Viti i kalit, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe 193 fjalime
Enver Robelli
Edhe sivjet krerët e botës u mblodhën në New York, në selinë e OKB-së, ku u mbajt Asambleja e Përgjithshme vjetore. Atmosfera i ngjan pak Kapali Çarshisë së Stambollit, pak pazarit Khan al-Khalil në Kajro dhe më shumë një kampionati botëror të diplomacisë. Një javë, 193 fjalime nga të 193 shtetet anëtare. Shto këtu edhe fjalimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme, përfaqësueses së BE-së, Selisë së Shenjtë, si dhe Palestinës, e cila ka statusin e vendit vëzhgues.
Ka dëgjuar kush për Ukhnaagiin Khürelsükh? Ky është presidenti i Mongolisë. “Süddeutsche Zeitung” shkruan se në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Khürelsükh citoi nga një letër që sundimtari mongol Oljeitu i shkroi mbretit francez Filipit të Bukur në vitin 1305: “Me të vërtetë, nuk mund të ketë asgjë më të mirë se pajtimi e mirëkuptimi”. Trashëgimtarët e Xhingis Hanit besonin se njerëz me kultura të ndryshme mund të bashkëjetonin paqësisht, në vend që t’i çanin kokën njëri-tjetrit pa pushim. Kjo përvojë e largët historike e shtyu presidentin mongol Khürelsükh të pyeste nëse kjo “Pax Mongolica” nuk do të ishte një model i mirë për një të tashme më paqësore, për një “Pax Globalica”. Presidenti Khürelsükh i merr punët me nge. Në odën e madhe të OKB-së ai shpalli “kandidaturën zyrtare” të Mongolisë për anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – për vitet 2048 dhe 2049. Kësaj i thonë planifikim afatgjatë.
David Adeang kishte një hall tjetër: ai tha para Asamblesë së OKB-së se si president ka një kërkesë që vendi i tij të mos quhet më Nauru, por Naoero. Pse? Sepse bota e ka keqkuptuar shqiptimin. Mos harroni: Naoero, jo Nauru.
Dhe kështu shkon java, fjalim pas fjalimi. Sonte gjithçka merr fund. Deri në Asamblenë e ardhshme të OKB-së.
Për pak harruam. Edhe presidenti i Zvicrës Guy Parmelin foli në New York. Zvicra ka refuzuar të jetë anëtare e OKB-së deri në vitin 2002. Parmelin, me profesion prodhues vere, e nisi fjalimin me metafora alpine. Ia vlen të lexohet së paku fillimi:
“Të nderuara zonja dhe të nderuar zotërinj, Zvicra është një vend malesh, luginash dhe larmie gjuhësore. Në vazhdën e historisë sonë, ne kemi mësuar ta kapërcejmë atë që na ndan. Ne nuk i rrafshuam malet. Ne mësuam të ngjitemi në to. Dhe më vonë, t’i çajmë mespërmes. Për këtë qëllim ndërtuam rrugë, ura dhe tunele. E kuptuam qartë se një kufi natyror nuk duhet të jetë medoemos një vijë ndarëse – ai mund të shndërrohet edhe në një vend takimi. Kjo përvojë e thjeshtë më duket e zbatueshme edhe për botën tonë të sotme”.
Sikur të ishte aq lehtë…


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.