UKRAINË – Zelensky: SHBA po shpërblen Putinin me heqjen e sanksioneve
KIEV, 17 tetor /ATSH-AFP/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka lëshuar një deklaratë të ashpër ndaj vendimit të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump për të pezulluar sanksione të rëndësishme ekonomike ndaj Rusisë.
Ai u shpreh se ky veprim ”shpërblen” dhe ”e inkurajon” presidentin rus, Vladimir Putin.
“Pezullimi i sanksioneve amerikane, lehtësimi i presionit ndaj agresorit dhe shpërblimet financiare për Putinin, e gjithë kjo vetëm e inkurajon atë të vazhdojë sulmet”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.
Kreu i shtetit ukrainas u bëri thirrje aleatëve që të ruajnë presionin ndaj Rusisë, duke kundërshtuar lehtësimin e masave ndëshkuese ndaj Moskës.
Përplasja diplomatike u ndez pasi presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të pezulluar ligjin e sanksioneve të njohur si “Lindsey O. Graham Sanctioning Russia Act”, i cili synonte të ardhurat e Rusisë nga energjia dhe sektori i mbrojtjes.
Ky hap i SHBA-së erdhi si pjesë e një marrëveshjeje për të lejuar hyrjen e sasive të mëdha të naftës ruse në tregjet botërore, një lëvizje që Trump e justifikoi me nevojën për të ulur çmimet globale të karburantit përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Zelensky kishte paralajmëruar se kjo “marrëveshje për naftën” do të funksionojë si një rrugë ku paratë e gatshme do të rrjedhin sërish lirshëm drejt Moskës.
Sipas presidentit ukrainas, lehtësimi i sanksioneve vendos miliona dollarë direkt në xhepat e Putinit për të financuar makinën e tij të luftës.
Ekziston një frikë e madhe se ky vendim do të sjellë një efekt domino, duke hapur rrugën për heqjen e sanksioneve edhe në sektorë të tjerë si ai bankar apo ai kimik./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.