Bota

Ushtria nigeriane shpëton më shumë se 200 vajza në pyllin Sambisa

Ushtria nigeriane pretendon se ka shpëtuar 200 vajza dhe 93 gra që ishin rrëmbyer nga grupi terrorist Boko Haram. Operacioni ushtarak u krye në pyllin Sambisa.

“Forcat ushtarake shpëtuan pasditen e së martës 200 vajza dhe 93 gra në pyjet Sambisa. Ne nuk mund të konfirmojmë nëse vajzat janë ato të rrëmbyera në Chibok”, tha zëdhënësi i ushtrisë Chris Olukolade, i cili shtoi se trupat nigeriane kishin shkatërruar edhe tre kampe të drejtuara nga militantët.

Operacioni i ushtrisë nigeriane nisi javën e kaluar në Sambisa, një pyll i madh në verilindje të vendit që ka qenë një prej objektivave kryesore të sulmeve ajrore që prej muajit shkurt. Dyshohej se disa prej nxënësve të rrëmbyer në Chibok rreth një vit më parë mbaheshin aty.

Militantët e Boko Haram kanë vrarë më mijëra persona në veri të Nigerisë që nga viti 2009. Forcat ushtarake vendase, të mbështetura edhe nga trupa të vendeve fqinje, filluan një ofensivë kundër terroristëve në muajin shkurt të këtij viti, duke rimarrë nën kontroll sipërfaqe të mëdha që mbaheshin nga militantët. Disa nga pengjet të cilët kanë arritur të arratisen kanë thënë se janë mbajtur në kampet e terroristëve në pyllin në Sambisa.

Presidenti në largim i Nigerisë, Goodluck Jonathan është kritikuar gjerësisht se nuk ka reaguar mjaftueshëm për t’i dhënë fund konfliktit. Ndërsa së fundi qeveria ka premtuar se do të shtypë Boko Haram deri në fund të majit.

Rreth tre milion persona janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre që nga 2009, kur Boko Haram nisi kryengritjen për të krijuar Shtetin Islamik. Qindra të tjerë janë rrëmbyer, duke përfshirë edhe 200 vajza të rrëmbyera nga një shkollë në qytetin Borno gjatë prillit të vitit të kaluar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button