Kronika

Vëllai i viktimës: Deputeti nuk është pa faj, u largua me shpejtësi

Familja Sorra me banim në fshatin Kus, Kashar në Tiranë, ka përcjellë për në banesën e fundit të afërmin e tyre që u aksidentua për vdekje nga deputeti Aqif Rakipi në autostradën Tiranë-Durrës.

54-vjeçari Seit Sorra, ishte babai i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali. Të gjithë ishin zhytur në trishtim për atë ikjen e të dashurit të tyre. Vëllai i viktimës shprehet se Seiti ishte shtylla e shtëpisë dhe se merrej me tregti agro-ushqimore për të mbajtur familjen e tij. Sipas tij, Seit Sorra është lënë i pajetë në mes të autostradës nga ana e deputetit, ku ky i fundit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

“Jemi në hall, na ka ndodhur gjëma. Deputeti u lirua, por ai e la vëllanë tim në mes të autostradës pa asnjë shenjë jete. Si gjithmonë, në raste të tilla ata që humbin jetën marrin fajet. Por, duhet parë edhe ana tjetër. Këtu deputeti nuk është pa faj, ai u largua me shpejtësi, pse iku?”, është shprehur vëllai i viktimës, sytë e të cilit ishin mbushur me trishtim për ikjen nga kjo jetë e të vëllait. Me tej, ai thotë për “Shekullin” se ngjarjen e ka marrë vesh shumë vonë dhe se nuk ka qenë me Seitin momentin kur u përplas. Sipas tij, dëshmitarët kanë treguar që deputeti ka qenë me shpejtësi të madhe dhe e ka bërë copa-copa trupin e 54-vjeçarit.

“Unë vetë kam qenë në shtëpi, se çfarë ka ndodhur ma kanë treguar nja dy njerëzit tanë që ishin me Seitin atje. Sipas tyre, ata kanë qenë duke kaluar rrugën dhe makina e deputetit ka qenë me shpejtësi të madhe. Kam dëgjuar nëpër lajme që faji i është hedhur Seitit, por edhe deputeti nuk është pa faj. Ku udhëton ai me atë shpejtësi? Pse iku ai dhe e la të shtrirë atë sikur mos të ishte një njeri? Policia nuk duhet ta kishte lënë të lirë kaq shpejt. Megjithë këtë, ne presim të flasë përsëri drejtësia. Nuk është e lehtë kjo ngjarje, nuk duhet të kishte lëvizur deputeti”, thekson ai.

Më tej ai shton se i vëllai ka qenë duke shkuar për tek tregu agro-ushqimor, për të blerë disa mallra. Ai ndodhej nën shoqërinë e dy kushërinjve të tij, të cilët i kanë shpëtuar fatmirësisht këtij aksidenti të frikshëm.

Dërgesa e fjalëve
Pavarësisht asaj që kishte ndodhur, deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi ka dëshiruar që familjes Sorra t’i shkonte për ngushëllim. Por, nuk ka guxuar të shkojë i vetëm në banesën e tyre. Sipas vëllait të viktimës, deputeti Rakipi kishte dërguar njerëz të tij, ku kërkonte leje për të marrë pjesë në ngushëllimet ndaj familjes së të ndjerit, por, kjo e fundit nuk i ka dhënë një përgjigje përfundimtare, duke bërë që deputeti të mos shkojë në varrim.

Solli njerëzit e tij, të cilët kërkuan leje që deputeti të vinte për ngushëllim në varreza. Nuk ishim të gatshëm për t’i dhënë një përgjigje në ato momente dhe u larguan ashtu siç erdhën. Ne duhet të mblidhemi njëherë të gjithë së bashku për këtë çështje dhe të diskutojmë nëse e pranojmë apo jo. Kjo gjë nuk është e lehtë, pasi ai mori një jetë tonën dhe kjo duhet diskutuar me gruan dhe fëmijët e Seitit”, është shprehur vëllai i viktimës.

Deputeti
Deputeti i PDIU, Aqif Rakipi, autori i aksidenti fatal ku humbi jetën 54-vjeçari në autostradën Tiranë-Durrës shpreh keqardhjen e jashtëzakonshme për humbjen e jetës të një njeriu që sipas tij i preu rrugën në të qindën e sekondës ndërsa ai po udhëtonte herët në mëngjes nga Durrësi për në Tiranë .

E them me sinqeritetin më të madh që jam tej mase i hidhëruar për atë që ndodhi. E kam thënë dhe e ripërsëris që ndjej keqardhje dhe dhimbje për jetën e viktimës. Nuk kam qenë duke ecur shumë shpejt dhe dua të bëj me dije se makina ime është dëmtuar pasi personi u përplas mbi automjet ndërsa po bëja përpjekje për të manovruar kur dallova hijen e personit. Fatkeqësisht nuk kam mundur ta evitoj aksidentimin e tij megjithë përpjekjen e bërë,” tha Rakipi për News24.

“Atë mëngjes po kthehesha pasi kisha qëndruar deri në agim në Durrës, pranë nënës së një njeriut tim që po lëngon nga një sëmundje e rëndë. E bëj publik edhe këtë detaj të panevojshëm pasi po spekulohet edhe se ku isha, ku shkoja e se çfarë mund të kisha për të fshehur pas ngjarjes. Në atë moment gjykova se shkuarja menjëherë në polici ishte zgjidhja më e mirë. Nuk i kam telefonuar askujt. I jam nënshtruar testit të alkolit para kamerave dhe jam trajtuar nga ekspertët sikurse çdo kush tjetër i përfshirë në aksident. Shpreh keqardhje për jetën e humbur dhe nuk ia uroj askujt t’i ndodhë një aksident i tillë. Gjithkush është i bindur që në këtë jetë ka plot gjëra që nuk varen prej vullnetit tonë”, thotë deputeti. Lidhur me akuzat e PD, deputeti Aqif Rakipi thekson se ai nuk shqetësohet për akuzat e ulëta politike, aq më tepër kur bëhet fjalë për një jetë të humbur që dikush kujtohet të bëjë politikë edhe në fatkeqësi. “Nuk dua fare t’i komentoj tani këto, jam i hidhëruar për atë që ndodhi”, përfundoi Rakipi.

Ngjarja
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:40 minuta të mëngjesit të së shtunës, ndërsa nga të dhënat e policisë mësohet se viktima, Seit Sorra 54-vjeç i ka prerë rrugën makinës së deputetit, tip “Benz” me targa AA002 CY. 54-vjeçari Sorra ka qenë duke ardhur nga Durrësi në Tiranë dhe sapo ka zbritur nga një furgon ka tentuar që të kalojë rrugën, jo në mbikalim por në autostradë, kur është përplasur për vdekje nga makina e deputetit. Sorra mësohet se ka qenë tregtar i zonës, ka ndërruar jetë në vend, pasi përplasja ka qenë fatale. Ndërkohë,deputeti nuk ka qëndruar në vendin e ngjarjes, por është larguar, ndërsa pas 10 minutave është dorëzuar në polici. Sakaq, deputeti i PDIU, Aqif Rakipi po lëvizte me makinë nga Durrësi për në Tiranë në momentin që përplasi për vdekje kalimtarin në afërsi të mbikalimit të Rinasit. Aqif Rakipi është deputet i Kuvendit të Shqipërisë i zgjedhur në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 25 qershorit. Ky është mandati i dytë që Rakipi zgjidhet nga populli si deputet nga radhët e Partisë për Drejtësi Unitet dhe Integrim. Ndërkohë, burimet nga Policia e Tiranës bënë të ditur se momentin e dorëzimit pas aksidentit, deputeti ka qenë në gjendje të rënduar emocionale pas asaj që kishte ndodhur dhe kishte parë në vendin e ngjarjes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button