FOKUS – Evropa shqyrton masa për kursimin e energjisë mes thellimit të krizës në LM
– Qeveritë e Bashkimit Evropian mund t’u kërkojnë familjeve dhe bizneseve të reduktojnë konsumin e energjisë, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme po rrit çmimet dhe kërcënon furnizimin me naftë dhe gas, sipas Euronews.
Ministrat e Energjisë të vendeve anëtare do të diskutojnë masat e mundshme në një takim më 29 tetor, mes shqetësimeve se ndërprerjet e furnizimit përmes Ngushticës së Hormuzit mund të zgjasin me muaj.
Nisma është propozuar nga Irlanda, e cila mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së.
Çmimet e gazit janë rritur me 140 për qind që nga fillimi i luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, ndërsa nafta bruto “Brent” u tregtua sot me 110 dollarë për fuçi.
Sipas presidencës irlandeze, edhe nëse konflikti përfundon, pasojat në tregjet e naftës mund të zgjasin me muaj, ndërsa ndikimi mbi furnizimin me gaz mund të ndihet për vite.
Situata rëndohet nga rreziku i mungesës së gazit gjatë dimrit, pasi rezervat e BE-së ishin dje në nivelin 74 për qind, më i ulëti që nga viti 2011.
Operatorët e rrjeteve të transmetimit të gazit paralajmërojnë se BE-ja mund të përballet me një mungesë që përkon me 12 deri në 15 për qind të kërkesës, nëse këtë dimër goditet nga një valë e fortë të ftohti.
Nafta diezel dhe karburanti i avionëve janë veçanërisht të ekspozuar ndaj ndërprerjeve të furnizimit dhe rritjes së çmimeve, pasi Ngushtica e Hormuzit është një pikë kyçe për transportin global të energjisë.
Sipas të dhënave të raportuara, përmes saj kalon rreth 20 për qind e transportit botëror të naftës dhe gazit.
Ministrat do të shqyrtojnë nëse reduktimi i konsumit duhet të bëhet pjesë e përgjigjes së përbashkët evropiane, krahas përdorimit të rezervave emergjente dhe mbështetjes financiare. Dokumenti i Këshillit të BE-së nuk përcakton masa konkrete dhe nuk konfirmon se është marrë ndonjë vendim për kufizime. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.