Vendimet e qeverisë, Lamallari: U miratua paketa e mbështetjes për familjet e policëve të rënë në detyrë dhe të plagosurit
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi dhe ministri Brendshëm, Besfort Lamallari kanë zbuluar këtë të mërkurë vendimet që u morën në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Nufi gjatë fjalës së tij u shpreh se Shqipëria do të dërgojë në Gaza oficerë ushtarakë.
“Javën që vjen, do të marrim vendimin, Shqipëria ka marrë një angazhim dhe lidhet me faktin që do të dërgojmë oficerë të shtabit në Gaza. Shqipëria do të jetë pjesë e këtyre trupave, kemi bërë një shqyrtim të rrethanave në Gaza dhe do të dërgojmë oficerët e shtabit. Samiti i NATO-s është vendosur që do të zhvillohet në Shqipëri. Në lidhje me zhvillimin e samiteve vendosen nga krerët e shteteve. Samiti do të zhvillohet në 2027, ose jo, kjo gjë do të merret nga krerët e shteteve anëtare”, tha ministri Nufi.
Nga ana tjetër Lamallari pas mbledhjes së qeverisë u shpreh se janë miratuar dy vendime të rëndësishme. Njëri vendim përcakton masën dhe procedurat për punonjësit e policisë të cilët do të marrin shpërblim dhe mbështetje kur plagosen gjatë ushtrimit të detyrës.
“Kabineti qeveritar gjykoi me rëndësi të miratohej vendimi që përcakton masën, procedurat dhe rregullat për trajtimin ekonomik financiar për punonjësit e policisë së shtetit që kanë humbur jetën në detyrë dhe shpërblimin që duhet të marrin punonjësit që janë plagosur në detyrë.
Ky vendim trajton në mënyrë shteruese si nga ndihma e menjëhershme që shkon deri në 10 paga mujore bruto të punonjësit të ndjerë te pensioni familjar suplementar, bursa të plota arsimore për sistemin parauniversitar dhe të lartë për fëmijët e punonjësve, punësim me prioritet për familjarët e punonjësve të policisë që kanë rënë në krye të detyrës.
Ajo që rregullohet është edhe banesat falas për familjarët, përfshirë bashkëshortët dhe të miturit që përfitojnë banesa të ndërtuar nga Enti Kombëtar i Banesave apo që vijnë nga zbatimi i projekteve të monitoruara nga Korporata e Investimeve dhe banesa që janë konfiskuar nga krimi i organizuar”, tha ai.
Një tjetër vendim lidhet me pikat e përbashkëta kufitare me Maqedoninë e Veriut që do të lehtësojnë lëvizjen e udhëtarëve dhe automjeteve midis dy vendeve.
“Pikat e përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen në mënyrë të përbashkët të veprimtarive mes autoriteteve përkatëse të kontrollit kufitar për udhëtarët, automjetet dhe kamionët. Kjo është për turizëm më cilësor dhe ekonomi më të fortë. Do të shfrytëzojmë periudhën deri në ratifikimin në parlamente përkatëse, po ndjekim procedurat, do të shfrytëzojmë periudhën e testimit për të lehtësuar në praktikë kalimin e qytetarëve dhe mallrave”, tha Lamallari.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.