Arte

Viola Isufaj: Si i ka frymëzuar Kadare shkrimtarët francezë

bbShtëpia Botuese UET-Press dhe Qendra e Studimeve Letrare “Kadare” sapo kanë botuar librin “Kadare në letrat e sotme franceze”, të studiueses Viola Isufaj. Ky studim sjell shembujt se si letërsia e Kadaresë ka frymëzuar shkrimtarë modernë francezë dhe përfshirjen e romanit “Kush e solli Doruntinën” në tekstet shkollore franceze, fakt që dëshmon praninë e letërsisë shqipe në Europë.

Si erdhi libri “Kadare në letrat e sotme franceze”? A ishte një studim që kishit nisur më herët mbi veprën e shkrimtarit tonë dhe jehonën apo ndikimin që ai ka pasur në letërsinë frënge?

Kadare në letrat e sotme franceze ka lindur pothuajse fare rastësisht, në një bisedë, qëllimi i së cilës nuk ka qenë ndërmarrja e një studimi; madje libri as që do të mbante këtë titull. Ideja erdhi në kafene, me Ismail Kadarenë. Isha duke folur për një dukuri që kishte kohë që më kishte bërë përshtypje e që lidhej me një lloj hijeje që disa vepra madhështore lëshonin mbi të tjera krijime të Kadaresë, duke mos i lënë këto të fundit të bënin jetë të mëvetësishme. Në bisedë e sipër solla në vëmendje tregimin Përpara banjës, botuar në përmbledhjen Ëndërr Mashtruese. Ky është një tregim me gjetje nga më befasueset brenda vetëm dy faqeve, por mbase disi i eklipsuar nga diptiku Vajza e Agamemnonit, Pasardhësi. Ndërsa flisja për këtë tregim të cilin kisha kohë që e sillja nëpër mend dhe mendoja se duhej nxjerrë në pah, Ismail Kadareja më tregoi se tre shkrimtarë francezë kishin shkruar tre tregime, që cilat varionin pikërisht nga Përpara banjës. Doruntina erdhi pak më vonë…I kam marrë të gjitha materialet në dorë njëkohësisht me draft-romanin Mjegullat e Tiranës, afërsisht në nëntor të vitit 2013. Studimi për Mjegullat erdhi në vitin 2014, ndërsa këtë studim munda ta përfundoj vetëm tani.

Jeni ndalur kryesisht në dy vepra, tregimi “Përpara banjës” dhe romani “Kush e solli Doruntinën”. Si ratë në kontakt me tregimet “remix” të tre autorëve francezë,mbi tregimin e Kadaresë?

Kur dëgjova të flitej për tregimet remix që variojnë nga tregimi i Ismail Kadaresë, jua thashë, nuk e dija që do t’u kushtoja një studim. Për herë të parë për tregimet remix të shkrimtarëve francezë dëgjova të flitej prej Ismail Kadaresë. Për përfshirjen e Doruntinës në programet mësimore të kolegjeve franceze, gjithashtu. M’u duk diçka me të vërtetë interesante. Pas pak ditësh pata në dorë tekstin mësimor për Doruntinën dhe pak më vonë tekstet tregimtare në gjuhën frënge. E pashë menjëherë se kisha të bëja me tekste jo të thjeshta. Tregimi i parëremix përbëhej prej një narrative të cilën e organizonin një sërë procesesh cerebrale; prej një amalgimi trajtash halucinative. Të binin në sy formulime të çuditshme, trazuar në të njëjtën kohë nga ndërhyrjet që bënin në tekst reminishencat. Sapo bëhej një e thënë, ajo shfuqizohej nga një e thënë tjetër; pa u pohuar mirë diçka, ajo mohohej; pranëvëniet antitetike shpërthenin në oksimorone (por oksimorone të fshehura që nuk dilnin në shqip): teksti nuk ishte i lehtë për t’u përkthyer. Një teknikë e përsëritjes ishte funksionalizuar të tillë mënyrë (për të dhënë pamjen e një kaosi shumë koherent) –saqë përkthimi mund të shihej pothuajse si një ushtrim në logjikë. Pikësimi kishte një specifikë: vetëm presje. Nisa të shkruaj shënime pa e përkthyer tekstin, vetëm duke hyrë në të. Kur pashë se studimin po e shkruaja vetëm me presje u binda se me të vërtetë isha zhytur në këto vdekje dhe duke e shkruar studimin përcjellës erdhi njëkohësisht edhe përkthimi i tregimeve remix të francezëve (ky tregim për të cilin po flas dhe dy të tjerë). Iu frikësova rrezikut të mundshëm të stilizimit të tepërt gjatë përkthimit, u përpoqa ta ruaj stilin. Nuk e kisha idenë se si do t’i vinin një lexuesi shqiptar këto tekste të përkthyera. Dëshirova që të ishin këta shkrimtarë francezë që flisnin në shqip dhe jo unë. Doja t’i ruaja secili, fytyrën e vet, frymën e vet. Dy tregimet e tjera, megjithatë, nuk ngërthenin të njëjtën vështirësi. Ose isha unë që duke u endur në zonat e tejjetës, u familjarizova me llojet e vdekjes, apo me vdekjet e shumëfishta, me trajtat e rrëfimit që thirrnin ato për t’u shprehur në letërsi.

Remix-i apo rikrijimi. Nga Eskili te Kadare, nëse i referohemi këtij tregimi ku shkrimtari ynë bën një ritregim të vrasjes së Agamemnonit, ndërsa tre autorët francezë janë nisur mbi tregimin e Kadaresë për krijimet e tyre. A është Kadare një referencë në letërsinë e sotme, jo vetëm franceze por edhe europiane? Si e keni parë me syrin e studiueses?

E kam menduar të arsyeshëm, madje të domosdoshëm këtë kalim, pasi Kadareja niset nga miti, francezët nga tregimi i Kadaresë. Pra, kemi të bëjmë me transmetim të disafishtë. Vetë miti përmban potenciale të pashprehura të cilat në çdo moment mund të bëjnë jetë në letërsi. Shumë aspekte të mitit të Agamemnonit janë shprehur në tregimin e Kadaresë në mënyrë tepër të kondensuar-e mandej, janë rimarrë nga francezët. Për këtë lindi nevoja “të zbrisja poshtë”, në lashtësinë greko-romake, në antikitet. Rasti tregon qartë se letërsia e Kadaresë është referencë. Seria Remix 2, shpall qartë qëllimin e rikrijimit të teksteve letrare mbi bazë të një tjetër teksti letrar: një hapje teksti e një lloji tjetër, pra artistikisht. Në përmbledhjen Remix 2 botohet së pari tregimi i Kadaresë Përpara banjës, e pas tij vijnë tekstet: Përpara banjës, remix 1-nga Mathieu Roboulet… e kështu me radhë. Domethënë, rikrijimi nuk është rastësor, përkundrazi, ai është i vetëdijshëm, i qëllimshëm, i dhënë në mënyrë shumë eksplicite.Sigurisht që, letërsia e Kadaresë është referencë në letërsinë e sotme, jo vetëm në atë franceze (në artikuj, studime, tema doktorature), por u përqendruam në një mënyrë të posaçme mbi këtë rast për shumë arsye të cilat bëhen të qarta edhe në libër.

Fenomeni remix apo rikrijim, që duket sikur ka ekzistuar me letërsinë e antikitetit apo atë klasike, është fenomen edhe i letërsisë bashkëkohëse europiane. Po në letrat shqipe, a ndodh kjo? Apo është ende në nivelin e rikrijimit të legjendave ose gojëdhënave? Siç është edhe rasti i Doruntinës, i risjellë në letrat bashkëkohore po nga Ismail Kadare…

Më duket se në letrat shqipe nuk vërehen përpjekje të qarta për këtë. Gjithashtu, as nuk mund të thuhet se kjo është një formë e epërme e zbërthimit të kodeve, shtjellimit të domethënieve, dhënies së variacioneve. Kjo që thoni ju se letërsia shqipe është ende në nivelin e rikrijimit të legjendave apo gojëdhënave nuk mund të pohohet (prej meje). Kjo nuk është aspak fazë e parë, apo inkubatori, e zhvillimit letrar. Letërsia në çdo kohë do të vazhdojë të rikrijojë mbi bazë legjendash, mitesh a gojëdhënash, sepse në to janë të mpiksura në simbole përvojat e një bashkësie të veçantë si dhe të racës njerëzore në tërësi. Ato përçojnë të vërteta universale në të gjitha kohërat që jeton njeriu. Remix-i, pastaj, është tjetër gjë. Ai shfaqet tërheqës dhe interesant, është i tillë që vë në dukje ligjshmërinë e bukur të letërsisë, por nuk është e thënë që letërsia t’i nënshtrohet patjetër këtij kalimi.

Ju thoni në hyrje të librit se përvojën e metodës remix, nëse mund ta quajmë kështu, keni dashur t’ia sillni lexuesit shqiptar. Çfarë sjell të re në kuptimin e një teksti narrativ… A e zëvendëson kjo metodë atë klasike përmes analizës së tekstit?

Remix-et janë rikrijime, interpretime, rikombinime, përshtatje të tekstit paraekzistues, një ushtrim, një pastish, variacion i së njëjtës temë, zhanri, subjekti. Variacionet mund të shkojnë shumë larg. Ato bëjnë pjesë në lirinë e letërsisë. Letërsia e gëzon këtë të drejtë: të zhvillojë një potencial, të bëjë të lindë një art që jeton në hijen e një tjetri, por që mund të ketë çuditërisht, dhe pavarësinë e tij. Remiksi dhe analiza “klasike e tekstit” siç e quani, nuk i kundërvihen njëri-tjetrit. Janë dy forma shtjellimi që mund të shkojnë krahas. Asnjëherë nuk është njëra sipërore ndaj tjetrës. Si studiuese, jam gjithnjë pranë analizës së tekstit; si shkrimtare, jam në zemër të krijimit dhe rikrijimit.

Thoni se vihet re prania e letërsisë shqipe në Europë. Është letërsia shqipe, apo vetëm rasti konkret i Kadaresë që e ka kapërcyer ekzotizmin vendas me temat universale që ka trajtuar?

Po të shiheshin më kujdes faqet e letërsisë shqipe në një antologji të përfytyruar të letrave botërore, besoj, nuk do të ishin pak. Nuk do të përftonim të dhëna të pazakonshme, të shkëlqyeshme a të papritura, sigurisht; por as nuk do të thuhej se janë faqe që mund të shpërfillen. Rasti i remix-eve (ku rrezatimet janë të letërsisë sonë) dhe i Doruntinës (ku letërsia e ofruar përbën bazën kulturore të një brezi të tërë) përbëjnë një dëshmi tjetër, të dyfishtë, të integrimit të letërsisë shqipe, përfaqësuar nga Ismail Kadareja, në hapësirat e mëdha të botës letrare perëndimore.

Krahas pasqyrimit dhe krahasimit mes tri krijimeve remix dhe atij origjinal të Kadaresë keni bërë një zbërthim të detajuar të mitit dhe personazheve nga Homeri, tek Eskili dhe shndërrimin që pësojnë në penën e Kadaresë e po ashtu të tre autorëve francezë Mathieu Riboulet, Vincent Brockvielle dhe Sophie Apert, si edhe fokusin e secilit syresh. Sa kohë ju ka marrë ky studim?

E kam bërë këtë studim të detajuar me kaq shumë vajtje-ardhje nëpër kohëra pasi grimcnajat e riaktivizuara të mitit bëhet gati të pakapshme e të panjohshme për lexuesin; ato si atomet janë të padukshme, ndaj dhe lind nevoja e një teksti studimor që i përcjell këto tregime tek lexuesi. Kam studiuar pikëvështrimin e Kadaresë mbi mitin e Agamemnonit, mënyrën e rimarrjes së tij, vizionin e ferrit, mekanizmat e brendshme të rrëfimit që bëjnë të mundur ndërtimin e tre tregimeve të tjerë. Po ashtu, jam rrekur të hetoj lidhjen e mundshme midis tri njësive bazë të rrëfimit të autorit shqiptar -me po këto tri njësi të përpunuara në tregimet remiks. Jam përpjekur të hedh dritë mbi vatrën e tregimit të shkruar nga Kadareja e të zbuloj kodet që organizojnë këtë tekst, ruajtjen e këtyre kodeve dhe shndërrimin e funksionin e tyre në tekste të tjera artistike të derivuara prej këtej. Kushtet e përftimit të secilit tekst që ngrihet mbi një tjetër, janë të tilla që e lejojnë gjenerimin e elementeve kryesore të modelit. Larushia e interpretimeve në tekstet remiks na fton edhe ajo për të parë si lëvizin domethëniet. Poli i fiksuar është kuptimi, dhe ky në këtë rast ndodhet në tregimin e autorit shqiptar, por domethënia është potencialisht e pafund dhe ajo na shfaqet në tregimet e autorëve të sotëm francezë. Madhështia e ngjarjes së Argosit, tmerri dhe nderimi për të janë zbehur krejt në rrëfimet e francezëve. Oresti, Maria dhe Amargona pluskojnë në ditët e çngjyrosura të një jete të zbrazët. Tashmë rijetojnë eksperiencat e dikurshme. Bëhet kështu shpërndarja e domethënieve. Hapësirat e tregimeve zhvendosen sa zonat e tejjetës, sa në një kuzhinë, në kafene në aeroport, në sauna dhe në farmaci. Në tregimet e krijuara nga shkrimtarët francezë jemi gjithnjë në ditët tona. Njerëzit kërkojnë të jenë të suksesshëm, bëjnë marrëveshje biznesi, bëjnë pushime, kërkojnë të jenë në një aktivitet të përditshëm të pandërprerë, kërkojnë të jenë sa më tërheqës, kërkojnë të zhvillojnë tek vetja joshjen seksuale. Bota e sotme nuk e favorizon dashurinë dhe vlerat shpirtërore. E tërë kultura moderne mbështetet në etjen për këmbim të favorshëm, kjo është lumturia dhe kënaqësia e njeriut modern. Ndonëse thirret pa iu përmendur emri, pra, njëfarësoj duke e mohuar, dashuria është pasioni më i madh i jetës së njeriut. Thelbi i krizës së këtyre personazheve është dëshirimi për dashuri, kurse thelbi i luftës së tyre është përplasja e dy të kundërtave: thirrja kah vdekja dhe qëndresa për të mos iu dorëzuar vdekjes. Konflikti brenda individit zhvillohet në të gjitha rastet në psikikën e tij. Këtë konceptim e drejtojnë “shtyllat” e tregimit të Kadaresë që shërben si model. M’u deshën dy vjet për të kryer këtë studim. Gjithmonë, po të mos llogarisim njohjen me sistemin e plotë të korpusit kadarean-njohje e cila është shumëvjeçare.

Studimi është striktmërisht letrar apo ka raste ku edhe i kapërcen disiplinat?

Për shkak se studimi i përvojave pranë vdekjes është një temë që ka lidhje me ndjenja dhe ndjesi të shumta të mundshme, si dhe me origjina gjithashtu të shumta të mundshme, m’u ka dashur të hulumtoj në fushë të neuro-psikiatrisë. Gjithashtu edhe për shkak se në tregimin e tretë, gjeta një “narrativë të probleme psikike”, siç e quajta, m’u desh të bëj kërkime në këtë fushë. Ka shumë gjasa për të qenë të pasaktë në këtë drejtim; së pari për nga vetë natyra e përvojave të përthyera në tregime, së dyti, sepse nuk jam specializuar në fushë të neuropsikiatrisë. Gjithsesi, thellimi në këto përvoja nuk është qëllim i parë apo i vetëm i studimit; ai është në funksion të diçkaje tjetër. Të dhënat mbi këto përvoja, të sakta dhe më pak të sakta, na vlejnë për t’u përqendruar në narracionin e Kadaresë. Por do të çmohej shumë kontributi i specialistëve në një ribotim të mundshëm të këtij libri.

Si e ka pritur shkrimtari Ismail Kadare këtë libër studimor dhe si erdhi ky botim nga UET-Press dhe Qendra e Studimeve letrare “Kadare”?

Ka qenë shumë i gëzuar. Me të vërtetë, shumë. Më ka pyetur shumë herë nëse e kam mbaruar studimin dhe nëse do të mund t’i lexonte… sikur vetëm faqet e para… Nëse botimin e Mjegullave, e ndiqte gjithnjë ngurrimi për të nxjerrë në dritë ose jo një tekst jo kulmor, botimin e këtij libri, Kadare në letrat e sotme franceze e ka shoqëruar gëzimi i shkrimtarit, nganjëherë dhe entuziazmi i tij.

Kujt i drejtohet ky libër? Është vetëm për përdorim akademik, mes studiuesish, pedagogësh e studentësh të fushës së letërsisë e komunikimit, apo është edhe për lexuesin e gjerë?

Për t’u dhënë mundësi dhe lexuesit të kultivuar edhe atij më pak të kultivuar që ta lexojnë studimin, ky i fundit është çliruar sa ka qenë e mundur nga terminologjia shkencore dhe nga mbingarkesat që sjellin parehati gjatë leximit. Po ashtu, përpara se të hetoj tregimin Përpara banjës dhe tregimet remix, jam përpjekur të jap një analizë të ngjarjes që tronditi Argosin dhe botën mbarë, një shqyrtim të karaktereve të personazheve të jashtëzakonshme të kësaj historie, e sidomos një portret të Agamemnonit, këtij personazhi që, me natyrën dualiste na tërheq, me fatalitetin e tij, na magjeps. Si sundimtar i krejt Argosit dhe bashkëshort i Klitemnestrës mashtruese, me cilësitë që mbart, Agamemnoni është një karakter i ndërlikuar; duke bartur tipare si këto, ai është një arketip që u përket të gjitha shoqërive dhe si i tillë, bën jetën e tij në art në çdo kohë që bëhet art. U shtojmë të gjitha këtyre faktin se vritet në mënyrë makabre nga një grua, që është dhe gruaja e vet; i vrarë kështu, ai jeton në letërsi: nga miti tek Homeri, nga Homeri tek Eskili dhe nga Eskili përshkon të gjitha kohërat në të cilat u shkrua letërsi. Kadarenë e ka tërhequr vdekja e shumëfishtë e këtij personazhi. Tregimet remiks ndërtuar prej shkrimtarëve bashkëkohorë francezë dhe trajtimin e Doruntinës në kolegjet franceze i solla së bashku në këtë libër për shkak të disa fijeve lidhëse të përbashkëta. Sikur të mbeteshim vetëm në aspekte të fillëve tematikë, do të ishte shumë pak. Veç luftës dhe vdekjes, ajo çka i pruri bashkëDoruntinën me tregimet remiks në këtë libër është rrezatimi i letërsisë shqipe në letërsi të tjera, pranëvënia me tekste të letrave të përbotshme, pjesë e një dialogu të madh njerëzor. Ne sapo e pamë një dëshmi të këtij dialogu: atë të ndikimit nga tregimi Përpara banjës dhe atë të mësimdhënies së Doruntinës. Dhe nëse flasim edhe pak për dialogun e madh njerëzor, nuk mund të mos shtonim se mu në këtë komunikim të pashtershëm, fitimtar të vendeve dhe kohërave, afirmohet zotësia e përgjithshme e letërsisë.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button