Veliaj: Fondi për punësimin në Tiranë, 40 bizneset përfituese kanë punësuar 743 të rinj
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, vizitoi sot fabrikën e përpunimit të qumështit “Erzeni” në Tiranë, për t’i uruar “Punë të mbarë” 25 punëtorëve që sapo kanë nisur punë, duke përfituar nga programet e Fondit të Nxitjes së Punësimit.
Ministri Veliaj theksoi se fondi i punësimit është fokusuar në ndihmë të kompanive shqiptare, por veçanërisht në punësimin e njerëzve në nevojë, për t’i ndihmuar ata të dalin nga skema e ndihmës ekonomike. “Ky është një fillim i mbarë. Askush nuk po mburret për mrekulli, por di të them se jemi si dita me natën kur krahason marmitën e SHQUP-it që nxjerr vetëm tym edhe zhurmë, me punën reale. Gjykoj se puna flet më shumë se sa deklaratat e tyre”, u shpreh ai.
Pas vizitës në ambientet e fabrikës, Veliaj nënvizoi se në Tiranë janë shpallur fitues 40 projekte të ngjashme, të cilat kanë punësuar 743 të rinj. “Më vjen mirë që 25 prej tyre, të cilët përfituan nga eksperienca e Zyrës së re të Punës në Tiranë, iu thamë ‘Punë të mbarë’ sot”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, ministri Veliaj tha se është e rëndësishme që qytetarët të dijnë se ku shkojnë taksat e tyre dhe kjo është arsyeja pse ka ndërmarrë turin “Punë të mbarë” nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, për të prezantuar njerëzit realë që kanë përfituar nga programet e Fondit të Nxitjes së Punësimit.
“Kemi kapërcyer situatën kur njerëzit nuk e dinin as ku binin zyrat e punës, e jo më t’ia shihnin dobinë. Ndaj, më vjen mirë që po largojmë sa më shumë njerëz nga ndihma ekonomike, duke i përfshirë ata në programet e nxitjes së punësimit”, deklaroi Veliaj.
Në Tiranë, Fondi i Nxitjes së Punësimit ka financuar 40 biznese me rreth 70 milion lekë të reja. Projektet e miratuara i përkasin aktiviteteve të ndryshme si, konfeksione, prodhim këpucësh, ndërtim, telekomunikacion, agro-përpunim, etj.