Kryeartikull

Unë nuk jam kuq e zi

Gresa Hasa
Gresa Hasa

Jemi ne, jemi ne,  Vijmë nga trojet tona.  Nuk na ndan dot askush,  Fluturon shqiponja.  Po thërret toka jonë, lisat edhe malet;  Se ne jemi një komb, Shqipëri e Madhe.” Kështu nis kënga “Kuq e Zi” kompozuar nga Flor Mumajesi, performuar nga Elvana Gjata dhe financuar nga Digitalb-i, këngë që sipas faqes zyrtare të Digitalb-it dhe Top Channel-it në rrjetin social Facebook, do të shoqërojë Kombëtaren Shqiptare të Futbollit në çdo ndeshje, brenda dhe jashtë vendit. Kënga përmban një refren që nuk ka se si të mos të ta tërheqë vëmendjen dhe shtylla kryesore e saj ngrihet mbi parimin e  Shqipërisë së Madhe. “Unë jam kuq e zi, kuq e zi, Jam unë dhe ti, kuq e zi,  Me gjithë zemër të kemi sot O flamuri më i bukur n’botë!” “Jemi një forcë, jemi një gjak,  Asnjëherë nuk ike,  Jemi ne, jemi ne,  Shqipëri etnike,  Po thërret toka jonë, lisat edhe malet,  Se ne jemi një komb, Shqipëri e Madhe!” Marrë shkas nga mentaliteti i përçudnuar i shoqërisë sonë, nëse një këngë e ngjashme do të ishte shfaqur në Serbi apo Greqi, financuar dhe promovuar nga mediat më kryesore në vend atje pari, me shikueshmërinë më të lartë (siç është Top Media në Shqipëri) dhe e mbështetur nga organet përgjegjëse shtetërore duke nxitur shovinizmin dhe gjuhën e urrejtjes nëpërmjet idesh si Велика Србија/Velika Srbija (Serbia e Madhe) apo Μεγάλη Ιδέα/Megáli Idéa (Idea e Greqisë së Madhe), është e sigurt që në Shqipëri dhe Kosovë do të kishin shpërthyer reagime katastrofale në kundërshti me këto ide të cilat do të kritikoheshin dhe refuzoheshin nga shoqëria shqiptare dhe ajo kosovare për arsyen pse nacionalizmi është absurd për shoqëritë tona vetëm kur shpallet së jashtmi, asnjëherë së brendshmi. Ideja e “Serbisë së Madhe” apo e “Greqisë së Madhe” është e papranueshme vetëm pse ajo nuk është ideja e “Shqipërisë së Madhe”. Kjo e fundit pranohet, nxitet, lëvdohet, mbrohet e madje edhe argumentohet nga të gjitha strukturat kyçe të shoqërisë në Shqipëri dhe Kosovë duke nisur nga media, politika, arti e masandaj rradhët e tjera shoqërore. Duhet kuptuar që kjo nuk është vetëm një këngë. “Kuq e Zi” pushoi së qenuri veçse një këngë që prej çastit kur tingujt e saj u shndërruan në propagandë shoviniste që provokon agresivitet dhe ysht urrejtje mes grupeve shoqërore me përkatësi etnike të ndryshme nga ajo shqiptare apo kosovare nëpërmjet logjikës përjashtuese dhe denigruese të nacionalizmit pse ky i fundit refuzon ta njohë dhe pranojë individin si të tillë, zhveshur nga rolet armiqësore që imagjinarja përjashtuese dhe shfarosëse e interpretimeve nacionaliste i mvesh. Imazhet e dron-it që shpalos flamurin e Shqipërisë së Madhe me mbishkrimin “Autokton” sipër, i cili u ngrit në stadiumin e Beograd-it në Tetor të vitit të shkuar gjatë ndeshjes së menduar miqësore midis Serbisë dhe Shqipërisë, shërbejnë për të hapur këngën e cila është menduar të shndërrohet në himn të ndeshjeve të futbollit, brenda dhe jashtë vendit. Është e pamundur të përfytyrohet një ndeshje e paqtë midis Serbisë dhe Shqipërisë, në Shqipëri apo Serbi qoftë (apo cilitdo shteti tjetër), me një këngë të tillë që niset e bitiset me dronin e injorancës që provokoi gjithë atë zallamahi midis shteteve fqinje tonave dhe Federatës Ndërkombëtare të Futbollit në vjeshtë, e ndër të tjera, u bë edhe shkas i humbjes së lojës prej skuadrës sonë. Duhet kuptuar që këtu nuk kemi të bëjmë më me ndeshje futbolli apo sport në përgjithësi por me deklarata të fuqishme politike dhe shoqërore. Sporti nuk është më sport kur lojtarët pushojnë së qenuri të tillë dhe fusha e lojës shndërrohet në arenë betejash të një mendësie arkaike dhe të dhunshme siç është nacionalizmi. Megjithatë, më problematike se kënga në vetvete është promovimi mediatik që i bëhet këngës dhe transmetimi i saj në të gjitha kanalet e platformës Digitalb dhe Top Channel-it, në çdo pushim reklame gjatë ditës së plotë, ndër tjera, edhe në kanale që shfaqin filma vizatimorë për fëmijë. Nuk është hera e parë që media si Digitalb-i apo Top Channel-i përcjellin një gjuhë të urrejtjes; përjashtuese, denigruese dhe katërcipërisht ofenduese. Këtë herë gjithsesi është tejkaluar çdo limit i tolerueshëm. Ky klip dhe kjo këngë i mëshojnë nacionalizmit me kokëfortësi dhe nëpërmjet dhunës mbjellin dhunë. Nëpërmjet këtij shkrimi, i kërkohet Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) në Shqipëri, nëpërmjet ligjit nr. 8410 dt. 30.09.1998, “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, bazuar në kompetencën e këtij institucioni në raste abuzimi mediatik apo shkelje ligjore, të marrë masat paraprake ndaj Digitalb-it dhe Top Channel-it për nxitje dhe promovim të ndjenjave të urrejtjes ndëretnike dhe shovinizmit. Nëse ky institucion nuk reagon sa më parë do t’i bëhet thirrje qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe trupit diplomatik në Shqipëri për të marrë masat e nevojshme ndëshkuese ndaj provokimit të dhunës dhe urrejtjes në vend. Nëse ‘kuq e zi’ përkthehet në vetë-përkëdhelje patologjike nëpërmjet urrejtjes dhe përjashtimit të tjetrit, unë REFUZOJ të jem ‘kuq e zi’. Bota është me ngjyra plot…botëkuptimet që nxisin paqen, miqësinë dhe respektin e ndërsjelltë, po ashtu. Të kufizuara janë dhuna, urrejtja, dashakeqësia dhe injoranca. Ato janë gjithmonë në zi. Shoqëria shqiptare ka qenë në zi për shumë kohë. Ajo e ka mundësinë të shpalosë dhe shfaqë ngjyrat e saj. Shoqëria shqiptare është e aftë të jetë edhe e kuqe, edhe e zezë, edhe blu, edhe e verdhë, jeshile, rozë, portokalli…një ylber ngjyrash njëherësh…pse të ndryshmit janë të ndryshëm vetëm nëse ne zgjedhim që ata të jenë të tillë. Të jesh shqiptar, serb, grek, gjerman, italian, afro-amerikan apo tjetërçka, do të thotë së pari të jesh njeri. Ta duash vendin tënd do të thotë të respektosh gjithkënd që jeton brenda dhe jashtë kufijve të tij. Mbi të gjitha, dashuria për tokën ku jeton shfaqet nëpërmjet respektimit të ligjit dhe normave që e bëjnë bashkëjetesën të qetë dhe ftuese, jo nëpërmjet grisjes apo valëvitjes së flamurëve, as përjashtimit apo vjelljes vrer ndaj tjetrit, kushdoqoftë dhe sidoqoftë ky tjetër. Dashuria nuk është ulërimë, as luftë. Ajo është prehje, pranim jo përjashtim. Ajo është paqe, jo kaos.

Related Articles

Comente

  1. kjo esht thjesht nje kenge dhe ne nuk po kercenojme asken sjemi rrezik per asnje Nese dikush e ndien qe esht fajtor duhet te reagone per cfar kan ber kundrejt nesh popullit shqiptar Ka mijra fakte nga greket qe me zorre shqiptaresh do bejne lidhsa kepucesh etj..etj Ose dhuna ne beograd ne nje ndeshje futbolli e pa tolersuhme Ti nese nuk e ndien veten kuq e zi perdon ngjyra  qe te pelqejne Edhe nje her Teksti nuk kercenon asken vetem u tregon qe jemi nee qe do te thote qe kurre sna keni mposhte dote  Flm per mirkuptimin RRofte Shqiperia Etnikaaa     RRofte Kombi Shqiptareee

  2. ti qe sje kuqezi  mund te tregosh cfarngjyre preferon  te te pershtatim edhe ty nje kenge Gjitonet tane mos te ndihen te kercenuar por te mesojne te sillen me gjitonin Se esht shumee vertet qe jemi ne qe kemi filluar jeten ne ballkan sesh askuhs tjeter Kete ata e dine shume mire prandaj edhe friksohen,por ne sjemi agresive Ata vet na e imponojne me sjelljen e tyre se jan njerez bastadre jan rrembyes ashtu jane mesuar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button