Valentina Leskaj:Kuvendi i Shqipërisë ofron transparencë për qytetarët
Transparenca Parlamentare për të promovuar një kulturë transparence dhe pjesëmarrja e qytetarëve në procesin legjislativ ishte tema e sesionit të organizuar të premten nga Programi i NDI-së për Fuqizimin e Parlamenteve në Ballkanin Perëndimor, në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj e konsideroi këtë aktivitet një standard demokracie dhe një detyrim ndaj publikut.
“Ne ndajmë jo thjesht të njëjtën hapësirë gjeografike në Ballkan, por dhe aspirata të përbashkëta dhe sfida gjithashtu për integrimin e rajonit, pavarësisht se dikush është pak më përpara e dikush pak më mbrapa. Padyshim që e konsiderojmë transparencën thelbësore për një parlament të demokracisë funksionale e për suksesin e reformave por edhe për vetë legjitimitetin e politikës që është dëmtuar, ç’ka lidhet dhe me perceptimin publik. E vërteta është se mes nesh tradita, sa i takon kulturës së transparencës dhe përfshirjes, është e varfër, për arsye që dihen”, tha nënkryetarja Leskaj.
Më tej në fjalën e saj, ajo u shpreh se për Kuvendin e Shqipërisë, i gjithë procesi reformues për një parlament të hapur e transparent është mbështetur edhe në Deklaratën e Transparencës Parlamentare të vitit 2012.
“Në drejtim të veprimtarisë parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë siguron dhe publikon për qytetarët gjithë informacionin për rolet dhe funksionet parlamentare, si dhe informacionin dhe të dhënat e prodhuara gjatë tërë procesit legjislativ”, tha Leskaj.
Aktualisht janë aktivizuar të gjitha shërbimet e platformës E-Parlament, e cila është në fazën e parë të vënies në funksionim. Kjo platformë vlerësohet shumë e rëndësishme për qasjen në botën dixhitale, në lehtësimin e detyrave funksionale të përditshme, si të stafit, ashtu edhe të deputetëve dhe garantimin e një transparence të lartë lidhur me procesin legjislativ.
Nënkryetarja e Kuvendit tha se ky është një proces interaktiv i hapur e komunikues me grupe interesi, shoqërinë civile e me publikun, sidomos në procesin e ligjbërjes dhe monitorimit të zbatimit.
Në këtë vështrim, nënkryetarja e Kuvendit deklaroi se sfida mbetet e hapur për një parlament cilësisht të hapur e transparent, i cili reflekton perspektivën qytetare gjatë gjithë veprimtarisë parlamentare të tij.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues nga Parlamentet dhe organizatat e Shoqërisë Civile nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia.