Bota

Valerie Pecresse kandidatja goliste që po frikëson Macronin

Mes katër konkurrentëve në zgjedhjet paraprake të republikanëve, Valerie Pecresse jo vetëm që nuk ishte favorite, por ishte më e frikësuara nga një kundërshtar si Emmanuel Macron.

Përveçse është kandidatja e parë femër e së djathtës së moderuar në Francë, ajo është padyshim më macronistja nga neogolistët, më social-liberalja në ekonomi dhe më besimtarja për një qeveri të centralizuar.

E sigurt është se ish-ministrja e Sarkozysë, 54 vjeçe, aktualisht presidente e rajonit Ile-de-France, do të japë gjithçka, siç premtoi, duke falënderuar ndjekësit e saj, për ta rikthyer  të djathtën neogoliste në balotazh, pas humbjes së bujshme të 2017, kur për herë të parë në Republikën e Pestë, asnjë përfaqësues i partisë nuk kaloi raundin e parë të zgjedhjeve.

Zgjedhja e Pecresse rishpërndan kartat në tryezën e zgjedhjeve presidenciale në prill, në pritje të zbritjes në fushë të të vetmit kandidat të madh ende të padeklaruar, Emmanuel Macron: një parti presidenciale që paraqitet si një platformë ku aderojnë centristët, besnikë ndaj La République en Marche, centristët MoDem, lëvizjet rinore dhe partitë ”ad personam” si Horizons, krijuar nga ish-kryeministri Edouard Philippe; një e majtë më shumë se kurrë e fragmentuar dhe për momentin pa shpresa të mëdha, me kandidaten socialiste Anne Hidalgo, së cilës sondazhet i japin mes katër dhe gjashtë për qind dhe një Jean-Luc Melenchon, i cili duket se e ka ezauruar rolin e tij dhe ka tani rreth 10 për qind të elektoratit, pak a shumë si kandidati ambientalist; një ekstrem i djathtë për herë të parë me dy koka, tradicionalistja e dëshmuar e Marine Le Pen dhe ekstremisti dhe radikali, Eric Zemmour.

Pozicionimi i republikanëve, pas zgjedhjes së Valerie Pecresse, e konsideruar si një personazh i vështirë dhe një punëtore e palodhur, jo një sprintere, por rezistente në përpjekjet e gjata, është pikërisht ai që përshkruhet nga Christian Jacob, president i partisë, sipas të cilit ”e djathta ka gjetur ADN-në e saj, është popullore dhe mbështetëse, një skuadër e vërtetë kombëtare, e gatshme për të udhëhequr vendin tonë”.

Mes duartrokitjeve të mbështetësve në selinë e partisë, Pecresse falënderoi anëtarët e partisë ”që patën guximin për të zgjedhur kandidaten e parë femër të republikanëve”.

”Unë do të di të jem e denjë edhe me të gjitha gratë e Francës. Unë do të jap gjithçka në fushatën presidenciale”, theksoi ajo.

Luajtja e kartës së elektoratit femëror është padyshim goditja e parë e Pecresses kundër të gjithëve, sidomos kundër mizogjenit dhe ultratradicionalistit Zemmour.

Ky i fundit, pas disa javësh polemikash dhe sondazhesh në rënie, debuton sot me një tubim parizian, i njoftuar se do të ketë tensione.

Në veçanti, krahët e dhunshëm të grupeve të majta antifashiste janë gati për ”betejë” në kryeqytet, deri në atë pikë sa e shtynë ambasadën amerikane të këshillonte bashkatdhetarët saj që të shmangnin zonën ku Zemmour do të zhvillonte mitingun.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button