Vdes në QKUK 76-vjeçari që ishte goditur nga një veturë në Fushë Kosovë më 4 tetor
Avdullah Avdyli ndërroi jetë më 24 tetor pas 20 ditësh trajtimi në mjekim intensiv, si pasojë e plagëve të pësuara në aksidentin në rrugën "Nëna Terezë" në Fushë Kosovë. Trupi i tij është dërguar në IML për obduksion.
Një 76-vjeçar ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si pasojë e plagëve të pësuara në një aksident trafiku që kishte ndodhur tri javë më parë në Fushë Kosovë. Siç njofton Betimi për Drejtësi, duke iu referuar raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima po trajtohej në mjekim intensiv dhe ka vdekur më 24 tetor.
Sipas raportimit të Gazetës Sinjali, viktima është Avdullah Avdyli, 76 vjeç, i cili më 4 tetor ishte goditur nga një veturë në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë, në aksidentin e regjistruar rreth orës 10:20. Ai ndërroi jetë pas 20 ditësh trajtimi në QKUK.
Sinjali bën të ditur se, sipas pamjeve të siguruara nga hetuesit, këmbësori dyshohet se kishte hyrë me vrap në rrugë në momentin kur semafori ishte i kuq për këmbësorët. Këto rrethana mbeten pjesë e hetimeve për rastin.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i 76-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, njofton Policia e Kosovës përmes raportit të saj ditor, të cituar nga Betimi për Drejtësi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.