Kosova

Victoria Nuland në Kosovë, krijoni Gjykatën e Posaçme

bbbbbNdihmës sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland tha se Kosova nuk duhet të dështojë në procesin e ngritjes së Gjykatës së Posaçme

Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland, tha të dielën në Prishtinë që nëse Kosova nuk e krijon vet Gjykatën e Posaçme për krime lufte, marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare mund të vihen në pikëpyetje

Ajo i bëri këto komente pas takimeve me dyer të mbyllura në Prishtinë me udhëheqësit më të lartë të Kosovë, në kuadër të një vizite që po i bën rajonit. Vizita e saj në Prishtinë shihet në funksion të nxitjes së institucioneve të Kosovës për ngritjen e gjykatës së Posaçme që do të trajtoje pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Më 26 qershor parlamenti dështoi të miratojë ndryshimet kushtetuese që do t’i hapnin rrugë themelimit të Gjykatës. Institucionet e Kosovës thanë se po përpiqen të gjejnë rrugën për të hedhur sërish në debat këtë çështje si një detyrim ndërkombëtarë ndërsa opozita ka bërë thirrje që të respektohet vendimi i deputetëve të parlamentit dhe të hiqet dorë nga themelimi i saj në formën si është ofruar në parlament.

Zonja Nuland, në një intervistë dhënë televizionit publik të Kosovës tha se Shtetet e Bashkuara ishin të zhgënjyera me mos votimin e ndryshimeve kushtetuese që lidhen me gjykatën.

“Është shumë me rëndësi që të themelohet Gjykata dhe shpresoj se do të ketë edhe një votim tjetër për këtë para pushimeve verore”, tha zonja Nuland.

Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Zonja Nuland tha që nëse Kosova nuk e krijon vet Gjykatën, atë do ta bëjë OKB-ja dhe se marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare mund të vihen në pikëpyetje.

“Ne nuk duam që të ndodhë kjo sepse ne duam që Kosova të ecë përpara me Evropën dhe me neve”, ka thënë Nuland.

Zonja Nuland po shfrytëzon vizitën në rajon për të nxitur Kosovën dhe Serbinë që të çojë përpara bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Para se të arrinte në Prishtinë ajo tha në një fjalim në Kroaci se Kosova dhe Serbia po bëjnë përparim në shërimin e plagëve të së kaluarës dhe arritjen e marrëveshjeve për të jetuar si fqinjë të mirë. Por, puna është larg të qenit e përfunduar.

Ajo shprehu siç tha dëshirën që viti 2015 të jetë periudhë e avancimit të bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, në mënyrë që Bashkimi Evropian të hap kapitujt e negociatave me Serbinë dhe të nënshkruajë marrëveshjen e stabilizim asocimit me Kosovën. Por, kjo kërkon vendime kurajoze në Prishtinë dhe Beograd, tha ajo duke u bërë thirrje palëve që siç tha, të shfrytëzojnë këtë moment.

Zonja Nuland ka shprehur shqetësimin e saj me faktin se siç tha, korrupsioni mbetet pengesa kryesore e përparimit në rajonin e Ballkanit perëndimor. Ai është kancer që shtrydhë fuqinë e demokracive dhe çon në papunësi dhe trazira. Për më tepër, ai krijon dobësi që autokratët dhe ekstremistët e dhunshëm mund t’i shfrytëzojnë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button