FOKUS – Alberta voton për shkëputjen e mundshme nga Kanadaja
NJU JORK, 19 tetor /ATSH-DPA/ – Shtetasit e provincës Alberta, në perëndim të Kanadasë, votojnë në një referendum që mund të hapë rrugën drejt një procesi për shkëputjen e saj nga vendi.
Megjithatë, votimi i sotëm nuk vendos drejtpërdrejt pavarësinë, por nëse duhet të nisë procesi që mund të çojë në një referendum të dytë, me fuqi ligjore.
Sipas sondazheve të fundit, rreth 70% e banorëve mbështesin qëndrimin e Albertës në përbërje të Kanadasë, ndërsa afërsisht 20% janë në favor të shkëputjes.
Kryeministrja e provincës, Danielle Smith, kryeministri kanadez Mark Carney dhe dy partitë kryesore të vendit janë shprehur kundër pavarësisë. .
Ndërkohë, lëvizja separatiste ka marrë mbështetje nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump.
Alberta ka rreth pesë milionë banorë dhe afërsisht 3,1 milionë votues me të drejtë vote.
Banorët do të votojnë për gjithsej dhjetë pyetje, ndërsa çështja e shkëputjes do të numërohet e para.
Rezultatet mund të bëhen të ditura që të martën.
Lëvizja për pavarësi është mbështetur ndër vite te argumentet kulturore dhe ekonomike, veçanërisht te pakënaqësitë e disa përfaqësuesve të industrisë së naftës ndaj kufizimeve mjedisore.
Referendumi zhvillohet në një kohë tensionesh në rritje tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë, pasi presidenti Trump ka kërcënuar vazhdimisht Otavën dhe ka hedhur idenë që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të amerikan.
Kryeministri Carney ka bërë thirrje për unitet kombëtar, duke deklaruar se kanadezët janë më të fortë së bashku.
Ndërsa lëvizja separatiste kërkon më shumë autonomi dhe pavarësi, qeveritë federale dhe rajonale kanë theksuar se e ardhmja e Albertës duhet të mbetet brenda Kanadasë. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.