Viktimat nga reshjet në Tetovë- Ministri Bushati shpreh ngushëllimet
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati shprehu të martën ngushëllimet e tij për viktimat e shkaktuara nga përmbytjet në Tetovë.
Përmes faqes së tij në “Facebook”, kryediplomati Bushati theksoi angazhimin e Ministrisë së Jashtme për të qenë pranë të prekurve nga përmbytjet në Tetovë, ku si pasojë e rrëshqitjes së provokuar nga reshjet e dendura humbën jetën disa persona.
“Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave të vërshimeve në Tetovë”, shkruan Bushati. Me mendje dhe zemër pranë tyre në këto momente të vështira”, përfundon statusin e tij, kryediplomati shqiptar.
Sipas mediave, raportohet se moti i keq ka shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dherash dhe gurësh në Tetovë ku situata më e rënduar gjendet në fshatin Shipkovicë.
Nga të dhënat e deritanishme bëhet fjalë për 4 të vdekur në fshatin Shipkovicë, dy të moshuar dhe dy vajza të moshave 14 dhe 17 vjeçe të cilët i ka zënë një masiv i madh shkëmbor në shtëpi, për shkak të rrëshqitjeve të provokuara nga reshjet e dendura të nisura pasditen e djeshme.
Mediat raportojnë gjithashtu se numri i viktimave mund të jetë më i lartë, por gjithçka pritet të qartësohet në orët në vijim.