Arte

Vepra më e mirë shkencore për Skënderbeun, fitojnë Aurel Plasari dhe Lucia Nadin

​“Skënderbeu, një histori politike” shkruar nga Aurel Plasari dhe “Shqipëria e rigjetur” shkruar nga Lucia Nadin, janë shpallur si dy nga veprat më të mira të konkursit për veprën më të mirë shkencore kushtuar Skënderbeut, shpallur nga Akademia e Shkencave në 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut

“Skënderbeu, një histori politike” shkruar nga Aurel Plasari dhe “Shqipëria e rigjetur” shkruar nga Lucia Nadin, janë shpallur si dy nga veprat më të mira të konkursit për veprën më të mirë shkencore kushtuar Skënderbeut, shpallur nga Akademia e Shkencave në 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Juria e përbërë nga Pëllumb Xhufi, Luan Starova, Shaban Sinani, Rezervan Teodoroacu dhe Matteo Mandala kanë zgjedhur këto dy vepra, si më të arrirat për nga pikëpamja shkencore kushtuar figurës së heroit tonë kombëtar.

Në ceremoninë e mbajtur në Akademinë e Shkencave morën pjesë akademikë e njerëz të kulturës. I pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili i dorëzoi çmimin e madh Lucia Nadin. ”Ka shumë prapambetje dhe varfëri shkencore pas shthurjes së kësaj akademie. Shpresojmë që Akademia e së nesërmes të bëjë ndryshimin e madh në fushën e kërkimit shkencor duke fituar të drejtën për të marrë nga fondet e Bashkimit Europian. Shqipëria është e fundit në Evropë për kërkimin shkencor dhe krahasuar me Serbinë dhe Maqedoninë”, tha kryeministri Rama. Albanologja Lucia Nadin në librin e sjellë në shqip në vitin 2012 nën përkthimin e Pëllumb Xhufit sjell zbulim gjurmësh shqiptare në kulturën dhe artin e Venetos në shek. VI.
Libri i kthen Shqipërisë protagonistë të kulturës dhe artit të Venecies të shekullit XVI dhe tregon përkatësinë e tyre në familje të mërguara në tokat e Republikës së Përndritur. Fill udhërrëfyes i hulumtimit është veprimtaria e Bernardino (de) Vitali – t, me rëndësi të madhe në Venecie si kryeqytet evropian i shtypit. Lidhjet e tij kulturore hedhin dritë të re edhe në prapaskenën e formimit të historianit humanist shqiptar Marlin Barletit. Nga jeta dhe vepra e Barletit përcaktohen data e saktë e fillimit të veprimtarisë si prift, viti 1494, si dhe data e hartimit të veprës “Jeta e Skënderbeut”, viti 1510. Libri paraqet gjithashtu personalitetin e Paolo Campsa – s, lindur në Venecie, por nga një familje me prejardhje nga Shkodra, të cilin sot kritika e artit e njeh si gdhendësin më të madh të drurit në Rilindjen veneciane. Më pas ndriçon veprën e Giovanni (de) Vitali – t, kushëri i Bernardino – s, transkriptues i Matricola – s e “Shkollës së Shqiptarëve”, kaligraf i çmuar në Kancelerinë dukale veneciane dhe piktor miniaturash.
Më në fund hap një debat të ri mbi Gjon Buzukun, identitetin e tij, praninë e tij në Venecie, mbi Mesharin e tij, botuar në 1555: teksti i parë në gjuhën shqipe, i menduar për të mbrojtur shqiptarinë që po zbehej. Dhe me të vërtetë, në tokën venete, dukuria e emigracionit u karakterizua nga një proces i shpejtë i integrimit dhe i bashkëjetesës mes venecianëve dhe shqiptarëve. Këta jetuan të lidhur me atdheun e tyre të parë, por qenë edhe krenarë për atdheun e ri. Libri mbush një zbrazëti në kujtesën historike të Shqipërisë. Mbi autoren Lucia Nadin, veneciane, ka kaluar në Shqipëri një periudhë të gjatë mësimdhënieje dhe pune kërkimore. Ka përgatitur botimin e “Statuteve të Shkodrës” duke nxjerrë në dritë tekstin nga Biblioteka e Muzeut të Venecies: një “monument” i historisë mesjetare të Shqipërisë. Ka rindërtuar dukurinë e emigrimit shqiptar në krahinën e Venetos mes shekujve XV e XVI në librin “Shqiptarët në Venedik, mërgim e integrim 1479 – 1552”. Ka studiuar traditën ikonografike të Skënderbeut në anijen e dukëve të Venecies, të famshme Bucintoro. Po punon mbi mërgimin e klerikëve katolikë në tokat e Republikës së Përndritur mes shekujve XV dhe XVI, në lidhje me porositjen e veprave të artit. Në vitin 2010 ka marrë titullin e qytetares së nderit të Shkodrës.
Ndërsa Aurel Plasari në librin e botuar më 2010 kërkon ta shohë figurën e Skënderbeut në kompleksitetin e saj. Skënderbeu ishte jo vetëm një nga ushtarakët më të shquar të shek. XV. Ai ishte gjithashtu një realist politik. Historiani që studion burimet dokumentare lidhur me karrierën e tij gjen dëshmi të pareshtura të qartësisë së vizionit të Skënderbeut. Ashtu si papët, ai kishte një kuptim të thjeshtë mbi marrëdhëniet me turqit: të luftojë gjithmonë me ta, duke bërë paqe (kur ishte e mundur) vetëm për të fituar kohë për përgatitje të mëtejshme për luftë. Sado të rrekeshin venedikasit, gjenovezët dhe grekët moreotë të peshonin protë dhe kundrat për bashkëjetesë paqësore me turqit, Skënderbeu ishte i mendimit se çmimi përfundimtar i një paqeje të tillë do të ishte robëria përdhosëse. Sado ndjesi nderi të kishin pasur sulltanët e mëparshëm, Mehmeti ll as donte t’ia dinte për skrupuj moralë. Egoist i pamëshirshëm, ëndërrimtar arrogant, ai nuk i jepte asnjë rëndësi jetës njerëzore dhe nuk kishte kurrfarë respekti për dinjitetin e të tjerëve.
Sundues i një shteti robërish, ideja e tij për pushtimin e botës ishte thjesht robërimi i njerëzimit. Prej kohësh armiq të ambicies perandorake, kudo që ajo të shfaqej në Bizant apo Gjermani, papëve Turku i Madh nuk mund tu dukej veçse dyfish i neveritshëm: si pushtues dhe si i pafe. Nuk është për t’u habitur që ata iu kthyen Skënderbeut si kampion i tyre.
Ambicia e tij politike kufizohej në Arbëri, ku ai po përpiqej të ndërtonte një shtet të centralizuar, duke i nxjerrë prijësit grindavecë prej bastioneve të tyre malore. Por edhe ata kishin afeksionin e tyre prej malësorësh për pavarësinë dhe shpesh thirrën Turkun e Madh për ti ndihmuar kundër tiranisë së Skënderbeut. Kishte, megjithëkëtë, një ndryshim mes këtyre dy kuptimeve arbërore për lirinë. Prijësit shikonin mbrapa me nostalgji nga një e kaluar kaotike, ndërsa Skënderbeu shikonte përpara drejt krijimit të një shteti të krishterë të centralizuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button