Veliaj: Fondacioni Amerikan shndërron në pikë turistike shpellën e Pëllumbasit
Bashkia e Tiranës nuk do të tolerojë asnjë shkelje që do të vërehet lidhur me zaptimin e hapësirave publike të qytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të administratorit të njësisë Bërzhitë, Refik Velia, solli në vëmendje rastin e shkollës “Kristaq Rama” në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet, e cila aktualisht ka nisur të çmontohet, duke kërkuar nga administratorët që të kenë në fokus të punës së tyre të përditshme kthimin e ligjshmërisë në të gjitha njësitë administrative të Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi nga administratorët që të bëhet një inventar i të gjithë paligjshmërive dhe nevojave për investime, për t’u siguruar që në buxhetin e ri të përcaktohen investimet për të cilat kanë realisht nevojë njerëzit.
Më tej, kryebashkiaku Veliaj njoftoi se Fondacioni Amerikan ka marrë përsipër për ta shndërruar në pikë turistike shpellën e Pëllumbasit, ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit rikonstruksionin e rrugës. “Me bashkëpunimin mes dy fondeve do të kemi rrugën e re, por gjithashtu edhe një nga pikat me më shumë potencial për zhvillimin e turizmit në këtë zonë, siç është shpella unike e Pëllumbasit, të cilët do ta përfshijmë në hartën turistike të Tiranës, për t’u siguruar që turistët që vijnë në Tiranë të kenë më shumë gjëra për të vizituar, e jo thjesht qendrën e qytetit”, deklaroi Veliaj.
Lidhur me aksionin qytetar për pastrimin e Tiranës në 4 shtator, Veliaj kërkoi që administratorët të jenë në krye të shtabeve për pastrimin e zonave të tyre. “Jemi të gjithë qytetarë të Bashkisë së Tiranës dhe angazhimi është që të ofrojmë të njëjtat shërbime në cilësi, si në periferi, ashtu edhe në qendër të Tiranës, si në Bërzhitë, ashtu edhe në rrugën e Elbasanit. Ndaj, roli i administratorit të njësisë gjatë tranzicionit është jetik, në mënyrë që të vijojmë shërbimet pa asnjë ndërprerje”, theksoi Veliaj. Ai tha se është shumë e rëndësishme që drejtuesit e njësisë të jenë pjesë e nismave që është duke ndërmarrë bashkia e Tiranës.