Visar Zhiti merr miratimin e Komisionit të Jashtëm për ambasador në Vatikan
Ish ministri i Kulturës, poeti i njohur Visar Zhiti ka marrë miratimin e Komisionit të Jashtëm për ambasador në Vatikan.
Zhiti është propozuar të emërohet në detyrë ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Vatikan, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Urdhërit Sovran Ushtarak të Maltës, jorezident. Ai zhvilloi sot në Komisionin Parlamentar të Punëve të Jashtme seancë dëgjimore.
Visar Zhiti, kandidati i qeverisë për ambasador në Vatikan, Fatos Reka, ambasador në Maqedoni dhe Bardhyl Canaj kandidati për ambasador në Izrael paraqitën para deputetëve të këtij komisioni platformat e tyre në lidhje me detyrën që u është ngarkuar nga Ministri Bushati. “E pranova këtë propozim në një moment të vështirë. Vatikani ka shumë rëndësi për Shqipërinë . Të jesh Ambasador është detyrë shpirtërore. Shqipëria është një emblemë e harmonisë fetare dhe jo më kot Papa Francesku e zgjodhi për ta vizituar. Ne jemi vendi i harmonisë fetare dhe martirëve”, tha Zhiti në Komision. Kandidatura e Visar Zhitit u mbështet nga deputetët të maxhorancës dhe opozitës në Komisionin e Punëve të Jashtme, të cilët vlerësuan karrierën diplomatike të kandidatit për ambasador në Vatikan.