Ulje, më pak se bota/ Një litër naftë, tani 203 lekë. Por duhet të ishte nën 200
Çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar edhe pas mbledhjes së fundit të bordit dhe vijon të qëndrojë në nivelin e 93 lekë për litër.
Këto çmime fikse për karburantet do të qëndrojnë deri më 21 mars, në mbledhjen e radhës së bordit shtetëror të karburanteve.
Por, si është gjendja në tregjet botërore dhe a kanë reflektuar vendimet e bordit trendin e bursave ndërkombëtare?
Aktualisht një fuçi naftë në bursën e Londrës tregtohet për 99.1 dollarë, teksa në atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zbritur në 95.6 dollarë për fuçi.
Kur nafta në vendin tonë u shit për 211 lekë litri një ditë më parë , në bursa çmimi i fuçisë së naftës ishte poshtë 100 dollarë për fuçi. Ndërsa kur nafta në bursa ishte mesatarisht 97 dollarë për fucci, në vend nafta tregtohej për gati 192 lekë për litër.
Në kushte të tilla, kur fuçia e naftës po shkon mesatarisht në 99 dollarë edhe çmimi në vendin tonë duhet të kishte zbritur poshtë nivelit 200 lekë për litër.
Në vendet e rajonit nafta shitet më lirë se në Shqipëri, me Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Bosnje Hercegovinën poshtë 1.6 euro për litër, teksa vetëm në Mal të Zi po shitet më shtrenjtë se në Shqipëri në 1.7 lekë për litër. Kjo edhe për shkak të barrës së taksave që rëndon mbi naftën në vendin tonë.
“Në presionin e opinionit më shumë sesa protestave, qeveria për ditën e tretë rresht, ka detyruar shitësit e mëdhenj të ulin çmimet e naftës. Por sërish mes çmimit të fuçive që shiten në bursë dhe atij që blejnë shoferët shqiptarë, ka një diferencë prej gati 50 milionë lekë në ditë. Prova se sërish, edhe në këto ditë krize të thellë, dikush po fiton para, që paguhen nga ne, shqiptarët.”