Revolucioni mbërrin në Shqipëri

Të shtunën e kaluar, jashtë portave të mbyllura të Katedrales Katolike të Tiranës, një polic i forcave të ndërhyrjes së shpejtë vrapoi drejt meje me shkopin e ngritur, gati për të më goditur në kokë. Kur bërtita se isha anglez – nuk ishte momenti për të humbur kohë me introspeksionin e pafund që karakterizon debatin aktual politik britanik – ai hezitoi për një çast, por më pas thjesht më shtyu mënjanë. Me kamerën në dorë, e kisha ndërprerë atë dhe kolegët e tij pikërisht në momentin kur po përpiqeshin të godisnin, përmes hekurave të gardhit, një grup adoleshentësh protestues. Këta të fundit ishin futur në oborrin e kishës për të kërkuar strehë, pasi kishin kaluar përmes reve të dendura të gazit lotsjellës mbytës. Pak çaste më parë, protestues të veshur me të zeza jashtë katedrales kishin hedhur bomba molotov drejt policëve, ndërsa këta të fundit përpiqeshin të kalonin me vrull mbi urën këmbësore “Vodafone”. Pasi policia u tërhoq për të ndjekur protestues të tjerë, fola me një vajzë adoleshente që po qante, ndërsa një murgeshë me flokë të thinjura po përpiqej ta ngushëllonte nën statujën prej bronzi të Nënë Terezës. “Ata kanë një urrejtje të tillë në sy; ne thjesht po protestojmë për të drejtat tona, nuk kemi bërë asgjë të gabuar,” tha vajza, duke u dridhur. “E gjithë kjo ndodh sepse qeveria nuk na dëgjon, nuk bën asgjë për të na ndihmuar – as neve, e as ndonjë nga njerëzit e varfër të Shqipërisë,” tha murgesha, dukshëm e zemëruar, me sytë e skuqur nga gazi lotsjellës. Kjo ishte dita e pestë – dhe më e dhunshmja deri më tani – e protestave të udhëhequra nga studentët, të cilat e kanë zhytur kryeqytetin e Shqipërisë në kaos për më shumë se një javë.
Që nga muaji maj, bulevardi qendror i Tiranës kishte shërbyer si skenë për protestat paqësore dhe plot gjallëri të “Revolucionit të Flamingove” – emër që lidhej me kafshët që mendohej se kërcënoheshin nga projekti i zhvillimit bregdetar (i drejtuar nga Kushner) në fshatin Zvërnec, në jug të vendit. Por, nëse “Bulevardi i Flamingove” gjatë verës ishte një lëvizje proteste që e cilësonte veten si revolucion, ajo që po ndodh tani është një përpjekje për revolucion, e cila e paraqet veten si lëvizje studentore. Demonstruesit po përpiqen të rrëzojnë qeverinë e Partisë Socialiste të Edi Ramës – e cila u zgjodh për mandatin e katërt radhazi vetëm vitin e kaluar – me synimin për të instaluar një qeveri teknokrate të përkohshme përpara zgjedhjeve të reja. Të shtunën, për disa orë dramatike, dukej sikur mund t’ia dilnin mbanë. Mijëra protestues kishin mbushur bulevardin kryesor të Tiranës, duke u afruar deri te Kryeministria, selia e qeverisë shqiptare. Të rinj të maskuar dhe të veshur me të zeza shtynin përpara – mes britmave të gëzimit dhe zemërimit – kundër topave të ujit dhe kordonëve të policisë, ndërsa dëgjoheshin thirrje entuziaste sa herë që bombat molotov shpërthenin në flakë mbi automjetet e blinduara, duke i detyruar ato të tërhiqeshin. Edhe pse shkaqet thelbësore — dhënia fund e korrupsionit politik, rritja e shpenzimeve sociale, një sistem i ri politik — mbeten të njëjta, gjendja shpirtërore e protestuesve është bërë tejet më e ashpër. Pakënaqësia e verës ndaj Edi Ramës është zëvendësuar nga një urrejtje e zjarrtë dhe e thellë, që buron nga brendësia e qenies.
Sa herë që protestuesit e dhunshëm lëkundeshin, dëgjoheshin thirrjet: “Poshtë diktatori, poshtë komunistët!” – gjë që i motivonte ata të shtyheshin sërish përpara, drejt reve të dendura të gazit lotsjellës, duke i hedhur mbrapsht kapsulat e gazit dhe duke drejtuar fishekzjarrë drejt radhëve të policisë. Pasi morën nën kontroll një makinë të parkuar, protestuesit e shtynë atë drejt kordonit policor dhe i vunë flakën, duke e detyruar policinë të tërhiqej. Vajza të reja, të veshura me rroba sportive dhe maska kundër Covid-it, si dhe djem të rinj me tuta të zeza e maska skish, vraponin sa më afër policisë për të hedhur objekte të ndryshme, ndërsa i fyenin dhe i shanin. Burrat shpesh bënin gjeste të pahijshme me legenin e trupit drejt kundërshtarëve të tyre – gjeste që nuk kërkojnë njohuri të thella të gjuhës shqipe për t’u kuptuar – duke treguar qartë se çfarë dëshironin t’u bënin oficerëve. Atë mbrëmje të së shtunës, m’u desh dhjetëra herë të largohesha për t’i shpëtuar gazit lotsjellës që të merrte frymën; çdo herë, brenda pak sekondash, një vullnetar vraponte drejt meje për të më hedhur ujë të distiluar në sy – një dëshmi e nivelit mbresëlënës dhe, siç dukej, krejtësisht spontan të organizimit studentor që qëndronte pas protestave. Tea, një studente matematike 21-vjeçare, më pyeti se nga isha, ndërsa më hidhte ujë në sy. “Nga Anglia,” u përgjigja me vështirësi, duke u kollitur. “Atëherë nuk na njeh mirë ne shqiptarët; jemi krejtësisht të çmendur,” qeshi ajo. “Ai do të ikë, dhe ne do të bëjmë që të ikë sa më shpejt të jetë e mundur.”
Në një kafene në trotuar, pranë vendit ku zhvilloheshin protestat, takova Genc Pollon, një intelektual dhe politikan konservator të shquar, si dhe një kritik të ashpër të qeverisë së Ramës. Duke qenë një figurë e kulturuar, ishte e papritur ta shihje me syze noti të vendosura mbi kokë – një përpjekje për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës i protestave, të cilat ai tashmë i vëzhgon çdo mbrëmje. Ai më tha se, nëse qeveria do t’i kishte dëgjuar protestat e “Flamingove”, e gjithë kjo dhunë mund të ishte shmangur. “Por përgjigjja nga qeveria ishte kryesisht tallje dhe përqeshje; i quanin spiunë të huaj, manipulues algoritmikë, e gjëra të këtij lloji.” Në vend të lëshimeve, qeveria u përgjigj “menjëherë me polici, gaz lotsjellës e shkopinj gome – e tani edhe me plumba gome – duke e shndërruar situatën në një përballje të dhunshme”. Kjo, sipas tij, është “një zhvillim shumë logjik i situatës. Nëse frustrimi, pakënaqësia dhe ankesat legjitime do të ishin trajtuar seriozisht – e jo me manovra shpërqendruese, propagandë dhe, për më tepër, tallje ndaj protestuesve – atëherë situata mund të ishte orientuar drejt rrugëve paqësore, zgjidhjeve paqësore dhe marrëveshjeve.” A ekziston ndonjë zgjidhje ku Rama të mbetet në pushtet? “Nuk besoj se është e mundur,” më tha Pollo. “Duke qenë se situata është tensionuar dhe është bërë e dhunshme, nuk mendoj se do të zgjasë aq sa protestat e ‘Flamingove’. Në thelb, çfarëdo që të ndodhë, gjithçka do të vendoset brenda një harku kohor më të shkurtër.”
Teksa u ktheva në bulevard, mes zhurmës së kapsollave të gazit lotsjellës, e pyeta Jurgenin, një student drejtësie 20-vjeçar, se pse ndodhej aty. “Për shkak të qeverisë së korruptuar dhe gjithçkaje që ka ndodhur gjatë 13 viteve të fundit,” më tha ai. “Kryeministri duhet të japë dorëheqjen – shpresojmë këtë fundjavë – për shkak të protestave masive; ai duhet të reflektojë mbi këtë. I dhamë 140 ditë kohë, duke kërkuar në mënyrë të sjellshme, por ai nuk dëgjoi; ndaj tani gjërat kanë marrë një kthesë tjetër. Ky është rezultati i shpërfilljes ndaj popullit shqiptar.” “Nuk mund të përmend asnjë gjë të vetme që ai ka bërë, e cila të më ketë sjellë dobi si student apo si shqiptar.” Pas tij, një grup grash të moshuara – mes të cilave edhe një me hixhab – po shkulnin gurët e kalldrëmit dhe po mbushnin një karrocë pazari me rrota, për ta shtyrë më pas drejt të rinjve që ndodheshin në vijën e parë. Në fakt, për një protestë të “Gjeneratës Z”, në ballë të përplasjeve kishte një numër befasues burrash me flokë të thinjura, të cilët gjuanin me gurë dhe shufra metalike drejt kordonëve të policisë.
Ndërsa dhuna udhëhiqet nga studentë dhe nxënës shkollash, protestuesve të sjellshëm të shtresës së mesme – që dolën në sheshe gjatë verës – u janë bashkuar tani edhe individë më të ashpër e të moshuar; ka shenja se anëtarë të grupeve të tifozëve ultras nga Tirana i kanë lënë mënjanë rivalitetet e tyre për t’i dhënë fund pushtetit të Kryeministrit, i cili ndodhet nën presion të madh. Thirrjeve të verës, si “Rama ik” apo “Rama në burg, Berisha në burg”, u është shtuar një tjetër: slogani i “Ballit Kombëtar” – lëvizjes së rezistencës së krahut të djathtë gjatë Luftës së Dytë Botërore – “Shqipëria për shqiptarët, vdekje tradhtarëve”.
Megjithatë, për shumë protestues, shqetësimi kryesor lidhet me gjeopolitikën bashkëkohore. “Rama do të ikë,” më tha një burrë rreth të tridhjetave, “por do të largohet vetëm kur kombet e tjera, Amerika dhe Evropa, ta detyrojnë atë; sepse ai ka karakter të keq, është njeri i vështirë, e për më tepër është i lidhur me banda kriminale, si dhe me Izraelin.” Nëse projekti i Zvërnecit, i drejtuar nga Kushner, shërbeu si shkëndija për protestat e verës (të njohura si protestat “Flamingo”), ndjesia e përhapur se qeveria e Ramës është tepër e afërt me Izraelin ka ushqyer teori të shumta konspirative. Sipas këtyre teorive, Tel Avivi paska dërguar përforcime dhe pajisje për kontrollin e turmës në ndihmë të policisë shqiptare, ndërsa Rama e paska shitur vendin te interesat izraelite. Mes kërkesave të shumta për revolucion, të shkruara në muret e bulevardit, binte në sy edhe një mesazh i shkurtër me bojë spraj: “Qiftë nënën Rama çifuti.” Në një vend që është thellësisht nacionalist, madje edhe sipas standardeve ballkanike, qëndrime të ndryshme politike – si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta – janë bashkuar tashmë në një përpjekje të përbashkët për të rrëzuar qeverinë. E pyeta Eldisonin, një student 20-vjeçar i inxhinierisë softuerike, nëse protestat “Flamingo” ishin shndërruar në një revolucion. “Ka qenë gjithmonë revolucion, sepse ne po luftojmë për të ardhmen tonë, për të drejtat tona, për vendin tonë,” tha ai. “Rama nuk do të japë dorëheqjen, por do të vrasë veten.” Pse? – e pyeta. “Është pak a shumë si punë hebrenjsh,” tha ai, duke ngritur supet.
Qeveria shqiptare nuk e pranoi kërkesën për një intervistë, por ofroi t’u përgjigjej një sërë pyetjesh me shkrim. Kur dërgova një listë të detajuar, nuk mora përgjigje; në vend të kësaj, më dërguan transkriptin e një fjalimi televiziv të Edi Ramës, në të cilin ai fajësonte “antifa”-t, “neo-komunistët”, “neo-ballistët”, opozitën politike dhe Iranin për trazirat. Në një kafene brenda një qendre tregtare, takova një figurë të rëndësishme nga brenda Partisë Socialiste, e cila pranoi të më jepte një intervistë me kushtin e anonimitetit. “Ajo që është e re tani, është shpërthimi i papritur i sulmeve ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimi i zyrave publike,” – më tha bashkëbiseduesi. “Por besoj se këtu luan rol edhe doktrina policore; të paktën në ditët e para, u duk se u lejuan disi që të shfrynin zemërimin.” Ndërkohë, edhe retorika e ashpër – për të cilën bashkëbiseduesi fajësoi “bot”-et (llogari të automatizuara në internet) – dukej se ishte diçka e re. “Çfarë thonë ‘bot’-et? ‘E keni shitur këtë vend te Izraeli’. ‘Jeni të gjithë hajdutë’ – ky është elementi i dytë. Dhe: ‘Do t’ju vrasim e do t’ju djegim’. Pra, këto janë tri temat kryesore.”
Retorika po bëhej gjithnjë e më e zymtë, më tha bashkëbiseduesi. “Herën e fundit që shqiptarët i kanë quajtur shqiptarë të tjerë ‘tradhtarë’, ka qenë në vitet 1943, 1944, 1945. Sot, një akuzë e tillë është krejtësisht jashtë kontekstit; por, nga ana tjetër, kemi të bëjmë me një brez që nuk e kupton peshën specifike të kësaj fjale në historinë shqiptare. Dhe, për mua, kjo është shumë e rrezikshme.” Në fakt, bashkëbiseduesi më tregoi se ka tri gjëra që e shqetësojnë aq shumë, sa nuk e lënë të flejë natën. E para është rritja e inflacionit te mallrat e domosdoshme, një fenomen që vjen nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, Italia dhe Greqia. E dyta është frika se retorika e ashpërsuar mund të çojë në ndonjë vdekje, pas së cilës situata mund të dalë plotësisht jashtë kontrollit. E treta, sipas tij, është mungesa e vullnetit për të shqyrtuar rrugët kushtetuese për zgjidhjen e ngërçit, pasi palët kërkojnë vetëm fitoren absolute. “Prandaj më duket disi e çuditshme kur thonë, për shembull: ‘Na duhet një përgjigje politike për këtë krizë’. Dua të them, nëse shkon te qeveria dhe i thua: ‘Dëgjoni, para se të flasim, ju duhet të jepni dorëheqjen’, ky është një diktat. Nuk është një zgjidhje politike, apo jo? Mund të jetë një rezultat politik, por nuk është një pikënisje politike.” A do të japë dorëheqjen Rama? “Jo, por po zhvillohen diskutime se cila është rruga përpara.” Pasi përfundoi intervista, biseda jonë e zakonshme u ndërpre papritur kur shoferi i tyre u afrua për t’i njoftuar se protestuesit kishin mbërritur në zonë dhe se duhej të largoheshin. Kjo protestë, si pothuajse të gjitha tubimet e protestuesve kohët e fundit, u shpërnda me shpejtësi nga policia, e cila përdori gjerësisht gaz lotsjellës dhe topa uji.
Në selinë e Partisë Demokratike, opozitës konservatore të Shqipërisë, takova Belind Këlliçin, nënkryetarin e ri të partisë, i cili është arsimuar në Amerikë. Në zyrën e tij, ndërsa në murin pas tij qëndronin të kornizuara fotografi me dedikim të Donald Trump-it dhe JD Vance-it, në dysheme gjendej një grumbull maskash kundër gazit dhe jelekësh mbrojtës plastikë. Një natë më parë, policia kishte hedhur sasi të mëdha gazi lotsjellës brenda kompleksit; sipas Këlliçit, kjo ishte pjesë e një plani ku agjentë provokatorë do ta digjnin godinën, për t’ua hedhur fajin protestuesve. E pyeta Këlliçin se çfarë nënkuptonte me postimin e tij në Twitter një ditë më parë, ku thuhej: “Ky përbindësh, që kërkon gjak me çdo kusht, e meriton fatin e çdo diktatori që është tërhequr zvarrë nga populli i tij.” “Ai [Rama] është diktator dhe është kreu i narkoshtetit të parë në Evropë,” u përgjigj ai. “Unë them se Partia Socialiste nuk është armiku im. Ajo është kundërshtari im politik; por, po të shihni se çfarë i ka bërë Edi Rama Partisë Socialiste – dhe mund t’i kontrolloni të dhënat e dekadës së fundit – do të shihni dhjetëra ministra, kryetarë bashkish, deputetë dhe zyrtarë të lartë që ndodhen në burg për korrupsion, trafik droge, vjedhje parash, pastrim parash dhe afera të tjera.”
E pyeta Këlliçin se çfarë do të ndodhë më tej me qeverinë e Ramës. “Nuk mund t’ju them nëse kjo do të ndodhë brenda këtij muaji apo brenda këtij viti kalendarik, por jam shumë i sigurt se, brenda një periudhe shumë të shkurtër – në javët apo muajt e ardhshëm – ajo do të detyrohet të largohet,” tha ai. “Nuk ka mundësi që njerëzit të vazhdojnë kështu. Nuk ka mundësi që ne të shkojmë në parlament dhe të bëjmë sikur gjithçka është normale. Nuk do ta bëjmë këtë. Ne do të qëndrojmë krah studentëve. Do të qëndrojmë krah protestuesve. Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për t’i mbështetur dhe mbrojtur ata.” Sa u përket ditëve në vijim, Këlliçi pohoi: “Kemi marrë një informacion nga rrethi i tij më i ngushtë brenda Kryeministrisë se ai po përpiqet të shkaktojë një vdekje gjatë protestës. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për studentë apo për forcat e policisë. Ai po përpiqet ta përdorë këtë si justifikim për ta ndërprerë menjëherë protestën, për të gjetur një mënyrë për të arritur një marrëveshje me studentët dhe për të thënë: ‘Mjaft më, nuk mund të vazhdohet më kështu; një viktimë mjafton, ndaj duhet të gjejmë një zgjidhje politike’.” Megjithatë, Këlliçi shtoi: “Nuk shoh që studentët të tërhiqen. Nuk shoh që qytetarët, njerëzit e Tiranës dhe të qyteteve të tjera, të ndalen.”
Sigurisht, dhuna në rrugë – e cila shfaqet me faza qetësie dhe përshkallëzimi – nuk ka marrë fund; po ashtu nuk kanë përfunduar as tubimet masive, të cilave u janë bashkuar tashmë edhe pedagogë universitarë e mësues në grevë. Të premten, iu bashkova protestuesve para Ministrisë së Arsimit në rrugën e Durrësit, vend që është shndërruar në pikën kryesore të protestave të mëngjesit, përpara se një turmë shumë më e madhe të mblidhet më vonë gjatë ditës përgjatë bulevardit qeveritar. Policia kishte marrë një qëndrim mbrojtës, e mbledhur rreth një automjeti me top uji, gryka e të cilit lëvizte dhe pikonte, në pritje të dhunës që do të pasonte. Një grup nxënësesh, të kapura për krahu, u shtynë drejt vijës së parë, duke sfiduar policinë që t’i largonte me forcë. Pasi disa protestues meshkuj vrapuan pas tyre dhe filluan të hidhnin gurë, policia veproi: fillimisht duke përdorur topin e ujit, e më pas duke lëshuar breshëri gazi lotsjellës. I kërkova njërës prej vajzave një intervistë. “Prindërit e mi nuk do të gëzoheshin,” tha ajo, ndërsa uli maskën kundër Covid-it. I thashë se intervista do të ishte anonime. “Ah, në rregull,” u përgjigj ajo. “Jemi këtu për të rrëzuar diktatorin Edi Rama,” tha ajo me një buzëqeshje të gëzuar, para se të largohej me vrap kur nisi vala tjetër e gazit.
Gratë ishin po aq të pranishme në vijën e parë të përleshjeve sa edhe burrat; një grua rreth të tridhjetave, që mbante krahë engjëlli ngjyrë rozë, vrapoi drejt policëve për t’u hedhur një gur në fytyrë, ndërsa një vajzë e re me hixhab dhe veshje modeste theu një gur kalldrëmi buzë trotuarit, e hodhi drejt policisë dhe u largua me shpejtësi duke qeshur. Më vonë atë mbrëmje, ndërsa turma e protestuesve para ndërtesave qeveritare në bulevard u shndërrua në një turmë të dhunshme, pashë qindra protestues të shkulnin gurët e kalldrëmit dhe t’i gjuanin policinë me ta. Disa u ngjitën në ndërtesën e Parlamentit dhe thyen dritaret duke përdorur mbajtëse çeliku për biçikleta; ata u përpoqën të thyenin dyert e rënda prej druri, por u shpërndanë nga breshëri të njëpasnjëshme gazi lotsjellës, në një përleshje që vazhdoi gjatë gjithë natës. Në ditët e para të trazirave, qeveria u përpoq të krijonte përshtypjen se gjithçka ishte normale, duke dërguar ekipe gjatë natës për të pastruar mbetjet dhe për të lyer mbi parullat e shkruara nëpër mure – me shpresën, pa dyshim, se protestat do të shuanin vetvetiu. Megjithatë, së paku, turma të mëdha njerëzish që thyejnë dritaret dhe dyert e parlamentit e të selisë së Kryeministrit për t’u vënë zjarrin, përbëjnë padyshim një shmangie nga procedurat e zakonshme parlamentare. Për më shumë se një javë, puna e Parlamentit u pezullua, ndërsa trazirat pushtuan jetën e përditshme në kryeqytet.
Të dyja palët, qeveria dhe protestuesit, e fajësojnë njëra-tjetrën për dhunën. Të premten dhe të shtunën, nga ajo që shihej në terren, dukej se policia e përdori forcën vetëm për mbrojtje – pasi u përball me sulme të vazhdueshme, ose në përpjekje për të parandaluar mësymjen apo shkatërrimin e ndërtesave qeveritare. Por, në përpjekje për të shmangur një “Maidan” shqiptar në qendrën e pushtetit, policia ka aplikuar taktika të reja për të shpërndarë grupet e protestuesve: përdorimin e topave të ujit, ndërhyrjet me shkopinj gome, qitjen me plumba gome nga pushkët gjahu, si dhe hedhjen e vazhdueshme të gazit lotsjellës, i cili mbetet pezull mbi qendër të qytetit si një mjegull e dendur, thuajse e përshkruar në romanet e Dikensit. Personat e dyshuar si pjesëmarrës në trazira arrestohen paraprakisht nga grupe të posaçme policore, ndonjëherë edhe në mënyrë krejtësisht të rastësishme. Gjatë natës, efektivë të njësisë elitë të forcave speciale, RENEA, rrethojnë zyrën e Kryeministrit, duke bërë të qartë – me një qëndrim tejet të prerë – se nuk dëshirojnë të fotografohen. Megjithatë, edhe pse taktikat e reja të policisë e kanë zbutur kërcënimin ndaj ndërtesave qeveritare, pasojë e kësaj ka qenë zhvendosja e dhunës në rrugët përreth. Grupe protestuesish përfshihen në përleshje të vazhdueshme gjatë mbrëmjes, si në bulevardet kryesore tregtare, ashtu edhe në rrugicat e ngushta mes tyre; ata thyejnë banka e kamera sigurie, ngrenë barrikada të improvizuara me kosha plehrash e orendi urbane për të ngadalësuar furgonët e policisë që i ndjekin, si dhe hedhin fishekzjarre e lëndë piroteknike drejt ndërtesave qeveritare, në përpjekje për t’u vënë zjarrin.
Protestat dhe trazirat kanë kaluar me shpejtësi nga një ngjarje tronditëse në një pjesë të pandarë të jetës së përditshme në Tiranë – një normalitet i ri me të cilin shqiptarët duhet të mësohen të bashkëjetojnë, me të gjitha vështirësitë, por edhe avantazhet e çuditshme që sjell. Kioska ku zakonisht blija cigaret e mia të preferuara vendase është djegur, ashtu si shumë të tjera në qendër të qytetit. Nga ana tjetër, kalimi i rrugës – një ndërmarrje e rrezikshme edhe në kohë normale – është bërë më i lehtë, pasi janë shkatërruar të gjithë semaforët në qendër, duke i detyruar shoferët të ndalojnë, qoftë edhe me pahir, për t’u hapur rrugën këmbësorëve. Televizionet informative transmetojnë pa ndërprerje pamje nga përleshjet në rrugë, të filmuara nga kameramanë me maska kundër gazit, të cilët qëndrojnë mbi furgonë. Klientët që ulen jashtë nëpër restorante dhe kafene e ndjekin këtë kaos si të ishin tifozë futbolli; pronarët e lokaleve u shpërndajnë shishe uji protestuesve që kalojnë pranë, duke u thirrur “bravo”, ndërsa turistët e hutuar, sapo dalin nga hotelet, mbyten nga gazi lotsjellës teksa përpiqen të kalojnë mes radhëve të përplasura të demonstruesve dhe policisë.
Përgjatë rrugës “Mine Peza”, një nga arteriet kryesore të Tiranës, pothuajse të gjitha dyqanet janë të mbyllura; në qepenat e tyre metalike janë ngjitur fletë formati A4 ku shkruhet: “Jemi me ju! Ju lutemi, mos na e shkatërroni biznesin!” Te kafeneja e njohur “Taiwan”, e vendosur në një park pranë bulevardit kryesor, pashë roje sigurie të fuqishme që i largonin policët e forcave të ndërhyrjes së shpejtë, të cilët përpiqeshin të hynin brenda për të arrestuar protestuesit. Kur policia u dorëzua dhe u largua, parku shpërtheu në brohoritje dhe duartrokitje. Me të dyja palët që duket se po përgatiten për një betejë të gjatë, sfida e vërtetë tani është se kush do të fitojë durimin dhe mbështetjen e shumicës së banorëve të Tiranës. Në një rrugë tregtare mjaft të frekuentuar, pashë kalimtarë që u bënin vërejtje protestuesve që po përpiqeshin t’i vinin zjarrin një banke, duke treguar me zemërim nga apartamentet e banuara që ndodheshin sipër. “Më vjen neveri nga kjo që po ndodh,” më tha pronari i një kafeneje. “Le t’i djegin ministritë, dakord, s’ka problem, por le ta lënë të qetë pronën private dhe bizneset e vogla. Rama nuk do të largohet kurrë. Unë jam 40 vjeç dhe e di që Shqipëria nuk do të ndryshojë kurrë.”
Jashtë Ministrisë së Arsimit, takova deputeten 25-vjeçare Marjana Koçeku, e cila u zgjodh në parlament për Partinë Socialiste të Ramës vetëm vitin e kaluar dhe dha dorëheqjen kur nisën protestat “Flamingo”. Teksa bisedonim, mes shpërthimeve të forta të granatave lotsjellëse, biseda jonë u ndërpre dy herë nga gra më të moshuara, të cilat iu afruan për ta puthur dhe për ta falënderuar për mbështetjen e saj. “Duke qenë pjesë e këtij grupi [Partisë Socialiste], kuptova se, thjesht duke qenë pjesë e tij dhe duke dhënë votën time në mbështetje të tyre, po kontribuoj në shkatërrimin e vendit tim,” më tha ajo. “Mendoj se është thelbësore të ketë një reformim të thellë të sistemit të elitës politike që kemi aktualisht, sepse ata janë thellësisht të rrënjosur në një mentalitet korrupsioni dhe në një dhunë sistematike në mënyrën se si bëhet politika dhe si qasen ndaj qytetarëve. Ndaj, nëse kjo është një zgjidhje e sigurt dhe e shëndetshme për vendin tonë, unë e mbështes plotësisht.” Ajo shtoi: “Besoj se kjo protestë nuk do të përfundojë së shpejti. Pres që të zgjasë për njëfarë kohe dhe kam besim të plotë se do të ketë rezultate të mira e pozitive nga kjo protestë dhe nga kjo lëvizje. I vetmi veprim politik i domosdoshëm që duhet të vijë tani nga ana e qeverisë, është dorëheqja e Kryeministrit – dorëheqja nga qeveria e tij dhe nga politika në përgjithësi – sepse ai pati kohë të mjaftueshme për të parë se çfarë kërkon vërtet kombi ynë dhe për të kuptuar se nuk mund të jetë figura e duhur për ta udhëhequr Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian, veçanërisht pas të gjitha skandaleve që kanë dalë në dritë.” E pyeta Koçekun nëse protestat “Flamingo” ishin shndërruar tashmë në një revolucion. “Revolucionet janë të bukura,” tha ajo duke buzëqeshur, “dhe mezi pres të shoh një të tillë në vendin tim.”
Gjatë përleshjeve në rrugën e Durrësit, u ndesha me aktivisten revolucionare shqiptaro-kanadeze, Bora Mitrovica, të cilën e kisha intervistuar gjatë verës. “Kishe të drejtë,” i thashë, “që protestat ‘Flamingo’ do të ktheheshin shpejt në të dhunshme.” “I njoh njerëzit e mi,” u përgjigj ajo, “thjesht më habit fakti që u desh kaq shumë kohë.” Megjithatë, mbetet e dyshimtë nëse protestat do ta detyrojnë vërtet Ramën të japë dorëheqjen. Edhe pse dukej se po lëkundej fundjavën e kaluar, shteti e ka forcuar më pas përdorimin e forcës shtrënguese, duke vepruar me më shumë vendosmëri e siguri, gjë që ka penguar protestuesit të mblidhen apo të qëndrojnë në pozicionet e tyre. Thirrjet e protestuesve për respektimin e standardeve evropiane lidhur me menaxhimin njerëzor të turmave, zbehen kur krahasohen me trazirat dhe metodat e ashpra policore që shihen aktualisht në Francë dhe Itali. Duke qenë se Rama e lidh drejtpërdrejt dhunën në Tiranë me trazirat në Evropën Perëndimore, për aktivistët shqiptarë kundër qeverisë, ky është ndoshta një moment i pafat; kryengritja e tyre ka mbetur nën hijen e ngjarjeve që po ndodhin në zemër të Bashkimit Evropian.
Mbetet për t’u parë nëse protestuesit do të zhvillojnë taktika të reja dhe më efektive, ashtu siç ka bërë qeveria. Udhëheqësit fetarë të vendit — myslimanë sunitë, ortodoksë dhe katolikë — kanë bërë thirrje të përbashkëta për qetësi dhe dialog, duke lënë të kuptohet për një tranzicion politik. Por, edhe sikur qeveria të dëshironte të negocionte me protestuesit, nuk është e qartë se me kë mund të negocionte. Gjatë drekës, një diplomat perëndimor i irrituar, i cili ishte përpjekur të kontaktonte me demonstruesit, më tha se ata ende nuk e dinë se kush e udhëheq lëvizjen, apo nëse vërtet ka ndonjë udhëheqës. Pra, shpresa e qeverisë duhet të jetë që revolucioni i tentuar të shndërrohet sërish në një lëvizje proteste, me të cilën ajo mund të zgjedhë të negociojë ose, përndryshe, të vazhdojë ta shpërfillë. Së shpejti do të vijnë shirat e dimrit, të cilat mund ta zbehin vullnetin e protestuesve për t’u mbledhur në numër të madh, por gjithashtu do të kufizojnë efektivitetin e gazit lotsjellës, mbi të cilin mbështetet gjithnjë e më shumë autoriteti i Ramës. Një mundësi tjetër është që protestat të shndërrohen në një lëvizje zgjedhore jashtë kontrollit të ndonjërës prej dy partive kryesore, siç ndodhi në Serbi, ku lëvizja dyvjeçare e studentëve protestues duket se, këtë fundjavë, është në prag të marrjes së pushtetit. E vetmja gjë që mund ta ndryshonte rrënjësisht situatën — siç më thanë pothuajse të gjithë ata me të cilët fola — do të ishte një vdekje si pasojë e trazirave; në atë rast, siç m’u përsërit shpesh, “mund të ndodhë gjithçka”.
Por, për momentin, dy palë të palëkundura — Edi Rama dhe protestuesit — janë përfshirë në një betejë vullnetesh, pa asnjë mundësi reale për uljen e tensioneve, përveçse përmes disfatës së plotë të kundërshtarit. Të hënën, në bulevard — i cili ishte çuditërisht i qetë pas përdorimit të dhunës së tepruar nga policia një ditë më parë — u takova sërish me Borën. “Nuk më pëlqen kjo,” tha ajo, duke bërë me shenjë nga grupi i vogël i njerëzve me pankarta jashtë zyrës së Kryeministrit. “Nëse kjo protestë kthehet në paqësore, atëherë kemi humbur.” Nuk kishte pse të shqetësohej: përplasjet kanë rifilluar. E lënë në hije nga trazirat në pjesë të tjera të Evropës, kriza më e rëndë politike në Shqipëri gjatë viteve të fundit duket se ka ende një rrugë të gjatë përpara. Ndoshta, në vend që t’u drejtohen institucioneve të BE-së për ndërmjetësim, ndikimi më i madh do të jetë zhgënjimi ndaj një bërthame evropiane, e cila, në thelb, nuk është edhe aq e ndryshme nga Shqipëria.
Aris Roussinos është gazetar britanik. Ky shkrim u botua fillimisht në UnHerd.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.