Vdes pacientja me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapinë Palbociclib
Një paciente me kancer të avancuar të gjirit ka vdekur pasi kishte mbetur për rreth katër muaj pa terapinë Palbociclib, për shkak të mungesës së barnës në Klinikën e Onkologjisë dhe pamundësisë për ta blerë vetë. Siç raporton KOHA, organizata e pacientëve Renesansa ka njoftuar të mërkurën se gjatë periudhës pa trajtim pacientes i ishin shfaqur metastaza të reja në tru.
Palbociclibi, që përdoret në trajtimin e kancerit të avancuar të gjirit, është pjesë e Listës Esenciale të Barnave, por mungoi për rreth katër muaj në Klinikën e Onkologjisë. Pacientët që detyrohen ta blejnë vetë këtë bar përballen me kosto deri në 1 mijë e 800 euro, të cilat pacientja nuk kishte mundësi t’i përballonte.
“Pardje, pacientja që ishte në terapi me Palbociclib dhe ndihej mirë, por që Palbociclibi mungoi për afër katër muaj, nga pamundësia për ta siguruar për shkak të çmimit të lartë të këtij bari, mbeti katër muaj pa terapi, duke shpresuar çdo ditë se do të kishte furnizim. Por, mungesa e terapisë i solli metastaza të reja në tru. Dhe… në fund humbi jetën”, thuhet në reagimin e organizatës Renesansa, e cila thekson se sigurimi i barnave esenciale për pacientët onkologjikë është detyrë morale e QKUK-së dhe e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas KOHËS, furnizimi me Palbociclib ishte rikthyer para nëntë javësh, pas nënshkrimit të kontratës dhe liferimit të barnës, por ky bar ka disa ditë që mungon sërish dhe nuk figuron as në stokun e barnave të publikuar të hënën nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës për këtë klinikë. KOHA i ka dërguar pyetje SHSKUK-së për arsyet e përsëritjes së mungesës, por nuk ka marrë përgjigje.
Palbociclibi nuk është terapia e vetme që ka munguar në Klinikën e Onkologjisë: sipas raportimit të KOHËS, edhe barna si Bikaderi, Avastina, Pembrolizumabi dhe Dabrafenibi kanë munguar për muaj, me çmime nga 80 deri në 1 mijë e 600 euro, duke detyruar edhe pacientë të tjerë të paguajnë nga xhepi për barna që duhet të jenë të qasshme përmes sistemit publik shëndetësor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.