Ekonomia

Ulja e komisioneve, pagesat ndërbankare me vlerë të vogël po rriten

Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë vendosi që të gjitha transfertat kombëtare në lekë deri në vlerën e 20 mijë lekëve t’u ofroheshin klientëve të sektorit bankar pa komision.

Për transfertat sipër kësaj vlere që do të kryhen përmes kanaleve bankare në distancë, banka qendrore vendosi që vlera e komisionet të jetë maksimalisht sa 50% e vlerës së komisionit për transfertat në formë letër, që urdhërohen përmes veprimeve fizike në sportelet e bankave. Ky vendim kishte si qëllim nxitjen e përdorimit të kanaleve dixhitale dhe të transaksioneve bankare në përgjithësi.

Këtë vit, të dhënat tregojnë se vendimi për heqjen dhe uljen e komisioneve të transfertave në vlerë të vogël ka dhënë një ndikim pozitiv në volumin e përdorimit të tyre. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për 7-mujorin 2021, janë kryer mesatarisht çdo muaj 76 mijë transaksione nëpërmjet sistemit të pagesave me vlerë të vogël AECH. Ky numër transkasionesh është 15% më i lartë krahasuar me mesataren mujore të vitit 2020. Rritja e numrit të transaksioneve në këtë sistem është një tendencë historike dhe që lidhet edhe me faktorë të tjerë, kryesisht me shtimin e përdorimit të shërbimeve bankare nga familjet dhe bizneset shqiptare. Megjithatë, vendimi i mesit të vitit të kaluar duket se ka pasur një ndikim pozitiv në rritjen e mëtejshme të transfertave bankare në vlerë të vogël.

Sistemi AECH i Bankës së Shqipërisë mundëson kryerjen e transfertave ndërbankare në monedhën vendase deri në vlerën e 1.5 milionë lekëve, ndërsa transfertat me vlerë më të madhe kryhen përmes sistemit tjetër AIPS.

Një projekt tjetër i rëndësishëm që pritet të nxisë përdorimin e pagesave bankare në vlerë të vogël është ai i pagesave të çastit (instant payments). Pagesat e çastit do të mundësonin blerje direkte mes shitësve dhe blerësve të pajisur me një llogari bankare dhe shërbim të bankingut përmes internetit apo telefonit celular.

Pagesat ndërbankare në vlerë të vogël në Shqipëri zhvillohen në sistemin AECH të Bankës së Shqipërisë, me tre seanca ditore. Kreditimi i fondeve nga klienti porositës tek ai përfitues bëhen brenda ditës, për pagesat e nisura brenda orës 14.30, ndërsa ato që urdhërohen pas orës 14.30 ekzekutohen të nesërmen.

Një sistem me pagesa të çastit, funksional 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, do të mundësonte transferta ndërbankare në kohë reale. Praktikisht, shitësi do të mund të marrë pagesën nga blerësi në moment, duke lehtësuar ndjeshëm transaksionet e biznesit dhe duke ulur nevojën për blerje cash. Banka e Shqipërisë po përgatit një studim fizibiliteti për ngritjen e një sistemi të instant payments dhe card switch (shlyerjes kombëtare të pagesave me kartë)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button