Politika

Vëzhgimi i zgjedhjeve, 7 organizata shqiptare krijojnë Dhomën Zgjedhore

Për herë të parë, zgjedhjet në vendin tonë do të vëzhgohen dhe vlerësohen edhe nga një bashkim prej 7 organizatash joqeveritare vendase, që tanimë do të flasin në një zë të vetëm, duke koordinuar informacionet dhe ekspertizën e tyre në lidhje me ecurinë e të gjithë procesit zgjedhor të 21 Qershorit.

Ndonëse është tërësisht shqiptare, Dhoma Zgjedhore do të bashkëpunojë edhe me aktorë të tjerë të huaj për të shkëmbyer informacion apo ekspertizë mbi procesin zgjedhor.

“Dhoma Zgjedhore e shoqërisë civile është projektuar si një platformë për shkëmbimin e informacionit mes të gjithë aktorëve që punojnë për zgjedhjet, për të zhvilluar bashkëpunimin dhe reagimin e shpejtë ndaj krizave të lidhura me procesin zgjedhor. Dhoma Zgjedhore është plotësuese për vëzhgimin tradicional të zgjedhjeve. Është një platformë koordinimi e përfaqësuesve të shoqërisë civile, që mblidhet periodikisht gjatë periudhës së zgjedhjeve për të analizuar informacionin që vjen nga terreni, jep paralajmërime të hershme të problemeve dhe rekomandime për të siguruar besueshmëri në procesin zgjedhor”, sqaroi Lutfi Dervishi.

Kjo nismë e organizatave që kanë përvojë në monitorimin e zgjedhjeve është mbështetur nga Fondacioni “Soros”, me qëllim që të sigurohet një vlerësim serioz dhe i besueshëm i faktorit shqiptar mbi cilësinë e proceseve zgjedhore.

Andi Dobrushi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Soros”, theksoi: “Platforma nuk ka synim të jetë një platformë paralele me institucionet ndërkombëtare, që luajnë rolin e arbitrit për zgjedhjet në Shqipëri, por ofron një alternativë që i ka munguar dekorit të vëzhguesve. Është një alternativë që nuk ndalet vetëm në ditën e zgjedhjeve, por që e sheh procesin zgjedhor në ciklin e tij të plotë”.

Dhoma Zgjedhore ka ngritur një zyrë qendrore dhe një portal “online”, në mënyrë që aktorët e shoqërisë civile dhe qytetarët të kontribuojnë për të patur zgjedhje të ndershme dhe të lira në vend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button