Ultimatumi për reciprocitet, reagon Shkupi: Jo më bllokime të produkteve shqiptare
Pas deklaratës së ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dhe një sërë komunikimeve me autoritetet maqedonase, mësohet se mbrëmjen e së martës, Shkupi zyrtar ka urdhëruar të gjitha pikat e kalimit kufitar që të heqin bllokimin ndaj produkteve shqiptare.
Madje, urdhri i fundit është që ato të mos ndalohen më, siç është bërë disa herë gjatë muajve të fundit.
“Kam kërkuar sot nga ministri i Ekonomisë të Maqedonisë dhe nga ministri i Financave, që situata do të duhej të zgjidhej menjëherë dhe brenda ditës së sotme. E nëse jo, ne automatikisht, edhe mbi bazën e të gjitha të drejtave që na jep marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA me të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, kemi të drejtë të ndërmarrim akte reciprociteti. Herën tjetër mund të ketë reciprocitet të drejtpërdrejtë, të paparalajmëruar. Një sjellje e kësaj natyre tregtare, jo gjithmonë do të ketë një pritje të duruar ose një paralajmërim, por do të ketë njëkohësisht, siç na lejon edhe CEFTA, një reciprocitet të menjëhershëm”, theksoi ministri Ahmetaj.
Reagimi i ministrit Ahmetaj erdhi pas bllokimit për të dytën herë brenda një muaji të produkteve shqiptare nga pala maqedonase. Tirana zyrtare u detyrua t’i dërgonte një “ultimatum” autoriteteve të Maqedonisë se, në rast se situata nuk gjente zgjidhje, nga e dita e mërkurë do të niste zbatimi i reciprocitetit.
Sipas ministrit Ahmetaj, i cili ka qenë në kontakte me homologun maqedonas, ky bllokim vinte për shkak të keqpërdorimit të ligjit nga pala maqedonase.
“Rregullorja në fjalë e Maqedonisë ka një afat kohor deri në 5 ditë për të kthyer përgjigje analizash, që shpesh herë edhe keqpërdoret nga institucione apo individë”, tha më tej ministri Arben Ahmetaj.
Por pavarësisht kësaj, në mbledhjen e CEFTA-s që pritet të mbahet të enjten, ku si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia janë anëtare, ministri Ahmetaj deklaron se kjo çështje do të ngrihet nga pala shqiptare