PARIS – Gaz lotsjellës para fillimit të protestës në ”Place de la Republique”, dhjetëra arrestime
PARIS, 17 tetor /ATSH-AFP/ – Tensione të forta midis demonstruesve dhe policisë shpërthyen sot në mesditë në ”Place de la Republique” të Parisit, nga ku ishte planifikuar të fillonte një marshim i madh protestuesish kundër kostos së lartë të jetesës rreth orës 14:00 (12:00 GMT).
Policia përdori vazhdimisht gaz lotsjellës për t’iu përgjigjur disa qindra demonstruesve, shumica e të cilëve ishin të maskuar dhe të veshur me të zeza, disa prej të cilëve po qëllonin me fishekzjarrë.
BBC njofton se dhjetëra persona janë arrestuar tashmë në kryeqytet, ndërsa në qytete të ndryshme është raportuar përdorimi i gazit lotsjellës.
Demonstruesit janë tejet të mobilizuar dhe dëgjohen thirrje të vazhdueshme që kërkojnë dorëheqjen e presidentit Macron.
Demonstratat e sotme vijnë pas tre javësh protestash studentore në mbarë vendin, gjatë të cilave është bërë thirrje që studentëve t’u bashkohen sindikatat e punëtorëve dhe figura kyçe të lëvizjes së njohur si “jelekverdhët”.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për “qetësi”, duke u kërkuar demonstruesve të tregojnë “respekt për njerëzit dhe pronën”.
Lëvizja e “jelekverdhëve” (”gilets jaunes” në frëngjisht) protestoi kundër rritjes së kostos së jetesës për më shumë se një vit, duke filluar nga viti 2018 – duke u shndërruar në një nga lëvizjet protestuese më jetëgjata në historinë franceze./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.