Urdhri i Ramës për institucionet: Jo fonde publike për fushatë
Qeveria synon dhënien fund të përdorimit të financave publike, burimeve njerëzore, automjeteve shtetërore në shërbim të fushatës elektorale.
Në urdhër, një kopje të të cilit zotëron Top Channel, kryeministri kërkon marrjen e masave të nevojshme për zbatimin e Kodit Zgjedhor, për ndalimin e vënies në përdorim të subjekteve zgjedhore të mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme, pronë e administratës publike të çdo niveli.
Në pikën tre të këtij urdhri thuhet: “Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, automjetet shtetërore të ministrive dhe të institucioneve e organeve të tyre të varësisë, ndalohen të përdoren për veprimtari të fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara për këto zgjedhje. Shpenzimet e furnizimit me karburant për automjetet shtetërore do të përballohen nga vetë përdoruesit e tyre”.
Në urdhër, një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Policisë së Shtetit së bashku me Gardën e Republikës.
“Automjetet e Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit do të përdoren në përmbushje të detyrave të tyre funksionale”, thuhet në urdhër.
Në zgjedhjet e shkuara në Shqipëri, sipas të gjitha raporteve, përpara apo pas zgjedhjeve, misionet e monitorimit të OSBE-ODIHR e kanë pasur pjesë të tyre konstatimin e përdorimit masiv të administratës dhe fondeve publike në funksion të zgjedhje.