Kosova

Veseli: T’i japim fund epokës së mërgatës pa shtet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në ditën e dytë të pritjes së bashkatdhetarëve në Kuvendin e Kosovës ka thënë se duhet t’i japim fund epokës së mërgatës pa shtet.

Në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit, kryetari Veseli takoi rreth 200 mërgimtarë dhe mbajti një fjalë mirëseardhjeje, ndërsa tha se mërgata nuk u ndal kurrë së punuari për Kosovën.

“Në 20 vitet e fundit atdheu ynë ka kaluar nëpër ngjarje të mëdha historike. Roli i mërgatës sonë në këto ngjarje ka qenë i jashtëzakonshëm. Kosova nuk do të mbijetonte pa mbështetjen tuaj të nderuar bashkatdhetarë”, theksoi kryetari Veseli.

“Dhe kur nisi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ju të nderuar bashkatdhetarë, ishit të parët që ju përgjigjët thirrjes së atdheut. Brenda një kohe të shkurtër e gjithë mërgata jonë u kthye në një logjistikë të fuqishme të luftës çlirimtare, një logjistikë që edhe shtetet më të organizuara do ta kishin zili. Mijëra djem lanë familjet e tyre, shkollat dhe vendet e punës nëpër vendet perëndimore dhe u rreshtuan në njësitet e UÇK-së. Shumë prej tyre ranë dëshmorë, shumë humbën gjymtyrët e tyre. Ata sakrifikuan fatin e tyre individual për të mbrojtur dhe çliruar atdheun. Ne do të përkulemi përjetë para veprës dhe kujtimit të tyre”, theksoi kryetari i Kuvendit.

Duke e konsideruar zhvillimin ekonomik si njërën nga sfidat kryesore të ditëve të sotme, kryetari Veseli tha se shteti ynë nuk mund të ecë përpara pa ndryshuar gjendja ekonomike, ndërsa stabiliteti makro-ekonomik ende varet në masë të konsiderueshme nga kontributi i drejtpërdrejtë i mërgimtarëve.

“Në anën tjetër shërbimet që shteti duhet t’i kryej ndaj jush ende nuk janë në nivelin e duhur. Shpesh herë kjo ndodhë për shkak të burimeve të kufizuara, por shpeshherë edhe për shkak të neglizhencës burokratike”, tha ndër të tjera kryetari i Kuvendit, ndërsa shtoi se i duhet dhënë fund epokës së mërgatës pa shtet.

Mërgata jonë, shtoi ai, duhet të ndjejë se shteti i Kosovës është pranë saj, pranë halleve dhe nevojave të saj.

“Kjo nuk është vetëm borxhi historik që ky shtet ka ndaj mërgatës, por edhe një investim në të tashmen dhe të ardhmen e atdheut tonë”, tha ndër të tjera kryetari Veseli.

Në vazhdim, morën fjalën bashkatdhetarë nga shtete të ndryshme, të cilët falënderuan kryetarin Veseli që hapi dyert e Kuvendit për ta, duke u dhënë mundësinë të shohin nga afër mjediset e legjislativit të vendit.

Në emër të komunitetit shqiptar në Itali, përfaqësuesi i këtij komuniteti, Xhafer Berisha, kryeparlamentarit Veseli i ndau mirënjohje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button