëjta shoqëri austriake xhiroi në fillim të vitit 1914 filmin “Shqipëria dhe njerëzit në Shqipëri”. Ky film është xhiruar në Tiranë në muajt mars-gusht 1914. Filmi fillon me një plan të mesëm që tregon Esat Toptanin veshur gjeneral të shoqëruar nga disa persona të tjerë. Pas kësaj në shtëpinë e Toptanasve, pamje të Tiranës në zonën e ish kinema “Partizanit”, Ura e Tabakëve, xhamia e Haxhi Ethem Beut, tregu fshatar, i cili u prish gjatë luftimeve për çlirimin e Tiranës. Shoqëria tjetër kinematografike austriake “Wienner Autorenfilm” më 10 prill 1914 xhiroi filmin “Durrësi kryeqendra e re e Shqipërisë”. Në këtë film, paraqitet pazari i Durrësit, porti në sfond, qerre të ngarkuara që shkojnë drejt qytetit, rrugë qyteti me kuaj e gomarë që janë të ngarkuar me dru, shtëpi të vjetra, njerëz të veshur keq, mjedise të varfra. Rreth një të huaji janë grumbulluar shumë fëmijë, dhe ai sikur tallet me varfërinë e tyre, duke i hedhur lëmosha, e fëmijët rreken t’i marrin. Më tej jepen çingi duke i rënë dajreve, duke kënduar e kërcyer. Burra që rrinë ulur e dredhin cigare, fshatarë që pozojnë para aparatit, pazari i druve, qerre me buaj etj. Një kopje e këtij filmi ndodhet në Arkivin Qendror të Filmit. Sipas studiuesit Hoxha ka të dhëna të tjera që vërtetojnë se gjatë Luftës së Parë Botërore kineastët austriakë, italianë e francezë kanë xhiruar në Shqipëri, jo vetëm aspekte nga frontet e luftës, por edhe pamje e panorama, jetën qytetare e fshatare, pazaret, si dhe objekte të tjera kulturore e arkeologjike. Në një nga njoftimet e shtypit të vitit 1935 flitet për shfaqjen në Tiranë të filmit francez “rrebeshi i përbotshëm”, i cili është një film dokumentar që pasqyron ngjarje nga Lufta e Parë Botërore, e ndër to dhe bombardimin e Durrësit, xhiruar në dhjetor të vitit 1918. Po kështu ka dëshmi të ndryshme se shoqëri kinematografike austriake kanë xhiruar në film objekte arkeologjike të zbuluara në Shqipëri e ndoshta dhe zbulimin e mozaikut “Bukuroshja e Durrësit”. Maria Adriana Prolo në librin e saj “Historia e kinemasë italiane” në faqen 84-t dëshmon për xhirimin e disa filmave kronikalë dokumentarë gjatë Luftës së Parë Botërore. Një nga këta filma është ai me titull “Nga tërheqja prej Shqipërie deri në përforcimet e Maqedonisë” xhiruar nga zyra e posaçme e reportazheve kinematografike të Regjisë së Marinës. Në libër ndër të tjera thuhet: “Dokumentarë të tjerë u xhiruan nga Karlo Montuori e Xhaokino Xhengarelli etj. Këta me Arnaldo Frankarolin shkuan në Shqipëri”. Kjo vërteton se këta kineastë kanë xhiruar edhe në Shqipëri filma ose kronika të tjerë. Studiuesi italian Vitorio Martinelli në librin e tij mbi kinemanë italiane, shkruan se shoqëria “Savoia film” e Torinos, ka xhiruar më 27.03.1914 një film për Durrësin, ndërsa gjatë Luftës së Parë Botërore është xhiruar regjia e marinës italiane në janar 1917, filmi “Nga Adriatiku në Egje-Zbarkimi i trupave italiane në Shqipëri” dhe në maj të po atij viti “Kolosët e detit dhe banorët në Shqipëri”. Në të njëjtin libër përmendet edhe xhirimi i filmit “Shqipëria u çlirua” në gusht të vitit 1918, për të cilin autori thotë se mund të jetë xhiruar nga italianët ose shoqëri të huaja. Sipas Hoxhës, burime të tjera bëjnë të ditur se në territoret tona kanë xhiruar edhe kineastët jugosllavë. Gazetari dhe regjisori Stansllav Krakovi ka xhiruar një film në vitin 1928, mbështetur në kronikat e viteve 1914-1918. Në këtë film përfshihen edhe xhirimet që janë bërë në Shqipëri në vitin 1915. Filmi titullohet “Kalimi i ushtrisë serbe nëpër Shqipëri”, 1915. Siç duket në këtë film janë përfshirë ngjarje nga pushtimi i Shqipërisë së Mesme prej ushtrisë serbe në vitin 1915. Trupat serbe arritën deri në Durrës dhe shpëtuan mikun e tyre, Esat Toptanin, që ishte i rrethuar nga forcat e kryengritjes fshatare të Haxhi Qamilit. Duke përfituar nga situatat e turbullta ata pushtuan Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut dhe donin ta fusnin tërë këtë territor në kuadrin e Mbretërisë së Serbisë. Për ta plotësuar këtë material filmin autentik, që tregonte për vuajtjet e mundimet e shumta të ushtrisë serbe, regjisori kreu disa xhirime plotësuese në vitin 1928 me rikonstruktim të ngjarjeve, duke përgatitur filmin “golgota e Serbisë”. Të dhëna për këtë film jep revista “Ilustracia” e Beogradit e nëntorit të vitit 1928. Ky film me këtë titull është shfaqur edhe në vitin 1940 në kinematë “Kasina” dhe “Vracar”, të Beogradit, kurse një kopje ndodhet në Kinotekën Jugosllave në Beograd. Siç thotë autori i këtij burimi “filmi përbëhet nga insertet autentike dokumentare nga lufta dhe nga kalimi i ushtrisë serbe nëpër Kosovë e nëpër Shqipëri..dhe më vonë janë bërë xhirime plotësuese”. I njëjti autor përmend intervista të fotoreporterit Risto Marjanoviç, i cili dëshmon se ka parë dhe kinooperatorë francezë që xhironin. Sipas kësaj dëshmie del se filma me këtë subjekt kanë xhiruar edhe francezët e ndoshta dhe kineastët italianë ose ata të trupave austrohungarezë. Të mbështetur në ngjarjet e viteve 1915 që u përfshinë në filmin dokumentar “Kalimi i ushtrisë serbe nëpër Shqipëri”, shoqëria “Artistik-Film” e Beogradit xhiroi edhe filmin artistik “Për nderin e atdheut” ose “Golgota e Serbisë”, pra me të njëjtin emër sikurse dhe filmi dokumentar i plotësuar më 1928. Të gjitha filmat e xhiruar ose të montuar në këtë periudhë nga kineastë dhe shoqëri kinematografike serbe dhe jugosllave bartin doza të theksuara nacionalizmi. Vlerat e këtyre filmave sikurse të filmave të tjerë kronikalë e dokumentarë të xhiruar para dhe gjatë Luftës së Parë Botërore nga shoqëri të ndryshme kinematografike europiane janë kryesisht të karakterit dokumentues historik dhe nuk kanë ndonjë vlerë të dukshme artistike. Gjatë viteve 1916-1917, kinooperatorët austriakë kanë xhiruar inkursionin e tyre të gjatë për pushtimin e territoreve të Malit të Zi dhe të Shqipërisë. Sipas studiuesit jugosllav, Dejan Kasatoviç, në kinemanë e Kryqit të Kuq në Pila prej 14-17 maj 1916 është shfaqur filmi me titull “Një kalim nëpër Shqipërinë misterioze”. Një tjetër film mbi ngjarjet luftarake xhiruar nga shoqëria austriake “Sascha filmfabrik” e Vjenës është edhe ai me titull “Fitimtarë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi”. Rreth vitit 1918 një shoqëri tjetër kinematografike austriake xhiroi edhe një kronikë tjetër në Shqipëri, e në veçanti në qytetin e Beratit. Kjo kronikë ndodhet në Arkivin e Filmit. Në film jepen pamje të ndryshme të qytetit të Beratit, ura e Goricës, lagjja e Mangalemit, burra duke pirë kafe e duhan, në një kafene karakteristike të kohës, çingi duke kërcyer, gra me ferexhe duke dale nga xhamia, burra e gra që shkojnë në varreza etj.