Vizat e Arta: Evropa përmes derës së pasme?
Të huaj të pasur blejnë në Portugali leje qendrimi për në Evropë. Opozita paralajmëron për biznese të errëta dhe para të zeza. Por qeveria i ul edhe më tepër “çmimet e hyrjes”.
Zëvendëskryeministri i Portugalisë, Paulo Portas, të paktën e tha qartë se për se është i interesuar: “Golden Visa-t (Vizat e arta) i kanë sjellë Portugalisë në dy vjet 1,27 miliardë euro investime. Do të ishte budallallëk, sikur ta mbyllnim dyqanin dhe këto para t’i fitonin vende të tjera.” Pavarësisht se leje speciale të qendrimit për të huajt milionerë jo nga BE i kushtuan shefit të zyrës së të huajve në polici vendin e punës; pavarësisht se kritikat për “dhënien e vizave në bazë të portofolit” bëhen gjithnjë e më të forta: Portugalia do të vazhdojë edhe më tej t’ua vërë në pasaportë vulën me leje kinezëve të pasur, brazilianëve, angolezëve dhe rusëve, që ata të mund të jetojnë në më perëndimorin prej vendeve të BE dhe me këtë në të gjithë hapësirën e Shengenit. Mjafton që ata të paguajnë sa duhet për këtë.
500.000 euro duhet të investojë dikush në pasuri të patundshme, po do të dojë të sigurojë për familjen e tij lejen e preferuar të qendrimit në BE. Në Lisbonën e shtrenjtë çmime të tilla të duken gati badiava. Para së gjithash, shumë kinezë janë mësuar në atdheun e tyre me çmime më të larta për apartamentet dhe prandaj entuziazmohen nga oferta. Një pjesë e madhe e banesave luksoze në kryeqytetin e Portugalisë ose në plazhet e periferisë ekskluzive Estoril ndërkohë janë në shumicën e tyre në duart e kinezëve. Që këta emigrantë të luksit nuk i kanë fituar të gjithë me ndershmëri paratë e tyre, këtë e konfirmoi arrestimi i një zotëruesi të Golden Visa-s, i cili kërkohet në Kinë për mashtrim dhe krime të tjera të rënda dhe që pret tani dëbimin.
Burime kriminale parash dhe banda
“Ne u japim leje qendrimi njerëzve, për të cilët nuk e dimë, se ku e ka burimin pasuria e tyre”, paralajmëron edhe Joao Semedo, deputet në parlament i bllokut të majtë “Bloco da Esquerda”, i cili njësoj si Partia Socialiste është kundër politikës dorëlëshuar të dhënies së vizave nga qeveria. Eurodeputetja socialiste, Ana Gomes madje mendon se organizatave kriminale dhe larësve ndërkombëtarë të parave u hapen dyert e Evropës përmes “Vizave të Arta” portugeze dhe kërkon ndërprerjen e dhëniës së vizave.
Gjithsej në vitin 2014 u shpërndanë më shumë se 1500 Viza të Arta. Më shumë viza, me dallim të madh nga të tjerët, morën kinezët. Në vend të dytë dhe të tretë pasuan brazilianët dhe rusët. Por shumica e tyre nuk e investojnë, siç shpresohej më parë, milionën e shpresuar në ndërtimin e sipërmarrjeve. Në vend të kësaj ata blejnë apartamente luksoze, thotë Sergio Alves, sekretar i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë Portugezo-Kineze: “Vizat e Arta nuk kanë sjellë asnjë investim në ekonomi, paratë përdoren krejtësisht për investime. Shumica e kinezëve, që blejnë, as nuk jetojnë këtu.”
Zëvendëskryeministrit Paolo Portas të gjitha këto nuk i interesojnë. Ai madje kërkon ta ulë “çmimin e hyrjes” për vizat e reja të arta: në të ardhmen do të mjaftojë që të investosh 350.000 euro në restaurimin e pjesës historike të qytetit, në projekte artistike dhe shkencore për të fituar leje luksoze të qendrimit. Përsa i përket kritikave për korrupsion dhe krimet e tjera të mundshme në lidhje me Vizat e Arta, Paulo Portas di të thotë vetëm një gjë: “Ai që ka bërë faj, atë le ta godasë forca e ligjit.”