Vëllai i Vuçiçit që i duhet opozitës
Të mërkurën në mbrëmje Aleksandar Vuçiqi e quajti Edi Ramën “një nga pasuritë më të mëdha të Shqipërisë”. Të enjten, në rrjete sociale, në ekrane televizive, deri te Opinioni i Fevzos, Rama ishte zari i Vuçiqit. Brenda një nate një fjali e presidentit serb u bë certifikatë pronësie mbi kryeministrin shqiptar, dhe askush nuk pyeti që kur Beogradi lëshon certifikata të tilla. Në Tiranë, me sa duket, noterët punojnë natën.
Dy ditë më herët i njëjti Vuçiq, në të njëjtën fushatë, e kishte sulmuar edhe një herë aleancën Zagreb, Tiranë, Prishtinë si kërcënim për Serbinë. Deklaratën e mbrojtjes me Kosovën dhe Kroacinë e nënshkruan ministrat e Mbrojtjes të tri vendeve, në Tiranë, më 18 mars 2025. Ministri i Ramës, me mandatin e Ramës. Albin Kurti e kishte kërkuar me vite. Rama e bëri dhe e mban, me gjithë sherrin mes tyre. Vuçiqi e bërtet në çdo tubim. Këtë deklaratë Tirana nuk e dëgjoi. Dëgjoi vetëm tjetrën.
Kështu që pyetja u takon atyre që e quajnë vëlla: nëse Rama është njeriu i Vuçiqit, kush e dërgoi ministrin të nënshkruante marrëveshjen që Vuçiqi e quan rrezik për Serbinë? Dhe pse nga dy deklarata të të njëjtit njeri brenda një jave, zgjodhët pikërisht atë që i duhej atij?
Sepse Vuçiqit i duhej. Ka zgjedhje të dielën. Në intervistën e fundit të fushatës, për Sputnik, e paraqiti veten si njeriun që Perëndimi do ta rrëzojë dhe Serbinë si shtet që duhet mbrojtur. Në atë tregim çdo fqinj ka rolin e vet. Rama e ka dyfish: të hënën kreu i aleancës armike, për votuesin serb; të mërkurën pasuria e Shqipërisë, për rrjetet shqiptare. Njëri publik mori frikën, tjetri mori zarin. Vuçiqi nuk pagoi asgjë për asnjërën. Ka tregtarë që një mall e shesin dy herë. Ai e shet dy herë dhe e mban.
Dhe shikoni çfarë e kritikoi. Rama “gaboi” se u mundua t’i qetësojë protestuesit. “Humbi kohë”. Kjo është kritika e një njeriu që studentët e vet i urren. Kur në Serbi dolën studentët, paqësorë, pa gurë dhe pa maska, Vuçiqi nxori policinë, pastaj nxori të tjerët, njerëz pa uniformë që rrihnin para kamerave ndërsa policia shikonte. Rama duroi gjithë verën sharje në shesh, në parlament, para shtëpisë, dhe policia qëndroi në vend. Kur në tetor dolën falangat e maskuara dhe nisën të djegin qytetin, policia doli me ujë dhe gaz. Legjenda thotë se Rama është kapo bandash. Një javë më parë e pyeta këtu ku i ka. Tirana u dogj tri net dhe bandat nuk u dukën, sepse nuk ka. Ai që i ka, i nxori në Beograd natën e parë. Para të rinjve që dolën në rrugë Rama nxori Besën, Praninë Besnike, pasqyrën e Flamingos dhe atë të çmimeve. Mund të qeshni me emrat. Për Vuçiqin kjo është dobësia që e quajti gabim. Nuk e kritikoi Ramën pse është si ai. E kritikoi pse nuk është.
Në nëntor 2014 Rama shkoi në Beograd, i pari kryeministër shqiptar pas gjashtëdhjetë e tetë vjetësh, në kohën kur edhe aleatët tanë i peshonin fjalët se mos lëndonin Serbinë. U ul krah Vuçiqit, para kamerave të tyre, dhe e tha troç: pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe Serbia duhet ta njohë. Vuçiqi shpërtheu aty për aty, para gjithë Serbisë, dhe ajo mbrëmje është ende në internet për këdo që e ka harruar. Asnjë shqiptar tjetër nuk e ka kërkuar njohjen e Kosovës në mes të Beogradit. Unë e di sa peshon ajo fjali e thënë atje; jam rritur në anën tjetër të saj. Në mars të këtij viti Rama e tha fjalinë që Beogradi e dëgjon më shumë se çdo marrëveshje: kush prek Kosovën, prek Shqipërinë; nëse Kosova është nën kërcënim ekzistencial, edhe Shqipëria është. Më 14 korrik, në një televizion serb, e shtynë të fliste kundër Kurtit. Tha: mos më kërkoni të them në gjuhë të huaj gjëra për Albin Kurtin dhe për vëllezërit e motrat e mia në Kosovë. Më 11 tetor, pasi Daçiqi premtoi flamurin serb mbi Prizren, Ferit Hoxha e përmendi Banjskën me emër dhe e përsëriti të njëjtën fjali në emër të Ramës. Dymbëdhjetë vjet e njëjta fjali. Dhe këto të sivjetmet janë thënë të gjitha pas 18 marsit 2025. Janë dëshmia se Rama e merr deklaratën me Kosovën dhe Kroacinë seriozisht, deri në fund, dhe se Beogradi e di. Vëllai i Vuçiqit?
Dhe nuk mbeti te fjalët. Shqipëria është në investimin më të madh në mbrojtje që nga rënia e komunizmit: baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, Pashalimani që po hapet për flotën aleate, dronët, fabrikat e industrisë ushtarake, buxheti i mbrojtjes në rritje nga viti në vit. Këtë e bën qeveria e Ramës, dhe pas 18 marsit 2025 e bën bashkë me Prishtinën dhe Zagrebin. Me paratë e kujt dhe kundër kujt?
Do të dalë dikush me Ballkanin e Hapur. Flasin për të njerëz që nuk dinë asgjë nga prapaskenat, dhe njerëz që i dinë dhe i heshtin. Ballkani i Hapur nuk u lind në Tiranë. Ishte Gjermania e Merkelit ajo që kërkoi me çdo kusht që shqiptarët dhe serbët të fillonin të flisnin, ishte Merkeli ajo që e shpalli Serbinë lokomotivën e rajonit, ishte Berlini ai që diktoi kushtet dhe ritmin, dhe ishte Uashingtoni ai që insistoi në të. Shqipëria e atyre viteve ishte e varfër, pa zë, dhe nuk kishte ku të zgjidhte. Berlini as që e mendonte se ky vend do të dilte më i fortë nga tërmeti dhe nga Covidi, dhe se një ditë kryeministri i tij, me një mesazh të shkurtër në televizion, do të tërhiqej. Rama nuk u tërhoq sepse ndërroi mendje. U tërhoq sepse Shqipëria tani mund ta mbante Ballkanin hapur edhe pa Serbinë. Kushdo që e njeh e di sa kokëmushkë është dhe se nuk e bind kush për asgjë. Vendimi ishte i tij, dhe ishte shenjë fuqie.
Deri këtu Rama dhe Vuçiqi nuk kanë asnjë pikë të përbashkët. Njëri e kërkoi njohjen e Kosovës në Beograd, tjetri e quan tradhti. Njëri nënshkroi mbrojtjen me Prishtinën, tjetri e quan kërcënim. Njëri duroi një verë sharjesh, tjetri nxori bandat natën e parë.
Dhe më komikja: zhurma më e madhe për “vëllain e Vuçiqit” vjen nga Partia Demokratike, partia që po lufton në Kushtetuese për ta vrarë marrëveshjen prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara për armë. Ata që duan t’i vrasin armët amerikane e quajnë Ramën njeriun e Beogradit. Turp më të madh nuk kam parë.
Rama ka zgjedhur të heshtë. Shkullakut, Bushatit, Këlliçit, Xhixos dhe armatës së trollave marksistë në rrjete sociale nuk u detyrohet asgjë, dhe e sheh si më të dinjitetshme të mos ulet në atë nivel. E kuptoj. Është zgjedhja e një njeriu që e di se çfarë ka bërë dhe nuk ka nevojë t’ia shpjegojë askujt. Në vendin e tij do të bëja njësoj. Prandaj po e shkruaj unë.
Por heshtja ka një kosto, dhe kostoja është e lartë. Përballë nuk ka njerëz që lexojnë fakte. Ka zhurmaxhinj që nuk i shikojnë, dhe fjalia e Vuçiqit, e përsëritur çdo natë, arrin tek ata që nuk e dëgjojnë më Ramën: tek ata me maska, që janë gati ta çojnë këtë deri në fund. Për ta “vëllai i Vuçiqit” nuk është polemikë televizive. Është leje. Dhe arrin edhe më larg, tek shqiptarët jashtë Shqipërisë, në Kosovë, në Luginë, në Maqedoni, në Mal të Zi, që te Shqipëria shohin shpresën për ditët më të vështira. Atyre kjo tezë u helmon të vetmen gjë që kanë rezervë. Nëse Tirana është e Beogradit, ku të kthehen kur Daçiqi të vijë për flamurin? Unë jam njëri prej tyre, lindur në Prizren, në të njëjtin qytet me Daçiqin. Dhe sa më gjatë që kryeministri i vërtetë hesht me dinjitet, aq më shumë flet ai i Vuçiqit pa të.
Beogradit i duhet Shqipëria e përçarë, për ditën kur diçka fillon në veri të Kosovës. Vuçiqi e di se nuk e lëviz dot Ramën nga marrëveshja dhe nga Kosova. Prandaj nuk e provoi. Provoi të na lëvizte ne. Dhe ne lëvizëm, dy ditë rresht, pa pyetur kush po na shtyn.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.