Veriu: Deshtimet ne Integrim
Analistët politikë në Kosovë theksojnë rëndësinë për themelimin e institucioneve, të cilat do të ishin përgjegjëse për zgjidhjen e problemit të veriut, në kuadër të bisedimeve me shtetin serb. Mungesa e autoritetit shtetëror në veri, sipas ekspertëve për siguri, mundëson forcimin e mëtejmë të strukturave paralele serbe.
Ata thonë se autoritetet vendore, pavarësisht planeve dhe strategjive të ndryshme, kanë dështuar për të integruar pjesën veriore në jetën institucionale të vendit.
Analisti Leon Malazogu thotë se veriu mbetet ende nën ndikimin e madh të Serbisë dhe se problemet atje mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet bashkëpunimit me shtetin serb.
“Qartazi, këtu Beogradi ka një kontroll të fortë dhe duhet biseduar me Beogradin – së paku në pamundësi për të ndryshuar realitetin në terren”, shprehet ai.
Një nga mënyrat përmes të cilave Beogradi kontrollon veriun e Kosovës, sipas ekspertëve për çështje të sigurisë, janë strukturat paralele serbe të instaluara atje.
Informatat që flasin për veprimin e këtyre strukturave, deri më tani, nuk janë hedhur poshtë as nga misioni i NATO-s, as ai i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit e as nga Policia e Kosovës.
Eksperti për siguri, Agim Musliu, tërheq vërejtjen për forcimin e mëtejmë të strukturave paralele, nëse në veriu vazhdon të mbetet jashtë autoritetit kosovar.
“Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, e ka vizituar Kosovën në Zveçan dhe i ka urdhëruar strukturat paralele të sigurisë që t’i ngjeshin radhët e veta dhe të veprojnë në mënyrë më konkrete në atë pjesë të Kosovës – me theks të veçantë të pengohen të gjitha institucionet e Kosovës që të shtrihen në atë pjesë dhe të bëhen destruksione nëpërmjet mënyrave të ndryshme dhe shërbimit sekret të tyre, policisë e ushtrisë”, thotë Musliu.
Me strategjinë për integrimin e veriut, të hartuar nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, parashihet shtrirja e autoritetit kosovar në veri përmes krijimit të komunave të reja.
Mirëpo, serbët e veriut bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit, duke shënuar një pjesëmarrje minimale në procesin elektoral në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Zëdhënësi i ICO-së, Kai Mueller-Berner, thotë për Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrja e ulët e serbëve të veriut në zgjedhjet e fundit, është ndikuar nga një fushatë e hapur e dhunës dhe e kërcënimeve drejtuar serbëve lokalë nga ekstremistët serbë.
Mueller-Berner thekson përkushtimin e vazhdueshëm të Zyrës Civile Ndërkombëtare lidhur me integrimin e pjesës veriore të Kosovës.
“Ekipi Përgatitor Komunal për krijimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore është duke zbatuar projektet e para për të arritur te qytetarët në kohën kur tani po flasim. Qeveria në dorëheqje dhe institucionet e Kosovës janë duke e mbështetur këtë proces dhe jemi të bindur se qeveria e ardhshme do ta bëjë të njëjtën gjë”, thekson ai.
Mirëpo, Malazogu thotë se në zgjedhjet e fundit është dëshmuar mungesa e interesimit të serbëve lokalë për të qenë pjesë e proceseve shtetërore të Kosovës.
“Zgjedhjet nuk janë përjashtim dhe vetëm kanë konfirmuar që serbët nuk e kanë ndërmend të votojnë në zgjedhjet e Kosovës. Ky problem mbetet që të zgjidhet në proceset e ardhshme”, thotë Malazogu.
Zgjidhja e çështjeve që ndërlidhen me veriun e Kosovës, megjithatë, thuhet se nuk mund të gjendet pa themelimin e qeverisë së re të vendit, proces që vlerësohet të jetë i domosdoshëm për nisjen e bisedimeve ndërmjet palës serbe e asaj kosovare.