“Valltarët” dalin nga hija, skulpturat monumentale rikthehen në ish-Kinostudio
Skulpturat monumentale “Valltarët”, pjesë e ansamblit artistik të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, janë rikthyer pranë hyrjes së godinës historike, sot Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, pas ndërhyrjes së restaurimit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale fotografi nga hapësirat e Parkut të Artit, duke theksuar rëndësinë e rijetëzimit të këtyre veprave dhe rikthimit të tyre në hapësirën publike.
“‘Valltarët’ dalin nga hija e pritjes dhe pas restaurimit afrohen pranë hyrjes së ish-godinës historike të Kinostudios, sot Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, duke ridalë në pah dhe duke marrë gjithë kujdesin e vëmendjen që meritojnë”, shkroi Gonxhja.
Skulpturat janë pjesë e ansamblit monumental të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, të ngritur në vitet ’50, ku arkitektura neoklasike dhe arti monumental u konceptuan si pjesë e një tërësie të përbashkët.
Sipas ministrit, në grupin e skulptorëve që punuan për realizimin e tyre ka qenë edhe Odhise Paskali, një prej figurave themeluese të skulpturës monumentale shqiptare.
Figurat e “Valltarëve”, të veshura me kostume tradicionale shqiptare, përfaqësojnë një ndërthurje të artit monumental me motive të traditës dhe identitetit shqiptar.
Ndërhyrja është realizuar në kuadër të projektit të ri të Parkut të Artit dhe rikualifikimit urban të zonës, i cili përfshin edhe hapësirën e Hangarit, me synim rijetëzimin e memories së ish-Kinostudios dhe krijimin e një konturi të ri publik për parkun.
“Ndërhyrja e konsultuar me projektin e ri të Parkut të Artit dhe pjesë e një rikualifikimi urban që përfshin edhe Hangart, rijetëzon memorien e lagjes në konturimin e ri publik të parkut”, u shpreh Gonxhja.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.